Femijet 10 Shkurt 2020

Prindër, ndihmoni fëmijët në moshën 13 vjeç, kur ngelen para pasqyrës

Femijet

Nga Lira Gjika/Organizimi i vetes fillon nga tualeti. Në moshën 13 vjeç, kur vajzat dhe djemtë fillojnë të “ngelen” para pasqyrës, prindër të dashur përpiquni t’i inkurajojini dhe shpjegojini ç’është tualeti. Ndihmojini të rriten, sepse kjo është detyra juaj. Shpjegojini se tualeti nuk bëhet për të ndjellë tjetrin, por nëpërmjet tij fillojmë të organizojmë atë, që quhet njohje “përpunim”, dhe organizim i vetes. Është një proces i gjatë psiqik, që bëhet me vetëdije.

Tualeti jep mundësinë për njohësh e të metave dhe riparimin e tyre. Krijimi që bën vajza apo djali adoleshent, nëpërmjet tualetit tek fytyra e vet, e ndihmon atë të zhvillojë mekanizmat psiqik për kontrollin e vetvetes. Ashtu sic do të merret me fytyrën, dalëngadalë, prindër nxiteni që të bëjë “tualetin” e fjalës, të veprimit, t’i përzgjedhë ato. Vërtetë të gjitha janë fjalë në fjalor, por fjalët që përdorin dhe mënyra e të përdorurit, bashkë me ngarkesën emocionale, tregojnë nivelin tonë, sa vetëvlerësim kemi dhe sa qytetar jemi. Prandaj ka shumë rëndësi reagimi i prindërve ndaj fenomenit tualet. Në vend që të bërtisni dhe të ndaloni tualetin, ndihmojeni që të evitojë periudhën, kur bën tualet vulgar; e para se nuk di dhe e dyta, për të rënë në sy. Me pak durim kjo fazë kalon shpejt.

Tek vajzat një fjalë e babait ka një vend të padiskutueshëm. Kur babai sheh vajzën, që është “lyer”, natyrisht jo bukur estetikisht, mund të ndërhyjë me takt duke e ndihmuar që të zbehë ngjyrat, duke i lavdëruar tiparet. Të bëjë vërejtjen, duke thënë për shembull: “ke fshehur syrin, vetullën apo buzën. Duhet t’ia shtosh bukurinë dhe jo t’ia pakësosh bukurinë. Me këtë mënyrë ti nuk e lë, që të duket syri yt.”

Këto janë pak a shumë fjalët që babai duhet të përdorë me vajzën e tij. Më pas mund të vazhdojë: “Ti je në fazën që po ndërton identitetin tënd. Të ndërtosh identitetin do të thotë të ndërtosh veten tënde me koshiencë. Dhe pikërisht një mjet për të ndërtuar veten është dhe tualeti, që fillon me fytyrën, trupin, fjalën, mënyrën e të ecurit, të veshurin dhe në fund të sjellurit, që është përmbledhja e të gjithave.”

Por çfarë ndodh kur reagojmë ashpër?

E para gjë, frenojmë avancimin e proceseve psiqike konshiente. Fillimisht njeriu e bën tualetin për tu dalluar dhe për tu njohur nga të tjerët. Ose me pak fjalë për të rënë në sy dhe për të ndjellë, sepse ai në këtë stad është. Është ende i parritur në njerëzore, edhe pse I pjekur seksualisht, prandaj reagon me ndjelljen dhe të rënit në sy.

Nëse doni që fëmijët tuaj të ngelen këtu, vazhdoni të bërtisni dhe ti pengoni. Por duhet të jeni të sigurt për një gjë, sapo dalin nga dera e shtëpisë, te cepi i pallatit apo i rrugës, do të ndalojnë, do të nxjerrin kutinë e tualetit, apo kutinë e xhelit dhe do të lyhen.

Në rrugët e Tiranës shohim shumë vajza të lyera në mënyrë vulgare. Prindër edhe ju keni kontribuar për kultivimin e këtij vulgariteti. Nuk është koha të përjashtoheni nga jeta e fëmijëve me paragjykimet dhe jetën tuaj të pajetuar. Ju nuk keni patur kurajo t’i bëni disa veprime, që i keni dëshiruar dhe vazhdoni t’i dëshironi heshturazi. Prandaj dhe bëheni nervoz dhe agresiv me fëmijën tuaj. Mos lejoni të përsëritet e njëjta histori dhe me fëmijën tuaj. Është në moshën që duhet të bëjë gabime. Është në moshën që po mëson shijen e dështimit dhe që të mos mbetet i dështuar duhet asistenca juaj. Por jo me sharje, kritika dhe dyshime. Fëmija mendon gjëra të tjera, mos dyshoni fare për këtë. Mendon gjëra që i dikton koha e sotme. Ata kanë ipad e tablet , internet, ndërsa ju edhe televizorin dhe celularin i keni parë kur ishit goxha të rritur.

Ndaj me durim, duke i dhënë të drejtë, që është vetja e tij/saj dhe duhet të vendosë vetë se si duhet të bëhet, e ndihmoni ta shijojë edhe dështimin, por të mos mbetet aty. Shija e të qenit i suksesshëm arrihet kur rritet. Kur mbasi të ketë mësuar në shkollë punët dhe mendimet e të tjerëve do të realizojë punën e tij dhe mendimin e tij. Dhe atëherë do të provojë shijen i të qenit i suksesshëm dhe zot i vetes së tij.

Fëmijë i shëndetshëm është ai fëmijë që i provon të gjitha dhe zgjedh se si do ta bëjë veten e tij. Pra tualeti nuk është thjeshtë ndjellje, por është hapi i parë drejt vetes.

Ju kishte shkuar ndonjëherë mendja ta shikonit me këtë sy? Përpiquni që gjërat ti shikoni nga shumë kënde.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor