Personazh 23 Janar 2020

KTHIM NË SHTËPI; Maria Clara de Rada, e afërmja e rilindësit Jeronim de Rada

Personazh

Zonja e ambasadorit të Brazilit në Tiranë, njëkohësisht numri dy në këtë ambasadë, Maria Clara, deri njëzet vite më parë nuk e dinte për origjinën e saj arbëreshe, aq më pak që ishte e afërmja e shkrimtarit të njohur rilindës, Jeronim De Rada. Si për rastësi, sot është në shërbim diplomatik në vendin prej nga vjen familja e saj...

Si mësuat për origjinën tuaj?

Familja ime është e lumtur që mësoi për rrënjët e saj. Ne jemi pasardhësit e Salvatore De Radës, i cili lindi në Shën Mitër, Kalabri, dhe ishte i afërm i shkrimtarit të njohur rilindës Jeronim De Rada. Stërgjyshi im, së bashku me dy vëllezërit e tij, Agustin dhe Françesko, emigroi në Brazil në vitet 1900. Ishte një komunitet i madh italianësh që emigruan në atë kohë në Brazil, për të gjetur punë. U vendosën në një qytezë të vogël, të quajtur Mina Gerais. Ishte një vend i ngjashëm me atë që lanë pas, por dhe me Shqipërinë. Askush s’e dinte se këta tre vëllezër ishin me origjinë arbëreshe. Gjyshi, i cili ishte vetëm tre vjeç kur i vdiq i ati, e dinte që vinin nga Kalabria e na thoshte gjithmonë: “Im atë fliste një gjuhë që nuk e kuptonte askush”. Mendonim se ishte një dialekt kalabrez. Rreth njëzet vite më parë, të afërmit e mi u kujtuan se në varrezat e qytezës ishin varrosur tre vëllezërit De Rada dhe në pllakën e varrit kishte një mbishkrim në këtë gjuhën e panjohur. Filluam kërkimet për të gjetur se çfarë gjuhe ishte. Italisht nuk ishte, kaq e dinim. I bëmë një foto mbishkrimit të varrit dhe filluam kërkimet. Kur shërbenim si diplomatë në Japoni, kishim një mik, bashkëshortja e të cilit ishte nga ish-Jugosllavia. Dyshonim se mbishkrimi ishte në gjuhën sllave, por ajo e mohoi. I shoqi kishte dëgjuar ndërkohë për arbëreshët e Italisë, prandaj na sugjeroi të provonim këtë pistë. U futëm në forume e faqe të ndryshme të arbëreshëve, sepse asokohe nuk ekzistonin ende rrjetet sociale. Postuam foto me mbishkrimin e varrit e morëm menjëherë mesazhe ku na miratonin se shkrimi ishte në gjuhën arbëreshe. Shumë njerëz nga forumet filluan të më thoshin se De Rada ishte një mbiemër i madh, se mund të kisha lidhje me Jeronim De Radën. Edhe ai kishte lindur në të njëjtin fshat prej nga vinte stërgjyshi im, por neve asokohe s’e dinim, derisa shkuam në Machia Albanese, tre kilometra larg Shën Mitrit, në Kalabri, ku gjetëm certifikatat e lindjes së stërgjyshit e të vëllezërve të tij. Aty morëm vesh se ishim familjarë të Jeronim De Radës. Shkuam të vizitonim Kalabrinë e kur pesë vite më vonë unë dhe im shoq u vendosëm në Budapest me mision diplomatik, erdhëm edhe në Shqipëri. Ishim kureshtarë për të parë rrënjët e mia, vendin nga vinte familja, por pesë vite më parë nuk na e merrte mendja se një ditë do të vinim në Tiranë si diplomatë.

Çfarë kujtoni nga vizita juaj e parë në Shqipëri?

Ishte një përvojë e mrekullueshme. Vizitova edhe bustin e Jeronim De Radës te Kuvendi. Ndonëse qëndruam pak ditë, shkuam në Krujë, e cila na la pa frymë. Ishte një fillim i mbarë i marrëdhënies së bukur që do të krijonim me Shqipërinë. E ja ku jemi tani!

Ishte rastësi që ju caktuan këtu me mision?

Kur morëm vesh se ekzistonte si mundësi, na u duk fantastike dhe shprehëm interes. Kur u hap vendi, im shoq aplikoi, por nuk kishim ndonjë garanci se do të na caktonin këtu. Patëm fat dhe është e mrekullueshme, sidomos për mua.

Punoni edhe ju në ambasadë. Si është të punosh me bashkëshortin?

Nuk është ndonjë gjë e re për ne, pasi në punë jemi njohur. Punonim si diplomatë më shumë se njëzet vite më parë, kur u takuam, por dhe më vonë këtë karrierë kemi pasur. Nuk ka kufizime që pengojnë çiftet të punojnë bashkë, nëse kanë formimin e duhur dhe janë profesionistë në fushën e diplomacisë. Im shoq është shefi i misionit, unë jam e dyta, pas tij. Kemi vite që punojmë bashkë e dimë ta ndajmë anën profesionale nga ajo personale. Kemi qenë bashkë në të njëjtat ambasada në Hungari, Argjentinë apo Japoni.

Cila është natyra e marrëdhënieve mes Brazilit dhe Shqipërisë?

Ka plot aspekte të ngjashme mes dy vendeve. Ngjasojmë në atë që kemi komunitete të shpërndara në gjithë botën. Si për shembull, arbëreshët në Itali apo komuniteti shqiptar në Brazil, i cili është relativisht i vogël (është vendosur në San Paolo). Brazili është i famshëm për komunitetet nga e gjithë bota dhe diversiteti kulturor, ndaj nuk kishte si të mungonte edhe një komunitet shqiptarësh, edhe pse më i vogël në numër. Pastaj është komuniteti arbëresh, i vendosur në Brazil shekuj më parë. Ne si ambasadë po përpiqemi të ndërtojmë ura ndërmjet dy vendeve, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë kulturor. Jemi këtu për të ndjekur tranzicionin e Shqipërisë në një vend demokratik, pas daljes nga komunizmi, si dhe të asistojmë në integrimin në Bashkimin Europian.

Ka shumë ngjashmëri midis Shqipërisë dhe Brazilit?

Nuk e them këtë se jam me arbëreshe, por midis dy popujve ka ngjashmëri të mëdha. Edhe pse kultura këtu është e lashtë, Shqipëria të jep ndjesinë e një vendi të ri, si Brazili. Një shoqëri e re e vibruese, dinamike dhe energjike. Një proces i ngjashëm me atë që përjetojmë në Brazil. Mikpritja është e njëjtë në të dy vendet. Mikpresim, mbrojmë dhe respektojmë të huajt, si shqiptarët. Brazili ngjason me vendin tuaj pak edhe për nga moti, ushqimi, sjellja, zakonet. Shqiptarët, si mesdhetarë, janë gjaknxehtë, njësoj si latinët, si brazilianët. Kanë gjithashtu humor, njerëzit e shijojnë jetën, janë socialë e familja për ta vjen e para. Njerëzit e dielli më bëjnë të ndihem si në shtëpi. Ky vend është i ngrohtë në të gjitha kuptimet, që nga moti e deri te njerëzit.

Dini të gatuani ndonjë recetë shqiptare?

Po përpiqem të mësoj, por akoma s’ia kam marrë dorën. Ndërkohë, ndihem e përkëdhelur nga një shef i shkëlqyer kuzhine shqiptar në rezidencën tonë. Të preferuarit e mi në Shqipëri janë ullinjtë, që këtu janë specialë.

Si ndikoi në identitetin tuaj, pasi morët vesh se ishit me origjinë arbëreshe?

Ka dy aspekte, njëri prej të cilëve është pozitiv. Fare pak brazilianë sot i njohin rrënjët e tyre. Ata janë asimiluar dhe nuk e dinë më se nga vijnë. Është gjë e mirë që të ndihemi të gjithë brazilianë. Në nivel personal ama, për mua është një zbulim i rëndësishëm. Nuk janë të shumtë ata që vijnë nga këto anë, se jemi popull i vogël. Pastaj, është bukur të mësosh se je i afërm i një figure të shquar të Rilindjes, si Jeronim de Rada. Kjo më bën krenare! Unë e babai vendosëm të mësonim diçka më tepër rreth kulturës dhe gjuhës që fliste Jeronimi. Im atë është më i dhënë, edhe sepse ka më shumë kohë në dispozicion. Ka mësuar gramatikën arbëreshe. Kemi qenë dy herë në Kalabri për pak javë dhe kemi ndjekur kurse me një mësuese arbëreshe, për të vrarë veshin, sepse gjithë kohës e kemi lexuar gjuhën arbëreshe, por nuk e kemi dëgjuar dhe s’e kishim idenë se si tingëllonte. Kemi gjithashtu librat e Jeronimit në gjuhën arbëreshe e në italisht. Edhe tani që kemi ardhur këtu, bashkë me tim shoq, po përpiqemi të mësojmë shqip.  

Po fëmijët çfarë mendojnë për origjinën arbëreshe? Shprehin ndonjë interes?

Të gjithë familjen e intrigon ky fakt. Im atë ka qenë i lumtur kur ka ardhur këtu. Një mik madje na çoi në shkollën “Jeronim de Rada”, ku fëmijët recituan poezi të tij dhe ne u ndiem vërtet krenarë. Edhe disa nga kushërinjtë kanë qenë këtu e ndoshta vitin tjetër do të vijnë pjesëtarë të tjerë të familjes.

Nga babai jeni me origjinë arbëreshe. Po nga nëna?

Portugeze. Prapë Mesdhe (qesh). Ndihem me fat për origjinën nga të dy prindërit.

Çfarë pasionesh keni, përpos diplomacisë?

Ajo që më shtyu të bëhesha diplomate, ishte kurioziteti dhe dëshira për të njohur njerëzit, kulturat e tjera. Gjithmonë kam dashur të di si jetojnë të tjerët. Më pëlqejnë njerëzit, të jem rreth tyre dhe të mësoj për ta.

Nga faqja juaj në Instagram bie në sy pasioni për fotografinë.

Është thjesht hobi.

Por në konkursin “Colors of Albania” fotot tuaja u vlerësuan shumë, ama. Nuk është një hobi çfarëdo.

Pjesëmarrja në konkurs ishte kënaqësi e veçantë. Një kolege nga ministria e Kulturës më foli për këtë konkurs dhe nuk ngurrova të merrja pjesë, sepse street art-i në rrugët e Tiranës më ka magjepsur që prej fillimit. E nuk është thjesht “art rruge”, por ato piktura dhe vizatime tregojnë diçka, një histori, kanë një filozofi. Miqtë shqiptarë më thonë: “Ti e shikon vendin tonë nga një këndvështrim tjetër”. Këndvështrimi i një brazilianeje në Tiranë (buzëqesh).  

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor