Personazh 22 Janar 2020

Masazhi Yoga për fytyrën; botoksi natyral pa shpenzime nga Laura Xhaxhiu

Personazh

Nga Zhaklin Lekatari/Nëse dëshiron një trup si Klodiana Shala duhet të shkosh në palestër të bësh disa ushtrime për krahët, këmbët apo muskujt e barkut. Si rrjedhojë, nëse do të bësh të njëjtën gjë me fytyrën do të duhet të stërvisësh muskujt e saj.

"Pikërisht"- thotë Laura Xhaxhiu Face Yoga Coach, (e vetmja në Shqipëri), e  cila është duke përgatitur programe, por dhe trajnime per qytetarët shqiptarë, për të stimuluar 57 muskujt të cilat mbajnë të gjitha pjesët e fytyrës tonë.

Me këtë masazh në forcojmë muskujt dhe largojmë tensionin që ato mund të kenë. Tensioni është ai i cili favorizon shfaqjen e rrudhave,  prandaj me  ketë teknikë masazhi, lëkura fillon e zbutet."

Muskujt që stërviten, jo vetëm që rivitalizohen, por rriten dhe në madhësi, duke favorizuar definimin dhe ngritjen e lëkurës, që na dhuron një pamje më të re. I gjithë presioni apo masazhi me të cilët muskujt e fytyrës përballen, vjen nga gishtat dhe nga teknikat për pjesë të ndryshme si balli, mollëzat, qafa, vijat nazo-labiale, apo dhe mjekra.

Laura thotë që: "Një nga sekretet e masazhit yoga në fytyrë është qëndrueshmëria apo konsistenca. Gjatë një seance masazhi yoga për fytyrën, ne mësojmë teknikat bazë, më duart tona, dhe janë po këto teknika që duhet të përsërisim në shtëpi. Në fillim mjaftojnë 30 minuta ose tre saanca nga 10 minuta. Më pas seancat  e masazheve reduktohen deri në dhjetë minuta në ditë, të cilat mund të bëhen ose në darkë kur vendosim vajin apo kremin e natës, ose duke bërë punët e shtëpisë apo diçka tjetër. Gjithmonë fytyra duhet të jetë e hidratuar dhe e ushqyer para fillimit të masazhit” .

Laura shton që: “Rezultatet varen nga puna individuale dhe personale që secili bën në shtëpi. Ndonëse fytyrat tona janë të ndryshme, rezultatet do të varen shumë edhe nga stili i jetës, regjimi ushqimor apo dhe gjenetika e trashëguar. Sepse në fund të ditës, ne jemi çfarë hamë”.

Masazhi i fytyrës, nxitja e qarkullimit të gjakut apo sistemit limfatik ekzistojnë që në kohët e Kleopatrës, por vetëm në vitin 1710, u botua rutina e parë për fytyrën, nga Jeanne Sauval, një kurtizane franceze në kontakt dhe me Moliere apo Voltaire.

 Sot, procedurat kundër plakjes apo plakjes së hijshme, si filler, botox, baby botox janë të gjitha të parrezikshme, kanë rezultate imediate dhe me siguri nuk do largohet shpejt nga jetët tona. Por masazhi yoga për fytyrën, është natyral, nuk ka toksina, është i sigurt për të gjithë, në kohën që dëshiron dhe pa shpenzime shtesë. Laura Xhaxhiu, trajneria e kësaj disipline është prova më e vërtetë dhe e besueshme.  

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor