Personazh 18 Janar 2020

"Është e bukura e dheut, idhulli im i bukurisë dhe intelektit. Është muza ime" Kujt ia dedikon Jonida këto fjalë

Personazh

NGA ELONA JAÇELLARI; FOTOGRAFIA: EDVINA META

Jonida Maliqi është artiste në të gjitha dimensionet dhe një humane e përulur, paçka se pamja e saj ndonjëherë të bën të lexosh diçka tjetër. Falë dhuntisë për të përqafuar të bukurën, Jonida ka arritur të jetë edhe një ikonë për modën shqiptare. Si artiste, ajo shërben si burim frymëzimi për këdo që dëshiron të mëkojë veten me vlerat e saj. Ajo është një këngëtare e suksesshme, por edhe një njeri që njihet për stilin e saj, një model për botën e modës. Jo rastësisht Jonida Maliqi qëndroi për dhjetë javë në jurinë profesioniste të të parit talent show shqiptar për modën, “Albanian Designers Competition”- it, prodhuar dhe transmetuar në platformën “Tring”.

Në këtë kompeticion, ku moda u servir në një mënyrë që nuk është pare ndonjëherë, Jonida ra në sy për analizat, kritikat dhe vlerësimet e saj, por, mbi të gjitha, për ndjeshmërinë ndaj së bukurës dhe artit të dizajnit. “Kur m’u ofrua ky projekt, isha shumë entuziaste, ngaqë kam qenë fanse e një prodhimi të huaj të ngjashëm me ‘ADC’-në. Versionin amerikan e kam ndjekur ndër vite dhe më pëlqente shumë kjo risi, që të çonte në dimensione të tjera, ku njiheshe së brendshmi me artin e dizajnit. Jam bërë ndjekëse e modës jo rastësisht, por ka ndikuar skena, prandaj e desha këtë format që në fillim. Fillimisht ka qenë ime motër ajo që më ka mëkuar me të bukurën dhe më ka nxitur drejt modës. Ajo është gjashtë vjet më e madhe dhe është e bukura e dheut. Ka qenë idhulli im i bukurisë dhe intelektit. Është muza ime.

Duke u rritur me një imazh të bukur në familje, ëndërroja që në të ardhmen të bëhesha edhe unë si ajo, edhe pse nuk ngjajmë fare. Ajo është bionde me sy jeshilë, krejt ndryshe nga unë.

"Unë jam mbështetëse fanatike e brezit të ri. Kam pasur përvoja nga më të çuditshmet, me emra që kanë bërë revolucion në fushat e tyre, por që nuk e mbështesin brezin e ardhshëm. Nuk do të doja kurrsesi të isha një prej tyre. Nuk duhet të harrojmë nga kemi ardhur, rrugëtimin tonë dhe pengesat e mëdha me të cilat jemi përballur. Personalisht, u jam mirënjohëse të gjithëve atyre që kanë besuar tek unë, si në muzikë, edhe në modë. Nuk më pëlqen mendjemadhësia dhe më vjen keq kur, ndonjëherë, njerëzit më etiketojnë si të tillë. Unë jam shumë e përulur dhe më pëlqejnë artistët me vlera njerëzore.” Jonida është nga ato vajza të cilave moda u vjen krejt natyrshëm.

Është nga ato pasion-bekime që ia ka dhuruar jeta dhe me dashuri e mençuri, këngëtarja e ka shndërruar edhe në biznes. Pas gati një dekade me dyqanin e saj të këpucëve, tashmë sipërmarrjen e saj ajo e ka shkrirë në “Delirium”, një biznes mode të cilin e ndan me fashion blogeren e njohur, Armina Mevlani. Si sipërmarrëse në këtë fushë, ajo e ndien nën lëkurë mundin që nevojitet për të bërë art të vërtetë në dizajn dhe në modë. Këtë e ndau edhe gjatë javës që iu desh të bashkëpunonte me stilistët e “ADC”-së për të realizuar veshjet e këtij editoriali, ku veshja fituese e javës së gjashtë të kompeticionit, është ajo që Jonida mban në kopertinë.

VESHJET: STILISTËT E ADC-së

MAKE UP ARTIST: SUELA ÇANGU

HAIRSTYLES: DANIELA KAPO

DEKORI: ELVIN MINAJ

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor