Personazh 16 Janar 2020

"Dikur bënim 2 këngë, tani bëjmë 30" Ghetti Geasy rrëfen suksesin e 22 viteve karrierë

Personazh

Intervistoi Zhaklin Lekatari/Fotografia Armand Habazaj

Getoar Selimi ose Ghetto Geasy, siç e njohin të gjithë dashamirësit dhe fansat e tij, është hip-hop artisti më i dashur i trojeve shqiptare. Nëse ka diçka për të cilën ne, por dhe antagonistët e tij, duhet ta falënderojmë Getin, është kapitalizimi apo utilitarizmi që diti të zhvillojë. Pra, muzikë e re, e panjohur, e konvertuar në fitime të vërteta. Një treg i ri, për qindra artistë, kur përdoren veshjet e gjera, tekstet ngacmuese dhe video sensuale.

Kam pasur fatin ta njoh Getin prej më shumë se një dekade, por intervista me të ishte e vështirë. Ai është jo vetëm shumë i angazhuar, por shumë i apasionuar dhe detajit në çdo punë apo projekt që realizon. Suksesi i tij 22-vjeçar në zenitin e VIP-ave shqiptarë, është plotësisht i merituar, i fituar me djersë, pasion dhe shumë dashuri, prandaj jam e lumtur që këtë rrëfim për suksesin, jetën, muzikën, dashurinë dhe pasionet e veta, ai e ndau me Living.

Geti, dua ta nis bisedën tonë nga karriera; sa vite punë të suksesshme numëron?

22 vite karrierë. Në fakt, ajo filloi të bëhej më serioze, prej vitit 2000 apo 2001, megjithatë fillesat, i ka para luftës në Kosovë. Në atë kohë kam qenë fëmijë dhe ka qenë më tepër një sprovë apo pasion imi. Pastaj fillova ta ktheja në stil jete dhe mori një formë tjetër.

Në gjithë këto vite krijimtari, kanë ardhur dhe kanë ikur shumë, ndërkohë që ti ke qenë aty, në panteonin tënd. Si të duket tregu i sotëm i muzikës?

Kur dikush arrin në një pikë të jetës profesionale dhe kur e bën prej kohësh një punë, nuk i duhet më aq kohë sa në fillim. Tanimë nuk punoj sa në ato fillime, sepse disa gjëra bëhen rutinë dhe e di me sy mbyllur ç’do të bëj. Kjo është dhe përparësia e jetëgjatësisë së muzikës sime. Tani eksperiencën time e ndaj me Majkun apo me Onatin (bashkëpunëtorët e mi), sepse edhe unë i kam kaluar ato faza dhe jam sprovuar. Pra, edhe pse kohërat ndryshojnë, disa gjëra mbesin të njëjta. Rregullat dhe loja janë po ato, të mos them që kohët e fundit gjërat po kthehen pas. Për shembull, mendoj se muzika ka evoluar shumë, ka më shumë artistë, më shumë përparësi për artistët dhe talentet e reja, por sipas meje, muzika në përgjithësi është më pak cilësore. E shoh edhe te vetja, që nuk shkruaj më tekstet e para shumë viteve dhe jo sepse nuk mundem, sigurisht, sot mundem më tepër, por publiku sot do krijime më të thjeshta, më shumë sasi, sesa cilësi.

Duan më tepër krijime, më tepër këngë dhe prodhimtari. Për shembull para 6 apo 7 vjetësh bëja dy këngë në vit, i krijoja me shumë pasion dhe dëshirë dhe janë këngë që dëgjohen edhe tani, kurse sot, artistët krijojnë 30 këngë në vit, sepse nuk mbijetojnë dot në treg vetëm me një krijim. Edhe nëse kënga është shumë e mirë, konsumohet shpejt. Pastaj të mos harrojmë periudhën e verës, e cila është e pasur me krijime të reja, dhe krijohet një situatë e rrëmujshme. Sa më përket mua jam përpjekur të ruaj një balancë gjithë jetën, ndonëse krahasuar me të tashmen, realizoj pak këngë. Gjithsesi, mundohem t’i përshtatem pritshmërive të njerëzve kah meje, përpiqem të jem Geti i vjetër, por brenda kornizave të mia, të rinovohem, të jem një Get i ri.

Pastaj duhet të jesh edhe i qëndrueshëm dhe kjo është më e vështira. Problemi më i madh është se në këtë industri konsumohesh, ndaj duhet të jesh produktiv, por kur bëhesh pikërisht i tillë situata komplikohet, sepse rrezikon të përsëritësh veten. Sa më shumë të punosh, të kesh materiale apo këngë, aq më shumë mundësi ke për t’u përsëritur, sepse përsëriten fjalët, rimat dhe gjithçka tjetër. Këtu qëndron dhe vështirësia, pasi duhet të jesh i freskët dhe vetvetja. Megjithatë, mendoj se nuk ka asgjë të parealizueshme kur njerëzit të duan për atë që bën. Kjo është një këshille që ua jap edhe atyre që kam pranë: duhet të arrish në një pikë ku njerëzit të të duan si artist dhe si rrjedhojë, do të duan dhe krijimtarinë tënde dhe jo vetëm një këngë. Nuk mund të varesh nga një sezon, një album apo nga një trend i momentit. Artisti duhet ta sjellë trendin; kjo duhet arritur. E për të realizuar këtë, duhet të njohësh veten, të dish të mirat dhe të këqijat, gabimet apo vlerat e vetes. Duhen pikasur vlerat për të cilat njerëzit të duan dhe ato që të bëjnë ai që je. Mendoj se i kam evidentuar këto te vetja dhe deri tani më ka rezultuar e suksesshme, pra e di se për çfarë më duan, dhe përpiqem ta ruaj. Nga ana tjetër mundohem të sjell edhe risi, të cilat unë i shoh si të tilla.

Shumë artistë të famshëm sot, janë të tillë sepse kanë pasur një mbështetje dhe një promovim të madh nga ty, në fillimet e karrierës së tyre.

Në përgjithësi njerëzit duan sukses, arritje dhe pasuri që fitohet shpejt. Po ta analizosh nga jashtë, nuk është keq të duash ta kapësh majën shpejt, por gabimi qëndron te rruga që ndjek për të arritur atje. Gjithmonë jam përpjekur t’ju tregoj artistëve që nuk qëndron problemi te një bashkëpunim me mua, por çfarë do të bëjnë pas tij. Pra, siç i themi në Kosovë, “gjetonin e fundit e harxhove të parin”. Për mua ky është gabim i madh dhe jo zgjidhje. Jam munduar t’i këshilloj këta artistë dhe mendoj që gjërat duhet të ecin ngadalë dhe të sigurta. Ka pasur raste që kam bërë marrëveshje për artistë të tjerë, për shuma goxha më të mëdha nga sa jam paguar vetë, ndërkohë që sot ata nuk dëgjohen më. Me këtë dua të them që gjithë aktiviteti dhe koncertet e mia, kanë ardhur gradualisht, që të mos kishte kthim pas. Ka pasur raste të tjera kur mund të paguhesha pesëfishin e shumës që merrja, por nuk kam dashur të abuzoja, kryesisht për vete, sepse doja të ecja me hapa të ngadaltë dhe të sigurt, e mbi të gjitha që të mos  kishte kthim pas. Artisti i vërtetë duhet të arsyetojë, të jetë vetvetja, i fortë dhe i sigurt.

Si e imagjinon të ardhmen në muzikë?

Për mua hip-hopi nuk është vetëm muzikë apo art, është stil jete. Unë jam rritur dhe kam krijuar gjithçka me këtë stil jete, kam jetuar, jetoj dhe do të vazhdoj ta bëj kështu, sepse kështu jam. Në periudha të ndryshme ky stil jete mund të transformohet në mënyra të ndryshme, por thelbi do të mbetet gjithmonë i njëjtë. E kam shumë të vështirë të mendoj të bëj diçka tjetër, që nuk ka lidhje me këtë që bëj. Gjithnjë përqendrohem në atë ç’ka bëj, nuk jam edhe këngëtar edhe instrumentist. Përqendrohem përherë në një pjesë, sepse mendoj që po e zhvendosa vëmendjen diku tjetër, do të lë diçka mangët ose nuk do ta bëj di duhet. E punën që bëj nuk dua ta bëj ndryshe. Ka pasur çaste kur kam menduar që të bëj edhe gjëra të tjera, por prapë nuk dua të shpërqendrohem, pasi edhe puna më ka ecur mirë. Kështu, ia kam lënë gjithçka kohës dhe projektet e reja dhe të ndryshme, të vijnë kur të jetë vakti.

A ke nostalgji për të kaluarën, për ato fillime?

Secilin nga ne e merr malli për kohët e vjetra, por periudha jonë nuk krahasohet me ditët e sotme. Artistët e parë të hip-hopit, kanë qenë nga gjeneratat e para në botë të kësaj rryme. E gjithë ajo periudhë ka qenë krejt ndryshe nga tani. Ne i takojmë një kohe tjetër, ku dukeshim si alienë me ato pantallonat e gjera. Kemi qenë rreth 50 apo 100 vetë në gjithë Kosovën. Ata ishin këngëtarët, ata ishin dhe publiku, se aq kemi qenë. Kemi qenë po ata në koncert në Pejë, apo në Prizren. Por edhe kjo ka pasur bukurinë e vet. E vetmja gjë që nuk më pëlqen sot, është se dikush mund të mbivlerësohet kot, dhe shumica janë të mbivlerësuar. Nuk e them sepse i kam inat, sidomos të rinjtë, por kjo është e vërteta. Sot këngët bëhen me një PC, dikush mund të mendojë se është kompozitor apo producent; pra, i vendos vetë emrat që dëshiron. E njëjta gjë ndodh dhe me artistët që vjedhin disa shprehi, muzikë, e me raste merret edhe vesh që kënga është e vjedhur, dhe njerëzit prapë e pëlqejnë. Për shembull, gjatë gjithë karrierës sime, jam munduar me mish e me shpirt të mos përdor asnjë fjalë serbe në tekstet e mia.

Por kjo është e vështirë, sepse shumë fjalë që përdorim mendojmë që janë shqiptare, ndërkohë që nuk është kështu, kjo gjë më ka ndodhur dhe këtu në Shqipëri. Megjithatë, këto detaje që njerëzit nuk i vërejnë, pasi janë vendime personale, të cilat i kam ndërmarrë sepse i tillë jam. Diçka tjetër e rëndësishme për mua, ka qenë dhe realizimi i rimave, apo mos përdorimi kuturu i fjalëve vetëm për të rimuar. Nuk ndryshoj dot fjalën ose rrokjen vetëm pse më rimon. Këto janë principe të miat, por që njerëzit nuk i vërejnë dhe as nuk e kanë problem. Për shembull në këngën “Ajo”, mund të përfshija një varg tjetër, me fjalë të tjera, por ama ajo këngë edhe sot identifikohet me vargun “të lagi me shampanjë”; pra, ka një arsye pse zgjedh një rimë, vijë muzikore apo edhe tekst të caktuar. Janë të gjitha vendime të qëllimshme. Poezia dhe muzika dallojnë, por hip-hopi është edhe poezi edhe muzikë.

Shënim: Intervista e mësipërme është shkëputur nga numri i fundit i revistës "Living", të cilën e gjeni në të gjitha pikat e shitjes.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor