Personazh 11 Janar 2020

Rudi Himzo: Suksesi fillon nga mënyra se si sillesh me veten

Personazh

Nga Zhaklin Lekatari

Rudin e kam njohur gjatë një audicioni në radio, të cilin nuk fitova. Më pas takimet tona janë zhvilluar  në panele të ndryshme televizive, si të ftuar për tema “pikante”. Nuk besoj se kemi pasur simpati reciproke, por panel pas paneli, debat mbas debati, sikur gjetëm disa pika komunikimi. Emisioni i  tij MotorPlus ( me humor të mprehtë, tipar i njerëzve inteligjentë) dhe kjo intervistë, vërtetojnë dhe njëherë shprehjen: “ gjërat nuk janë ashtu siç duken”.

Edhe Rudi nuk është ashtu siç mund të duket, ose siç më dukej. Ndoshta duket pak arrogant, sardonik, apo kontrovers, dhe në fakt dhe është, por njëkohësisht është shumë i mprehtë, empatik, inteligjent,  me këmbë në tokë dhe i vetëdijshëm. Unë bisedën me të e nisa nga Motor Plus, një format i ri dhe argëtues mbi botën e makinave që transmetohet çdo  të dielë në ora 20:10 në Vizion Plus.

Rudi, më trego më shumë për Motor Plus, je i apasionuar mbas makinave dhe motorave ?

Pasioni për makinat, ka qënë prezent edhe te unë si te  çdo fëmijë i vogël. Gjithashtu informacioni, apo përvetësimi i tij është një tjetër pasion i madh, dhe një nga këto tema mbi të cilat kam lexuar shumë, ka qënë bota e motorave dhe makinave. Në të kaluarën kam prezantuar formate të ndryshme, shoë apo emisione të përditshme satirike, dhe duke parë që kisha provuar gati gjithçka, doja që në këtë fazë të jetës, të provoja një projekt që nuk është bërë në Shqipëri, që nuk ekziston. E vendosa veten në një sfidë të re!

Unë jam një fan shumë i madh i Top Gear ( një TV shoë me 19 sezone),  dhe kur e shikoja këtë emision nuk shihja një program që i dedikohej makinave, por një emision që i është dedikuar lifestyle-it në raport me makinën. Makina është një mjet i përditshëm i jetës sonë. Ne të gjithë udhëtojmë më makinë ose me motor dhe përpos transportit është një mjet pasioni, sporti, dëshire dhe individualizmi.  Në këtë sens unë jam një njeri që e ka qejf, adrenalinën dhe shpejtësinë, pra gjeja element të motor sportit te vetja ime, sikurse gjeja dhe të nevojshëm ta shikoja të trajtuar këtë industri gjigande që përfshin gati të gjithë njerëzit. Nuk ekziston diçka e tillë në televizionet tona.  Ka pasur disa tentativa në të kaluarën,  dy tre projekte të realizuara, por sigurisht është një emision shumë i vështirë në realizim, sepse është i gjithi në terren,  sepse duhet të sigurosh vazhdimisht makina të ndryshme, por dhe te forma e prezantimit, sepse nuk ke një shembull në Shqipëri. Duhet ta krijosh nga fillimi mënyrën si do ta trajtosh. Të gjitha këto vështirësi u kthyen në shtysa shumë të mira për të ecur dhe për ta  realizuar.

Një vendim tjetër që mora, ishte bashkëpunimi me dy profesionistë, që sollën kredibilitetin që pasioni im nuk mbulontë dot i vetëm. Dy njerëz të respektuar në komunitetin e makinave, Dori dhe Taso, të cilët i sjellin emisionit seriozitet dhe teknikalitet, por nga ana tjetër duke ruajtur idenë kryesore që makina mos të trajtohet si mjet. Eksperienca ime në media, karakteri im: një njeri origjinal, i vërtetë, satirik dhe ironik, bashkë me dy ekspertët, të shkrira në një format ku publiku do shohë dhe përjetojë, situata jashtë studios, duke prekur gjeografikish Shqipërinë dhe njerëzit, krahas asaj dhe mjeteve.

Është fillimi  dhe nuk po realizoj dot atë që dua, ndonëse nga java në javë po fitoj shumë eksperiencë, komente pozitive dhe falenderime për jetësimin e një formati të tillë.

A ka një lloj skepticizmi rreth identifikimit më një format kaq profesional ?

Sigurisht që ka një lloj skepticizmi për identifikimin në një emision kaq specific, është një drejtim krejt tjetër nga ajo që mund të kisha imagjinuar disa vite më pare,  që ishtë prezantues i një formati si  “ Late Nigt Show”. Ajo që më bën të shtyj veten të jem më i mirë dhe të pranoj çdo lloj vështirësie është të bëj dicka që vërtet e ndjej dhe pëlqej. Ajo çfarë pëlqej vërtet në punë që bëj, është të jem origjinal. Sigurisht me pak eksperiencë më shumë  Motor Plus do të jetë një shoë jetëgjatë dhe në nivele të larta,pra të jetë një shoë që do të përmbajë lifestyle dhe jo mjete. Mjetet shërbejnë për të folur për jetën dhe jo jeta për të folur për mjetet. Unë dhe kolegët kompletojmë njëri-tjetrin sepse për ata është më e vështirë pjesa e prezantimit dhe biseda para kamerës. Ironikisht njerez që ecin me 300 km/h pa ju dridhur qerpiku, ju merret goja sa ndizet drita e kuqe e kamerës. Formati që ne ëndërrojmë është Top Gear, shoë më i ndjekur i të gjitha kohërave, por ajo që i bënte prezantuesit  aq të mirë ishte ndjesia dhe emocioni që ata merrnin dhe si rrjedhojë trasmetonin. Nuk ishte mjeti, por situatat që mjeti mund të krijojë, sepse mund të jesh taksist, apo shofer ambulance, pilot garash, mund të jesh i shpejtë apo i ngadaltë. Të gjitha këto janë ndjesi që ti merr gjatë udhëtimit me makinë, dhe këtë dua të pasqyroj, prandaj emisioni ka humor, ironi dhe paralelizma me jetën e përditshme.

Si zhvillohet dita jote përpos angazhimit në Vizion Plus me Motor Plus ?

Në fakt unë jam aktivizuar përsëri në radio, më erdhi një propozim nga Edi Oga, një ftesë. Unë gjithë raportin tim me median e kam nisur në radio, dikur Kiss Fm me Gerta Heta. Kjo është bërë shkas që unë të jem në media, sepse studimet I  kam përfunduar për menaxhim, dhe në fakt kam qënë i punësuar në këtë sektor. Ishte Fatma Haxhislami, që më tha që me karakterin që kisha, tiparet apo zërin, mund të punoja lehtësisht në radio. Kështu,  pata kontaktin e pare me median, më pëlqyen,  dhe nisa punë  në Radio Travel, pastaj isha në Mad radio, dhe aty nisi çdo gjë.  Në fakt, para propozimit, prej  një periudhe të gjatë isha shkëputur nga radio, sepse nuk kisha më energji për të dhënë, nuk kisha më asgjë të re për të dhënë. Radio është më e vështirë se TV sidomos nëse është e përditshme, sepse nuk mund të përgatitesh për radio. Ajo është reflektimi i asaj që je,  është përjetimi i një eksperience jetësore dhe një dëshirë për ta trasmetuar diku tjetër.  Propozimi nga Edi Oga, mbas tre vite shkëputje, ishte si  një déjà vu për mua. Por Edi, është një personazh për të cilin unë kam shumë respekt, e vlerësoj shumë sensin e tij të humorit, e simpatizoj si qënie njerëzore, prandaj e pranova propozimin me kënaqësinë më të madhe.Ndihem shumë mirë në këtë porjekt sepse më jep mundësinë të flas për gjithçka. Është një emision i lirë ku shpreh çfarë të dua. Unë kam një natyrë ku e kam të nevojshme të bashkëveproj, të dëgjohem, prandaj për mua është një vend shumë i mirë për të dëgjuar dhe për të marrë kritika pozitive.

A ke marrë kritika?

Po,  patjetër që kam marrë, megjithatë unë kam përshtypjen që njerëzit pëlqejnë mënyrën se si jam. Pëlqejnë faktin që kam mundësi të analizoj thellë,  por ta mbaj butë bisedën. Te jesh në makinë e të dëgjosh dikë që të flet është një kohë e shkurtër nga jeta jote, o para se të shkosh në punë ose mbasi ke dalë nga puna. Unë nuk jam mëndjelehtë dhe nuk kam dëshirë të flas budallalliqe, por nga ana tjetër nuk dua të lodh njerëzit që më dëgjojnë për 20-30 minuta, se kaq janë distancat në Shqipëri, dhe të gjithë nevojën time për të qënë një mendim kritik mundohem që ta shpres në një formë më të thjeshtë dhe gazmore. Të flas për fenë dhe mos bëhem kritik dhe ta kaloj të gjithë mendimin më një batutë. Ky është qëllimi.  Besoj që njerëzit më pëlqejnë për origjinalitetin dhe për këtë mundësi që iu jap, ndoshta jo për tu gajasur, por me siguri të dhuroj  një buzëqeshje, ose një klik për të menduar diçka që nuk e kishe menduar. Pra, një largim nga e përditshmja, por ky është dhe qëllimi i radios, të arrijë të të japë një buzëqeshje. Mendoj që dhe me Edin duhet të kolaudohet projekti,  sepse në atë radio ka më shumë  stil më italian, me biseda të gjata, unë kam stil  amerikan, me ritëm,  por mendoj që jemi në rrugën e duhur. Mendoj se kompletojmë njëri- tjetrin,  ndonëse kemi  një diferencë moshe pothujse 20 vjeçare, gjejmë kimi dhe tashmë jam i kënaqur.

Pra 2019 për ty ka qënë një vit ndryshimi, me projekte të reja por pothuajse në fund të vitit ?

Viti 2019 për mua po mbyllet me dy projekte, është një vit i mbushur. Tashmë nuk kam shumë kohë të merrem me veten si në pjesën e parë të vitit. Para se të nisja këto projekte, ka qënë një dedikim ndaj vetes. Në fillim  ka qënë dëshira për t’u larguar nga një abuzim që kisha me alkolin, nuk po kuptoja se sa abuzoja me shëndetin. Fillova ta marr më seriozisht këtë gjë, nuk dua ta marr të mirëqënë shëndetin. Fillova ta kuptoj, si pasojë e një problemi jetësor. Flija vonë dhe si pasoje çohesha vonë, dhe nuk kisha fare energji. Shpenzoja para dhe kohë kot, kisha ngelur në një vorbull, që më krijonte shqetësim.

Në fillim të vitit, kur fillon mendon ato propozimet e mira dhe ndryshimet që do bësh-  i thashë vetes pse këtë vit mos bëj diçka ndryshem? Frymëzimi im ka qënë  Jordan Peterson.  Ai ështe vërtet një njeri inspirues për mua, një formë për të marrë përgjegjësi.  Një formë për të marrë më shumë përgjegjësi për veten. Silluni me veten apo thojini vetes atë që do t’i thonit shokut apo shoqes tënde të ngushtë. Gjërat janë shumë të thjeshta, thjeshtë ne e mbulojmë më shumë emocion jetën tonë. Gjërat janë praktike, çohu në mëngjes, bëj palestër, nise me hapa të vegjël, çohu më herët, ushqehu më mirë. Mendoj se jo vetëm ai, por disa individë dhe leximi i autobuografive ishte një formë shumë e mirë për të krahasuar stilin tim të jetës dhe për të kuptuar që suksesi fillon nga mënyra se si sillesh me veten tënde.

Në këtë sens u bëra shumë radikal,  largimi nga alkoli ishte një proçes më i vështirë se sa prisja, paskam qënë më i alkolizuar se sa mendoja, por e largova totalisht. Duke larguar alkolin fillova të kërkoj të humbas dhe peshë sepse isha 95 kg. I thashë vetes: pse mos shkoj në peshën që kisha më parë ? “ Kështu që vendosa të ndryshoj regjimin ushqimor, pastaj thashë pse mos bëj dhe pak sport. Kështu fillova ecjen, pastaj fillova hiking, vrap dhe palestër. Kështu në krye të tre katër muajve u ktheva në një qënie të disiplinuar duke bërë dy herë në ditë sport. Pasi arrita të shkoj  nga 95 kg në 72 kg , kuptova që shkaku i pakënaqësisë time, në raport me jetën nuk ishtë mbipesha. Kuptova që nuk do më jepte  kënaqësi pesha ideale apo muskujt e barkut, por puna. Ishin objektivat që doja ti vendosja vetes dhe çfarë doja vërtetë të provoja. Por,  diferenca ishte që nëse deri para dy vitesh doja të bëja gjëra, por nuk merrja përgjegjësi, tashmë isha një qënie më e kulluar dhe e shëndetshme për të përballuar orë më të gjata pune.  Duke displinuar veten në këtë formë, disiplinova veten që të jem më punëtor, që të punoj më gjatë dhe që ti lejoj vetes që të bëj dy punë. 

Ky për ty ka qënë viti i rilindjes ?

Po, mund ta quash ashtu. Njerëzit rriten në një botë ku flitet vetëm për të drejta dhe jo për përgjegjësi. Çështja është që jo të gjithë janë të barabartë, jo të gjithë meritojnë të njëjtën gjë, jo të gjithë janë thjeshtë viktima bullizmi. Mendoj se arroganca, lufta, agresiviteti dhe  përballja kanë për të qënë gjithmonë. Jeta nuk është e lehtë, jeta është e tillë. Nuk ke për të marrë të drejta pa i merituar ato. Njerëzit rriten aq shumë me parimin të të merituarit të gjërave, saqë në të vërtetë nuk rriten kurrë. Kur je i vogël jeton më atë idenë që askush nuk prêt asgjë prej teje, por kur bëhesh adult gjërat ndryshojnë. Nëse vazhdon me piter panizma, njerëzit do të presin shumë gjëra prej teje dhe nuk kanë për të toleruar faktin e iluzionit tënd të të merituarit të drejtat, dhe përballja, ka për të qënë e tmerrshme. Sidomos nëse je në të 30tat. Por  nga një anë, më mirë 30 vjec se sa kurrë. Pra, gjithë kjo fazë, më bëri që të arrij në një moment ku isha shumë strik me veten, nga ana tjetër humba një element të rëndësishëm, veten. Në proçesin e bërjes së vetes time një qënie shumë perfekte, humba veten, dhe bashkë me shumëtë këqija, fillova të hiqja dhe shumë të mira. Prandaj mbasi fillova të gjej stilin e vjetër, mbasi fillova të gjej  një kombinim midis të dyjave, atje fillova të gjeja humorin dhe veten. Ky rithimi i humorit dhe vetes erdhi dhe mbas kthimit të disa kileve. Se kur je në vetëmohim të vazhdueshëm, humb dhe veten, sikurse unë që e humba bashkë me 23 kg në  4 muaj. Të qënit i shëndetshëm dhe vital ka shumë rëndësi, por ndonjëherë dhe duhet ta shkelësh rregullin, mendoj se është ekuilibër e gjitha. Ne e dëgjojmë gjithë jetën fjalën ekuilibër, por sipas meje duhet të provosh të nxehtën dhe të ftohtën që të kuptosh të vaktën. Pra, duhet të kalosh dy esktremet që të kuptosh ekuilibrin.

Po nëse kalojmë në sektorin e ndjenjave?

Nuk ka njeri në jetën time, nuk jam i dashuruar. Nuk ekziston askush sepse jam marrë shumë me veten për të pasur dicka me dikë tjetër. Nuk do të doja që dikush të më njihte ose ta njihja në këtë proçes tranzicioni kaq të theksuar, sepse nuk dija kush isha, jo më të njihesha më dikë. Më pëlqen të mendoj që mund të duash një njeri dhe të dëshirohesh nga shumë. Unë jam shumë konservator ose të paktën dua të jem. Jam një dashamirës  shumë i madh i familjes, mendoj që është një pjesë shumë e rëndësishme e njerëzve, të trashëgohen. Unë bëj pjesë në një familje tipike mesatare shqiptare, me dy prindër që kanë vënë gjithmonë familjen në krye dhe shpesh herë kanë mohuar veten ose kënaqësitë e vetes. Ne kemi qënë familje me një njollë në biografi, që na ka kushëtëzuar shumë, megjithëse e dëgjoj shpesh  fjalët “familje kulakësh” ne  realisht kemi qënë të tillë. Prindërit e mi, bashkë më familjen dhe fisin janë masakruar nga sistemi i atëhershëm, më njerëz të vrarë e të burgosur. Është një shprehje e profesorit Elvis Hoxha, që respektoj shumë, “ ai që ka qënë ka për të qënë gjithmonë, ai që s’ka qënë, s’ka për të qënë, dhe sikur të jetë nuk do ti ketë hije, por dhe sikur ti ketë hije, nuk do të ketë jetë.” Njoh shumë shembuj njerëzish të pasuruar dhe që e kanë përfituar pushtetin shpejt, por as i ka hije e as nuk kanë jetë. Kam përshtypjne që fisi ose origjina ime, ka qënë dikur, por ia mohuan, por nuk e zhveshën dot dëshirën e të qënurit, jo në qëndër të vemendjes, por për veten tonë. Ne e dimë shumë mirë nga vimë, dimë shumë mirë ku duhet të shkojmë. Rruga për ne ka qënë shumë e dhimbshme, sepse kemi qënë emigrant në Greqi, dhe kemi vuajtur emigracionin. Unë jam një viktimë e bullizmit për një periudhë të gjatë të jetës time. Disa grekë, nuk e perceptonin në vitin ’91, një çun që quhej Rudi. Ishte një emër qeni për ta. Unë kam ikur atje në moshën tre vjeçare, dhe kam jetuar 15 vite.

Kjo eksperiencë  më ktheu në një bullist, sepse jam shumë natyrë e ndjeshme, por dhe krenare dhe kjo më bënte që të reagoja. Nëse në  fëmijërinë e hershme vuaja, adoleshenca ishte komplet e kundërta. Pra, isha unë qendra e vemendjes, isha unë tipi i shkollës, isha unë njeriu që i shkaktoja qarje dhe dhimbje njerëzve. Isha ktheyr në një qënie agresive dhe egoiste. Grimca të së cilës i kam dhe sot. Shkak për një peirudhë ankthi të gjatë në jetën time besoj se ka qënë kjo dhumbje. Megjithatë si unë, si familja ime që ka vujatur shumë, arritëm të rikthehemi ku na takonte, pra përsëri kulekër u bëmë. Sigurisht nuk jemi të pasur sa të mos dimë ku i çojmë paratë, por kemi një jetë të mirë dhe të kënaqshme. E kemi nisur nga zero dhe u kthyem me biznes, me njerez të nivelit që na përkiste gjithmonë. Në këtë sens jam shumë krenar për mënyrën se si erdhën gjërat, jam i vetëdijshëm për atë që  kanë bërë prindërit e mi. Ata janë një shembull shumë i mirë për mua.

 Në këtë sens familja është elementi më i rëndësishëm për jeten time. Dua të shoh veten të plotësuar por qëllimi im  për momentin, është të jem prezantuesi më i mirë shqiptar; e di që është e vështirë por do ta bëj. Rrugë e vështirë dhe ndonjëherë dhe e shëmtuar, sepse natyra si puna ime duan kohë që të pëlqen dhe pranohen, sepse ndonjëhetë dukem si arrogant, dhe arroganca nuk pëlqehet apo pranohet. Por,  në momentin që njerëzit do kuptojnë që ajo arrogancë nuk është asgjë më shumë se një dëshirë për të ngacmuar dhe për të thënë ndonjëherë dhe ca të vërteta, që dhe duhen thënë jam i sigurt që sitata do të ndryshojë. Sipas meje mund të bësh humor me çdo gjë dhe të flasësh për të vërtetat. Është një personazh në Greqi, Antonis Kanaqis, ka një emision satirik, ata që kanë jetuar atje e njohin; unë kam një kontakt me të dhe këshilla që më ka dhënë ai rreth çelësit të suksesit, është që të jesh vetëvetja. Sigurisht nuk do më pëlqejnë të gjithë për çfarë jam, por siç thotë ajo shprehja: “Më mirë të mos më pëlqejnë për çfarë jam, se të më pëlqejnë për cfarë nuk jam”.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor