Personazh 9 Janar 2020

"Trajneri nuk kishte besim tek unë derisa ia kalova idhullit tim, Klodiana Shalës" historia e suksesit të Luiza Gegës

Personazh

NGA: ZHAKLIN LEKATARI/ FOTOGRAFIA: PIRRO BEATI

Isha shumë e emocionuar që do të takoja Luizën. Unë jam një person që merret me sport, e do sportin dhe kujdeset për mirëqenien e trupit, por kjo ishte hera e parë që do të takoja një kampione të vërtetë. Luiza Gega është sportistja më e mirë e atletikës shqiptare, një kampione që pavarësisht nga vështirësitë me të cilat i është dashur të përballet, ka arritur ta përfaqësojë me dinjitet flamurin kombëtar në çdo aktivitet sportiv të rëndësishëm europian e botëror. Në takim, ajo ishte veshur thjesht, por me shumë kujdes. Bizhuteritë dhe aksesorët ishin kombinuar bukur me njëritjetrin, por ata që binin më shumë në sy, ishin vathët dhe varësja me simbolin e lojërave olimpike. Gjatë intervistës, zbulova se ajo ishte e apasionuar mbas veshjeve, veçanërisht atyre klasike. Përtej kësaj, ishte siç e kisha imagjinuar: e thjeshtë, e çiltër, e sigurt dhe e dhënë pas sportit.

Rrugëtimi sportiv i tridhjetëvjeçares Luiza Gega ka nisur në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Ajo thotë se ka qenë gjithmonë një fëmijë i lëvizshëm. Familja e saj është nga Dibra, por pas rënies së diktaturës, si shumë familje të tjera shqiptare, edhe ata u larguan prej andej, kur Luiza ishte vetëm dy vjeçe, dhe u vendosën në Durrës për një jetë më të mirë dhe me më shumë mundësi. Ata janë pesë fëmijë, katër vajza dhe një djalë, të gjithë të mbarë, të edukuar dhe të përkushtuar për t’u rritur profesionalisht. Gjatë bisedës sonë, Luiza e përmend shpesh familjen, çka tregon se ajo është mbështetja e saj më e madhe.

Luiza e fillon tregimin e saj duke kujtuar garat e vrapit gjatë fëmijërisë, ku dilte gjithmonë e para. Edhe tri motrat e saj më të mëdha ishin gjithashtu të shpejta dhe dilnin gjithmonë të parat. I pari që e vuri re talentin e saj, ishte një i afërmi i tyre, burri i tezes, i cili ishte trajner, dhe e ftoi të stërvitej pas shkolle. Luiza, që në atë kohë ishte në klasën e tetë dhe një vajzë që i pëlqente të vraponte, të argëtohej e të dëfrehej, pranoi menjëherë. Ajo u është mirënjohëse prindërve që jo vetëm nuk e penguan, por, përkundrazi, e nxitën që të ndiqte ëndrrat, edhe kur ato ishin të zbehta e të paformuara mirë. Talenti i saj doli në pah që në krosin e parë kombëtar të organizuar te Liqeni Artificial, ku ajo fitoi. Ishte ajo fitore që nxiti dashurinë e madhe për atletikën, ndonëse në atë kohë nuk e shihte si profesionin e saj. “Isha tepër e vogël për të besuar që e ardhmja ime do të ishte atletika, qoftë si pasion, si profesion apo edhe mënyrë jetese, - thotë Luiza. - Në shkollë ndihesha e përkëdhelur. Pas mbarimit të tetëvjeçares, vazhdova shkollën e mesme sportive në Durrës. Gjatë atyre viteve isha më e mira dhe në garat e organizuara në Shqipëri, dilja gjithmonë e para. Një mbështetje dhe nxitje e madhe ka qenë burri i tezes, i cili ishte trajner aty.“ Studimet e larta Luiza i kreu në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Pikërisht në këtë kohë nisi ndryshimi i madh për të, sepse atletika kërkon përkushtim, disiplinë dhe regjim. “Në atë kohë, trajneri më i mirë ishte Taulant Stermasi, ndërsa si sportiste veçohej Klodiana Shala. Të gjithë donim të ishim si ajo. Edhe unë dhe sportistët e tjerë e shihnim si idhull, sepse ishte sportistja më e mirë në Shqipëri dhe përfaqësonte vendin tonë ndërkombëtarisht“, - shprehet Luiza.

Në atë kohë, ajo merrte pjesë në gara të mesme dhe të gjata, ishte sportiste e mirë, por jo e një niveli të lartë. Kjo edhe për shkak të trajnerit, Taulantit, i cili kishte një ekip të mirë dhe nuk e shikonte Luizën si të ardhmen e atletikës. Ndonëse trajneri nuk punonte sa duhej me të, ajo përmirësohej dita-ditës, çka tregonte se kishte premisa për të qenë kampione. Luiza filloi të thyente rekorde kombëtare dhe renditej e dyta, pas Klodiana Shalës, idhullit të saj. Në vitin 2011, për shkak të një dëmtimi të Klodianës, Luiza përfaqëson Shqipërinë në kampionatin europian në Paris.

“Nuk do ta harroj kurrë atë kampionat. Edhe pse unë isha sportistja më e mirë në Shqipëri, aty dola e fundit dhe me shumë diferencë nga sportistët e tjerë. Atë ditë jam ndier tmerrësisht keq. Unë jam natyrë ambicioze. Atje, për herë të parë, kuptova se ç’do të thotë të jesh sportist i nivelit ndërkombëtar dhe i vura si qëllim vetes të arrija rezultate sa më të larta e të bëhesha një sportiste e shkëlqyer. Ndoshta nuk do të dilja e para, por do të isha një konkurrente e fortë.”

Ai qe një çast kyç në jetën e Luizës dhe Taulantit, trajnerit, i cili e vuri para përgjegjësisë dhe zgjedhjes për të punuar për të qenë një sportiste e nivelit të lartë. “Trajneri me tha se, nëse doja të isha sportiste e atij niveli, duhej të ndiqja me rigorozitet të gjitha këshillat dhe të stërvitesha sipas udhëzimeve të tij. Në atë kohë, vështirësia ime e vetme ka qenë shkëputja nga familja. Ndonëse jetoja në Tiranë, sepse vazhdoja studimet, mbas stërvitjes shkoja në Durrës. Për të arritur rezultate më të mira, duhej të ndryshoja edhe këtë mënyrë jetese. Ne jemi familje e madhe, unë isha mësuar gjithmonë me motra dhe vëllezër dhe ky regjim dhe kjo mënyrë e re stërvitjeje, qe një sfidë për mua.”

Këtu filloi një etapë tjetër për Luizën, e cila nisi të stërvitej fort. Ajo po përmirësohej dhe po përparonte me hapa gjigantë. Sigurisht që në këtë fazë roli kryesor i takonte trajnerit, i cili iu përkushtua më shumë dhe e futi në grupin e sportistëve që stërviteshin fort dhe ndiqnin një regjim strikt. Fjalët kyçe të suksesit të saj janë: pasion, përkushtim dhe sakrificë. Dyshimet e saj apo luhatjet për të hequr dorë nga sporti, kryesisht për shkak të financave të pakta, janë shuar falë ndihmës dhe mbështetjes së madhe të trajnerit të saj. Ky është një sport që ka shumë shpenzime, që nga baza materiale, apo pajisjet që duhen për stërvitje, ushqimet e zgjedhura, suplementet e ndryshme, masazhe, fizioterapi etj. “Ndihesha e frustruar, ngaqë nuk arrija t’i mbuloja të gjitha shpenzimet, por, njëkohësisht, doja edhe të shkëputesha nga familja e t’ia dilja vetë mbanë, prandaj ndihma që më ka dhënë trajneri, ka qenë shumë e madhe.”

Luiza rrëfen se ka bërë maksimumin që të koordinojë nevojat e përditshme me pasionin e saj, sportin. Ajo e dinte se vetëm falë fitoreve dhe çmimeve që merrte, mund të vazhdonte të realizonte planet e saj në këtë drejtim. Ajo ka dymbëdhjetë vjet që stërvitet me të njëjtin trajner dhe të dy koleksionojnë medaljet e shumta që ajo fiton, garë mbas gare, vit mbas viti. Edhe sot, që është një sportiste e nivelit të lartë, e ka të vështirë t’i përballojë të gjitha shpenzimet për t’u stërvitur.

Kur e pyes Luizën se ku stërvitet, ajo thotë se sportistë të nivelit të saj stërviten në vende të caktuara, si në St. Morritz në Francë apo në Afrikë. Është e rëndësishme të stërvitesh në vende që janë shumë lart mbi nivelin e detit, ku oksigjeni është i paktë, në mënyrë që të kesh sa më shumë rezistencë gjatë garës. Ndërkohë, Luiza stërvitet në Korçë, një tjetër vështirësi që e përballon e vetme.

Duke qenë e vetmja sportiste shqiptare e këtij niveli, edhe gjatë trajnimeve të gjata që bëhen jashtë apo brenda vendit, ajo është e pashoqëruar, pa anëtarë skuadre, ndaj duhet të tregohet e fortë dhe të ketë një vullnet të hekurt. “Është një vështirësi e madhe psikologjike, sepse je e shkëputur nga miqtë, familja dhe çdo aktivitet i përditshëm, – thotë ajo. – Askush e nuk kupton sakrificën time. Së pari, sepse atletika nuk është një sport shumë i popullarizuar te ne dhe, së dyti, sepse unë nuk e shfaq si problematikë nëpër intervista.”

Luiza Gega mban rekorde në vrapimin 800, 1500 dhe 3000 metra. Ajo ka fituar medalje në lojëra të ndryshme, europiane dhe botërore, por fitorja e fundit është zeniti i karrierës së saj: vendi i nëntë në kampionatin botëror të atletikës të organizuar në Doha. Rekordin e ri kombëtar e mban pikërisht ajo, me rezultatin 9 minuta, 19 sekonda e 93 të qindtat, në finalen e garës 3000 metra me pengesa.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor