Personazh 9 Janar 2020

Ema Koja Savahl, e preferuara e yjeve të Hollivudit; Filozofia që e mban gjithmonë të re 51-vjeçaren

Personazh

NGA: ELONA JAÇELLARI
FOTOGRAFIA: PIRRO BEATI
MAKE-UP ARTIST: EVA DIBRA

Ajo është stilistja shqiptare që ka veshur Katy Perry-n, Lil Kim-in, Paris Hilton-in, Sofia Vergaran-in, Jennifer Lopez-in, Eva Logoria-n dhe shumë personazhe të tjera të famshme të botës së muzikës e kinematografisë. Ema Koja Savahli është emri i një linje unike veshjesh femërore, fustane që kanë magjepsur Amerikën dhe më gjerë. Përveçse janë magjepsëse, fustanet e Emës kanë diçka të veçantë, që e ndien vetëm kur i mban në trup.

Prej më shumë se dy dekadash, Ema jeton dhe punon në Tokën e Premtuar, ku ka ngritur një atelie gjigante. Tanimë, klientela e saj përfshin njerëz shumë të pasur e të famshëm. Veshjet e Emës janë magjepsëse jo vetëm për linjat e përsosura, materialet e kushtueshme dhe trendet që ka sjellë, por edhe për mesazhin që përcjellin. Fustanet e Ema Savahlit mbartin në vetvete histori, kanë një ndjenjë të fortë prej nga kanë ardhur, dhe një kod shërues, jo në kuptimin figurativ, por në kuptimin e parë të fjalës. E gjithë fuqia e fustaneve “Savahl” buron nga shpirti krijues, që rritet e zhvillohet brenda saj. “Nuk krijoj vetëm për të shitur. Disenjot e mia mbartin një kuptim në vetvete, - shprehet stilistja shqiptare me famë në Amerikë. - Çdo koleksion është një histori dhe historia ka një zhvillim. Buron nga një dhimbje, e cila në vetvete është një burim energjie. Kur kjo energji është në nivele të larta, shndërrohet në dhuratë, sepse ti mëson diçka të re, bëhesh një person i ri. - Kështu lindin koleksionet magjepsëse të Ema Savahlit. Çdo flutur, çdo lule, çdo manifestim i gëzueshëm i natyrës i ka rrënjët te dhimbjet e Emës, të cilat rriten brenda saj dhe ajo i nxjerr në dritë, duke ua ofruar klientëve si një dhuratë të çmuar. Ema përpiqet të shohë anën e bukur të çdo dhimbjeje, të gëzohet prej saj dhe në fund ta shërojë. - Te gjërat negative përpiqem të shoh gjithmonë anën e bukur, e studioj dhe pastaj mundohem të dal prej saj dhe pikërisht këtu arrij lulëzimin. Lulëzimi është dhurata që marr. Pastaj erdhi një çast kur kjo dhuratë u bë edhe e të tjerëve. Njëherë dikush bleu një fustanin tim dhe më tha: ‘Kur e vesha, u ndjeva aq e fortë, sa mund të ngjisja male e të merrja pjesë në beteja. Kisha besim te vetja.’ Kur i tregova asaj historinë e fustanit, u mahnit. Disa kliente të miat më përqafojnë duke qarë nga gëzimi dhe më thonë: ‘Nuk e ke idenë se çfarë ke bërë për mua sot’.” Ema është spontane kur krijon. Është nga ato stiliste që ndjek instinktin, rend pas ndjesive shpirtërore. Pikërisht kjo cilësi e ka bërë atë kaq të veçantë dhe shumë të pëlqyer nga bota femërore. “Kjo liria që ne shqiptarët kemi brenda vetes për mënyrën se si kemi jetuar, të jep shumë mundësi të krijosh. Unë kam njëzet vjet që nuk shoh televizor, madje nuk e kam një të tillë. Gjithashtu nuk blej kurrë një revistë për të parë se çfarë bëjnë disenjatorët e tjerë dhe as që e marr mundimin të shoh se çfarë ndodh përreth. Shumë herë kam arritur të jap më të mirën duke vëzhguar veten. Kur gjatë këtij eksplorimi zbuloj se një pjesë e saj është në errësirë, kthehem pas dhe e studioj me vëmendje, duke u përpjekur ta kuptoj. Dua ta nxjerr në dritë këtë pjesë të fshehtë, ta bëj timen, ta dashuroj. Kur arrij ta dashuroj atë pjesë që më frikëson, më bën të ndihen në faj apo e turpëruar, atëherë çlirohem. - Çlirimi i parë i Ema Savahlit solli krijimin e fluturës, suksesi i saj i parë që çmendi Amerikën. Sapo doli, ai krijim u kthye menjëherë në trend. E veshën yje, personazhe shumë të famshme dhe, në pak kohë, bluza magjepsëse, një prej krijimeve të saj më unike populloi botën e modës, nga Londra, Parisi, Nju Jorku etj. - Flutura lindi në 1998-n. Kur shkova në Majami, pashë se femrat kishin vetëbesim në seksualitetin e tyre, gjë që ne shqiptarët nuk e kishim, e aq më pak unë si sportiste.

Isha rritur si çun dhe as që e kuptoja rëndësinë e feminitetit, të trupit tim, madje kisha turp ta pranoja dhe ta shfaqja. Isha 27 vjeçe, atlete në një kategori të lartë në Itali, isha modele për marka shumë të njohura, por nuk kisha fare lidhje me trupin tim, sepse nuk e kuptoja sensualitetin tim. Ndërkohë, më bënte përshtypje se si flisnin vajzat spanjolle, se si e manifestonin në çdo gjest seksualitetin e tyre. Kjo më pëlqeu dhe vendosa ta adoptoja. Ato e dashurojnë veten, edhe nëse peshojnë njëqind kilogramë, edhe nëse e kanë gjoksin dërrasë apo nuk kanë vithe. E mora këtë kod dhe e futa në fustanet e mia. Të dashurosh veten, është gjëja më e rëndësishme që mund të bësh. Kështu, flutura simbolizoi zgjimin e feminitetit tim.” Krijimi i disenjos së fluturës, që u fut në linjë bluzash e fustanesh, e bëri menjëherë të famshme Ema Koja Savahlin. Ai simbol u mor nga të gjitha dyqanet më të mira të Amerikës. Teksa telefoni nuk pushonte nga porositë, Ema ende nuk e kuptonte se çfarë kishte arritur. Fluturën e saj e vishte Paris Hilton-i, e vishnin këngëtare të njohura; showroom-e nga Parisi e Londra e blenë linjën e saj, ndërkohë që jeta e Emës nisi fazën më lulëzuese të saj.

“Pas fluturës, u hodha në një art tjetër. Isha në një çast shumë të bukur të jetës. Majami më kishte dhënë një liri të jashtëzakonshme. Isha e re, e bukur dhe dashuroja babain e tim biri. Në këtë kohë lindi Edenia. Ajo ishte parajsa. Edenia erdhi në një periudhë euforike të jetës sime, por kështu e quajnë edhe vajzën e shoqes sime të ngushtë Fitore Gjakova. Ky emër më pëlqeu, sepse do të thoshte ‘e denjë’. Unë isha e denjë për krenarinë dhe bukurinë që po eksperimentoja në jetë dhe ky art ishte vetëm gëzim. Kështu, brenda luleve që mbushnin fustanet e mia, ndonjëherë fusja një zog, një kërpudhë, ndonjëherë e bëja blu fustanin dhe fusja korale. Në punishte, këto i quanim Edenia ajër, Edenia ujë dhe Edenia tokë. E gjithë kjo periudhë kishte të bënte me zgjimin tim. Flutura ishte transformimi im nga një krimb në flutur dhe ky ishte gëzimi im për ekzistencën time.” Sa herë që Ema krijon, zbulon diçka të re te vetja. Pikërisht këtu qëndron gjenialiteti i saj, duke e bërë të papërsëritshme në atë që i sjell botës së modës. Çdo ndjenjë e zbuluar rishtazi sjell një koleksion, i cili shndërrohet në një emocion të ethshëm për dashamirëset e modës. Secili prej koleksioneve të saj mbart një histori dhe secila prej këtyre historive është një kapitull i librit të jetës së Ema Savahlit, një libër që ajo ka nisur ta shkruajë tanimë që prej 23 vitesh. Shumatorja e të gjithë koleksioneve dhe kapitujve të jetës së saj, mbart historinë e zbulimit të saj, të kodit të të qenit shqiptare, identitet të cilin stilistja e famshme e përfaqëson me shumë krenari.

Filozofia që e mban gjithmonë të re

Ajo është 51 vjeçe, por hiret e saj femërore të çojnë disa dekada më parë. Ema Koja Savahli ka një pamje të freskët dhe shumë rinore dhe kjo jo vetëm se ka qenë sportiste profesioniste, por edhe nga falë stilit të saj të të jetuarit. “Ushqimi është shumë i rëndësishëm, por ajo që kam zbuluar unë, është edhe më e rëndësishme: besimi se me çfarë po e ushqen trupin, - tregon Ema. Meritë e shëndetit të mirë dhe formave fizike të saj, është edhe praktika e agjërimit. Herë ajo agjëron vetëm me ujë, herë vetëm me perime. - Agjërimi është pjesë e jetës sime. Ndonjëherë bëj agjërim të ndërmjetëm. Ha në 11:00 të paradites dhe mbaroj në orën 19:00, pjesën tjetër të kohës që nuk ha, e lejoj trupit të rigjenerohet. Këtë e bëj një herë ose dy herë në javë. Shpesh agjëroj të martave, sepse kam takime gjithë ditën. Kur nuk ha, ndihem shumë e kthjellët. Pi gjatë gjithë ditës vetëm një koktejl me majdanoz, limon, lëng molle, fara të zeza, xhinxher, spirulina dhe shumë ujë. Mezi e pres të martën. Pastaj të shtunën ha çdo gjë. Kur ti ha ç’të do zemra, ajo gjë që nuk është më e rëndësishme.” Ema është nga ato personazhe që bën planifikime afatgjata. Nëse disa ecin duke programuar ditë, javë, muaj, Ema e planifikon vite para. “Nuk kam qenë njeri shumë i organizuar, por kam bërë një kurs që quhet “Life book”, ku kam mësuar të planifikoj jetën pesë vite para, duke përfshirë në të aspekte të ndryshme. Bëj planifikime, vendos edhe datat dhe pastaj i harroj. Është e habitshme kur shoh se pas pesë vitesh janë realizuar ato që kam dashur të arrija. Kur jeta është kaq e organizuar, mund të kesh spontane. Spontaniteti pa organizim është i frikshëm.”  

Në librin e planifikimeve afatgjata të Ema Savahlit qëndron edhe koleksioni i ardhshëm, të cilin tashmë e ka projektuar. Duke qenë ithtare e natyrës dhe rregullave të saj, Ema pret që fara të mbijë, të rritet, të piqet e kur të jetë gati, të korrë frytet. Tashmë me koleksionin e ri ajo ka mbjellë farën në mendjen e saj dhe është frymëzuar nga një udhëtim në Kinë, ku vizita në Qytetin e Ndaluar i la mbresa të jashtëzakonshme. Tek Ema nuk troket vetëm estetika e një realiteti të caktuar, por edhe brendia, filozofia që përcjell. “Në Qytetin e Ndaluar, nga ciceroni mësova që një ndër dinastitë që kishte jetuar aty, ishte më e rëndësishmja. Filozofia që përqafonte ajo dinasti, ishte: vëri njerëzit e duhur në vendet e duhura dhe lundro. Këtë do të reflektojë koleksioni im i ardhshëm, koleksioni i 37-të. Ai do të jetë lundrim, do të ketë ngjyrat e Qytetit të Ndaluar, sepse ngjyrat janë shumë të lidhura me emocionet.” Tashmë është e sigurt që koleksioni i ardhshëm do të jetë jo vetëm një sukses, por dhe një përfaqësim shumë i fortë i lidhjes mes formës dhe përmbajtjes. Magjia e çdo veshjeje të Emës qëndron se kur ato marrin jetë, nuk i përkasin më krijueses. Ajo që Ema Savahl krijon, është shumë më tepër nga ajo që një njeri i palidhur me vorbullën e jetës, mund të krijojë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor