Personazh 7 Janar 2020

Njihuni me Ornelën, zonjën e fisshme që sjell festat përmes perit dhe gjilpërës

Personazh

Nga: Santana Çomora 

Fotografia: Pirro Beati 

ORNELA ÇAUSHAJ, NJË ZONJË E BUKUR DHE E FISSHME, NUK E KISHTE MENDUAR KURRË QË ME KALIMIN E VITEVE, GJILPËRA DHE PENJTË DO TË BËHESHIN “TERAPISTËT” E SAJ MË TË MIRË.«

Vitet kanë kaluar, por dashurinë dhe pasionin për këto punime me dorë, ajo jo vetëm që vazhdon ta ushqejë me të njëjtin intensitet, por edhe me më shumë përgjegjësi. Punët e saj perfeksionohen dita-ditës. Është diçka që e bën me pasion dhe në çdo punim të saj ndihet dashuria. Sot, ajo është një mjeshtre e vërtetë, duke e shndërruar në një profesion të mirëfilltë këtë gjë. Gjatë këtyre viteve përvojë, ka mësuar shumë për teknikat e realizimit të punimeve me kryq, si dhe ka kuptuar më shumë për kombinimin e ngjyrave, çfarë shkon e çfarë jo. Pikërisht në këto ditë festive, çdo ambient i shtëpisë së saj është i dekoruar bukur e mbi të gjitha bien në sy punimet e saj, si çentrot, mbulesat e tavolinave dhe peshqirët e personalizuar. Modelet e Vitit të Ri i merr nga revista specifike për festa dhe i fillon që në tetor, për t’i pasur gati gjatë festave.

“Shtëpia ime ka aq shumë qëndisma, sa nuk ka më vend. Për festa mbizotërojnë qëndismat me Babagjyshin dhe lulen e Krishtlindjes,” – shprehet buzagaz Ornela.

Pasioni për të qëndisur i ka lindur që fëmijë, por, më pas, me ardhjen në jetë të dy fëmijëve, u harrua për pak për t’u rikthyer më fuqishëm para 13 vitesh dhe për ta vazhduar edhe sot. Qëndismat e fëmijërisë nuk i ka ruajtur, pasi nuk u ka kushtuar rëndësinë e duhur për shkak të moshës, por ka ruajtur qëndismat e para të rikthimit, të cilat janë dy certifikata lindjeje për djalin dhe vajzën. Qëndisja i merr mjaft kohë, sa ndonjëherë ndihet fajtore karshi fëmijëve, bashkëshortit dhe qenushes së vogël. Ajo nuk ka ndonjë kohë të përcaktuar se kur duhet të qëndisë, por punon sa herë ka mundësi dhe koha që i merr secila prej tyre, varet nga modeli.

Ka modele, të cilat i kanë marrë më shumë se një ose dy muaj kohë, ndërsa disa të tjera i ka realizuar brenda ditës, duke punuar deri në orët e vona të natës. Për të, çdo punë ka rëndësinë e vet, pasi të gjitha krijimet janë të lidhura me orët e mbushura me pasion dhe lodhje. “U bë kohë që nuk shoh televizor pa ia shqitur sytë... Më shumë e dëgjoj, sesa e shikoj.”  

Detajet janë shumë të rëndësishme për Ornelën dhe më shumë e mundon gjetja e copës dhe e ngjyrave, sesa modeli. Kur punon, ka vetëm një qëllim: puna të dalë siç është ideuar në mendjen e saj.

Gjëja më e bukur është që këto krijime ka dëshirë t’ua dhurojë njerëzve më të afërt. Edhe në këto ditë të fundvitit e gjej duke qëndisur një mbulesë tavoline për t’ia dhuruar mikeshës së saj; kësaj pune ajo i ka kushtuar orë të tëra dhe është e sigurt se do të mbetet një kujtim i bukur për një kohë të gjatë. “Dhuratat e qëndisura i rezistojnë kohës  dhe mbeten aty për të kujtuar ditë të bukura miqësie, dashurie, fëmijërie, etj”, – përfundon ajo me urimin për një vit më të mbarë për të gjithë ne.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor