Personazh 28 Dhjetor 2019

Dhurata, gruaja që nuk rrëmon në kutinë e tualetit, por në 'Arkën e Shijes'

Personazh

Në këtë vend e kohë kur shumica e grave që njoh parapëlqejnë të luajnë “selfie”-sh apo “modelesh” në Instagramin e tyre, ajo është ndër të paktat, për të mos thënë e vetmja, që luan “fermash”.

Teksa shumë prej grave që njoh, u pëlqen të rrëmojnë në “kutinë e tualetit”, Dhurata Thanasi emocionohet teksa zhbiron “arkën e shijes”. Ndonëse “Arka e Shijes” është ndër projektet më të fundit të “Slow Food International”-it në bashkëpunim me Dhuratën, duhet thënë se ajo vetë ka mbi dhjetë vjet që punon për të. Puna si konsulente në projekte të zhvillimit rural e ka bërë të shkelë Shqipërinë pëllëmbë më pëllëmbë dhe gjëja më e bukur në këto udhëtime, siç rrëfen edhe vetë, ka qenë të mësojë nga vendasit receta të vjetra e autentike, shumicën e herëve, të harruara. Në njëfarë mënyre, në projektin më të fundit, thjesht po i sistemon dhe organizon produktet më tipike të Shqipërisë. Arka e “Slow Food”-it është si ajo e Noes, me ndryshimin se rreket të shpëtojë një sërë produktesh autentike shqiptare, që rrezikon t’i vërë përfund e t’i fshijë nga faqja e dheut njëherë e përgjithmonë një përmbytje edhe më e madhe se ajo biblikja: globalizimi. “Kemi produkte dhe receta që s’i gjen kurrkund tjetër, - thotë Dhurata, - që nga djathi i Mishavinës e deri te glikoja e arrës. Glikotë i bëjnë edhe grekët, por atë të arrës e kemi vetëm ne.”

Njerëz si Dhurata janë Noa-t e kohëve moderne, por asaj nuk i pëlqen ky përcaktim, sepse është kundër heronjve.“Njerëzit më përgëzojnë për atë që bëj për traditën, kulinarinë dhe historinë e Shqipërisë, por mua nuk më duket se po bëj diçka të jashtëzakonshme. Po bëj gjënë më të natyrshme, që duhet ta bëjmë të gjithë... ta duam e promovojmë natyrën, të lëmë një mjedis më të pastër e të sigurt mbrapa. Të duam tokën, traditën e të mos e humbasim lidhjen me të parët”.

Vetë Dhurata ia kushton atë që është sot pikërisht lidhjes së fortë me të parët. Bija e një gjeologu, e pati të lehtë të binte në dashuri me tokën, ja pse, pavarësisht nga dy diplomat e universitetit, pak vite më parë studioi në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Gjyshja e saj, Afërdita, ishte nxënëse në shkollën “Nëna Mbretëreshë” dhe “njësh” në kuzhinë. Recetën e parë të makaronave, Luga e ka parë pikërisht të realizuar prej saj, që në vitet ’70. Ravioli-t ose siç i quanin nipërit dhe mbesat asokohe, “makarona nëne”, janë arsyeja pse sot ajo ka recetën e parapëlqyer. Jo vetëm për t’i ngrënë, por edhe për t’i gatuar. Me makaronat, Dhurata ka ndjekur të njëjtën filozofi si me çdo recetë shqiptare, që me një prekje moderne, i ndryshon, por pa ua humbur shijen. Kështu, në “laboratorin e saj të shijes”, makaronat, sikurse edhe trahanaja, që kurrkush s’ka guxuar ta prekë më parë, gatuhen me gjithfarë përbërësish, jo vetëm të shijshëm e ushqyes, por edhe plot ngjyra. Me kurkumë, spinaq, spirulinë, kakao apo hithër. “Në këtë mënyrë, këto gatime të shëndetshme bëhen më tërheqëse, sidomos për fëmijët”, - thotë Dhurata. Ajo është e para në Shqipëri që ka kthyer vëmendjen tek edukimi i tyre në drejtim të ushqimit. Është përfaqësuesja zyrtare e “Food Revolution”-it në Shqipëri dhe prej vitesh organizon evenimente të ndryshme me të vegjlit, ku flitet për koncepte si ushqyerja e shëndetshme, “buka me vete” dhe dashuria për tokën e natyrën. Adhuron në çdo grimcë natyrën, ajrin, tokën. Është elementi i vetëm ku gjen veten. “NatyrAL”, thotë, duke lënë të kuptohet se AL është pjesë organike e natyrALes. “Çdo gjë kalon nga Shqipëria, vendi të cilit i jam falë mbi të gjitha e mbi gjithçka!”

Por edhe Shqipëria e shqiptarët duhet t’i jenë falë Dhuratës, e cila vitet e fundit ka qenë një avokate e palodhur e traditës. Ajo është krijuesja e blogut të parë shqiptar të ushqimit e kuzhinës dhe e para që u bë virale në rrjetet sociale me postime për recetat, përqendruar kryesisht tek tradita shqiptare. Vite më parë, kur hapi profilin në Instagram, ndjekësit nuk e dinin çfarë ishin farat chia apo goji berry-t, për shembull. Ka qenë ndër të parat që i futi përbërës të tillë në receta, duke i edukuar kësisoj ndjekësit e saj me të ashtuquajturat superushqime. Përmes “Lugës së Argjendtë” dhe një rubrike në “Gazeta Shqiptare”, Dhurata ndikoi ndjeshëm në promovimin dhe në përhapjen e kuzhinës tradicionale shqiptare.

Nga ana tjetër, restoranti i saj është i pari që përdor paketime prej letre, miqësore me natyrën, duke i shpallur luftë plastikës. Madje dashuria për mjedisin është aq e madhe, saqë kushdo që shkon te Luga me biçikletë, përfiton ulje. Shpirti artistik është një anë e personalitetit të Dhuratës që pak njerëz e njohin, por që ndihet në përshkrimet me të cilat ajo “përkëdhel” postimet në rrjetet sociale. Mes të gjitha arteve, muzika zë një vend special, edhe sepse është rritur mes njerëzve të të atit, Thanasajve, ku gjithkush ose këndon, ose i bie ndonjë instrumenti, duke i shndërruar kështu edhe darkat e zakonshme të fisit në minikoncerte recitale. “Poetët këngëtarë, si Bob Dylan apo Fabrizio de André janë të preferuarit e mi. Por edhe “FKA Tëigs” të gjeneratës së fundit, - thotë. - Të gjithë këta artistë kanë ndikuar dhe vazhdojnë të lënë gjurmë në jetën time”. Ku mbarojnë gishtat e Dhuratës, fillojnë telat e kitarës që ajo nuk e mësoi kurrë mirë, por që i rri bukur si sfond kur këndon baladat e Joan Baez-it, këngëtares së saj të preferuar. Sikur gjyshe Afërdita dhe babai i Dhuratës të ishin gjallë, do të ndiheshin krenarë për të. Gjyshja për makaronat, frymëzuar nga raviol-it e saj, ndërsa babai për dashurinë e paepur për token.

Vjehrra kalon nga stomaku!

Dhurata është e martuar me Fabion, nga Xhenova e Italisë, me të cilin u njoh kur punonte në UNDP. Daneri është një mbiemër i dytë, pas atij Thanasi, që e mban me shumë krenari. Vjehrra e saj, mbi 90 vjeçe, është një mjeshtre e kuzhinës dhe Dhurata ka mësuar shumë receta prej saj.

Shoqja më e mirë pri krejtve!

Si një mbështetëse aktive e kauzave dhe njerëzve me aftësi ndryshe, shumë prej evenimenteve të organizuara nga Dhurata, kanë pasur në qendër të tyre njerëzit, e sidomos fëmijët me aftësi ndryshe. Një shembull i mirë i kësaj, është miqësia e saj me shokët e vegjël të shkollës së nxënësve që nuk shikojnë.

Dashuria për petritët!

Petriti i grupit muzikor kosovar, “Jericho” është ndër artistët e parapëlqyer të Dhuratës dhe fati e deshi që së fundmi të bëhet edhe një ndër miqtë e saj më të mirë.

Shifna ke Kalaja!

Aktualisht, restoranti “Luga e Argjendtë” ndodhet brenda Kalasë së Tiranës e është jo vetëm një nga destinacionet më të pëlqyera për turistët, por dhe një pikë takimi për shumë shqiptarë. Pikë takimi me miqtë, por edhe me shijen!

Çuni’ sazës te çupa’ mazës!

Dhurata është njohëse e mirë e muzikës, ndaj kur para pak kohësh producenti i “Pink Floyd”, Nick Drake, u bë klient i rregullt në restorantin e saj, nuk mund të mos e përjetonte në mënyrë të veçantë. Ky i fundit ka realizuar pak kohë më parë edhe një album me sazet shqiptare. Ajka e muzikës, tek ajka e kuzhinës!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor