Menu për festa 24 Dhjetor 2019

Ëmbëlsirë franceze për ditën e Krishtlindjes

Menu për festa

Nga: Linda Fishta

Fotograf : Armand Habazaj

Koha e përgatitjes në total – 40 minuta

PËR BAZËN:

• 90 g miell

• 30 g niseshte patatesh

• 120 g sheqer

• 4 vezë (të verdhat veç nga të bardhat)

•1 bustinë vanilje

• një majë thike kripë

SHURUPI PËR TË LAGUR BAZËN:

• 60 ml ujë

• 40 ml lëng portokalli ose pije që ju pëlqen

• 70 g sheqer

PËR KREMIN (MBUSHJA BRENDA DHE SIPËR)

• 300 ml pana e ftohtë nga frigoriferi

• 250 g Mascarpone

•50 g sheqer

• 1 bustinë vanilje

•arrë kokosi e freskët, e grirë hollë me qëruesen e patateve ose e gatshme

• mjedra të freskëta ose çfarë të keni dëshirë

PËRGATITJA:

Ndezim furrën në temperaturën 180° C.

1. Mascarpone-n dhe panën I vëmë për 15 minuta në ngrirje në frigorifer, pasi na ndihmon që ato të rrihen më mirë.

2. Përgatisim shurupin: hedhim përbërësit në një tenxhere të vogël dhe e vëmë në zjarr të ulët duke e përzier me lugë druri derisa të marrë valë.

3. Në një tas, bëjmë marengë të bardhat e vezëve me rrahësen elektrike të tyre. Kur të jenë bërë si shkumë jo shumë e ngrirë, shtojmë sheqerin pjesë-pjesë, pa ndaluar përzierjen e tyre. Kur të jenë bërë si borë e ngrirë, shtojmë të verdhat e vezëve dhe i përziejmë akoma me rrahësen e vezëve.

4. Shtojmë me sitë miellin, niseshtenë dhe vaniljen, dhe i përziejmë me kujdes me spatul, me lëvizjet nga poshtë-lart.

5. E hedhim brumin në tavën ku kemi shtruar letër furre, e shpërndajmë në sipërfaqen e saj, duke patur kujdes që trashësia e brumit të jetë 1 cm. E pjekim për 12 minuta.

6. E heqim nga furra dhe e përmbysim mbi një letër furre të spërkatur me sheqer pluhur. I presim anësoret me thikë, për ta bërë sa më të rregullt, dhe e lyejmë me sherbetin e ftohtë. E mbulojmë me një pecetë të lagur, por të shtrydhur mirë ose me letër furre, dhe e rrotullojmë si role bashkë me pecetën, nga ana më e ngushtë e bazës. Pasi i mbyllim anësoret e pecetës si karamele, e  lëmë të ftohet plotësisht për 30 minuta.

KREMI:

Pas 15 minutash nxjerrim panën dhe Mascarpone-n nga ngrirja dhe me rrahësen elektrike të vezëve i rrahim bashkë me sheqerin e vaniljen, derisa të bëhen si krem I trashë. E lëmë në frigorifer deri në momentin që do të përdoret. Kur baza të jetë ftohur plotësisht, e shtrijmë, e lyejmë me një shtresë kremi (do të lëmë krem për ta lyer sipër) shpërndajmë mjedrat, dhe e rrotullojmë përsëri si role. E vendosim në pjatën që do të prezantohet. E lyejmë sipër me krem, e spërkasim me arrë kokosi dhe e ruajmë në frigorifer deri në momentin që do ta shërbejmë.

 

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor