Personazh 17 Dhjetor 2019

Bora Zemani, një ftesë për të gjithë të rinjtë që e shohin veten në botën e modës

Personazh

Përfshirja e Bora Zemanit në Albanian Designers Competition, është një garanci suksesi, jo vetëm se ajo është një emër i afirmuar i ekranit, por edhe sepse përvojat e saj artistike e gjithashtu ato në botën e modës, e bëjnë edhe më të plotë kornizën e saj si moderatore e një formati mode. Sezonin e shkuar Bora i është bashkuar platformës “Tring” me programin “Treshat”, ku bashkëmoderoi me vëllezërit binjakë Romeo dhe Donald Veshaj. Talenti dhe përkushtimi i saj bënë që t’i besohej një format kaq i rëndësishëm, siç është “Albanian Designers Competition”.

“Në fillim u habita nga propozimi, sepse nuk e dija a do ta gjeja veten në një format të tillë, por e mora me optimizëm dhe pastaj mendova nëse do të kisha aftësinë e duhur për ta menaxhuar projektin, sepse nuk do të bëja thjesht prezantim, kërkohej shumë më tepër. Duhej të isha më e përfshirë, për të dhënë gjykime e për të mos gabuar. Të jesh në juri, të rrish ulur, të shikosh veshjet dhe të gjykosh, duket si një pozicion i thjeshtë, por ke në dorë fatin e talenteve të reja. Pikët që për mua nuk kanë rëndësi, për konkurrentët kanë shumë. Gjendem shumë pranë tyre emocionalisht, ndoshta edhe ngaqë nuk jam shumë e madhe në moshë dhe nuk e kam harruar se si e kam nisur. Ende e kam shijen e fillimeve të mia, ende u jam mirënjohëse njerëzve që më kanë ndihmuar dhe mbështetur, ndaj besoj që për këta njerëz, të cilët janë në fillimet e karrierës, është shumë e rëndësishme t’i mbështesësh, të jesh i drejtë me ta, qoftë në gjykime, qoftë në vërejtje, në mënyrë që t’i ndihmosh të rriten. Për këtë arsye, i dhashë rëndësi propozimit të ‘Tringut’”, - ndan Bora për përjetimet e para të përfshirjes në këtë projekt të rëndësishëm televiziv.

 “Albanian Designers Competition” është një program televiziv që nuk zhvillon vetëm garën midis stilistëve, në kërkim të një emri të madh në modën shqiptare, por kultivon edhe shijen e publikut me një perceptim të ri e më profesionist në lidhje me të bukurën. Gjithashtu, ky talent shoë do të jetë edhe një faktor ndikues për vetë modën në Shqipëri. Dhjetë konkurrentët, stilistë të përzgjedhur nga dyqind pjesëmarrës në audicione, do të sjellin shijen e tyre personale në krijime, të cilat do të kenë një shije shumë avangardë.

“Në Shqipëri kishte shumë nevojë për një format të tillë. Ne si popull nuk jemi shumë të informuar në lidhje me modën. Rinia është ndoshta pak më e qasur me të, për shkak të përdorimit të rrjeteve sociale, por në përgjithësi mungon një kulturë e përgjithshme informuese. ’ADC’-ja është një format ndryshe. Ai informon njerëzit, ndërkohë që edhe i argëton. Fakti që ky spektakël është ndryshe, më pëlqen më shumë se çdo lloj gjëje tjetër, sepse jemi mësuar vetëm me emisione kuzhine, emisione pasditeje, emisione humori, të njëjtat programe kudo, - shprehet moderatorja e njëkohësisht anëtarja e jurisë së ‘Albanian Designers Competition’-it. Programin, Bora e konsideron si një mundësi të madhe për stilistët e rinj, një mundësi që do t’u ndryshojë atyre jetën. - Ky format do të sjellë risi, një lloj ndikimi në modë, sepse konkurrentët janë stilistë të formuar, por “ADC”-ja u jep mundësinë e madhe që të bëhen të njohur. Për të gjithë, përfshirja në këtë talent shoë është një reklamë, por për më tepër, do të gjejnë veten edhe shumë të tjerë, që nuk u bënë pjesë në këtë sezon, por do të jenë në sezonet e ardhshme.”

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor