Personazh 14 Dhjetor 2019

Destinacionet e pazakonta të Xhina Goxherit, blogeres që udhëton e vetme

Personazh

Nga: Santana Çomora

Instagrami, rrjeti më i madh social për momentin, çdo minutë sjell prurje të reja, me njerëz që jo vetëm shpalosin pasionet e tyre, por të bëjnë të ëndërrosh, duke shëtitur njësoj si ta, në shumë vende të botës.

Profili Xena.Raw nuk është një profil i thjeshtë i një blogereje që udhëton. Më shumë sesa faqja e një vajze që ka pasion udhëtimet, ajo është një guidë e vlefshme për çdo njeri që ka ndër mend të ndërmarrë një të tillë e të ndjekë këshillat e sugjerimet e Xhinës. E jo vetëm kaq, por edhe të mësojë nga arti i fotografisë, sepse çastet e memorizuara në objektivin e aparatit fotografik, janë kartolina të vërteta, aq sa ti mendon se ajo ka marrë një profesionist me vete për të realizuar shërbime të ndryshme fotografike.

E veçanta e kësaj udhëtareje është se ajo çdo gjë e realizon vetëm, që nga përzgjedhja e vendeve që do të shëtisë e deri te veshjet, të cilat do t’i ketë të menduara për destinacionet që do të prekë.

Xhina Goxheri është vajza shqiptare që shëtit e vetme nëpër botë. Ajo prej 18 vitesh jeton në Amerikë. Pas mbarimit të studimeve për financë në Nju Jork, prej pesë vitesh, ajo punon si këshilltare për kompani ndërkombëtare, që duan të blejnë dhe të shesin kompani, një punë që i ka dhënë prestigj dhe konkurrencë të fortë. Që në fëmijëri, ajo e ka parandier se si do të ishte e ardhmja e saj: do të vizitonte botën. Këtë përvojë nisi ta praktikonte vetëm kur nisi shkollën e lartë. Nisi të aplikonte për programe që të çonin nëpër vende të ndryshme të botës, derisa fitoi një bursë që të punonte në Korenë e Jugut, me shpërblim udhëtimin. Pikërisht ky do të ishte dhe udhëtimi i saj i parë, që për ironi të fatit nuk i ngjiti si vend. Ndoshta prej faktit që ishte me një grup studentësh nga shkolla dhe nuk kishte guxim të dilte vetëm nga grupi. Ky ishte çasti kur ajo vendosi që çdo udhëtim tjetër ta bënte e vetme.

Të dish të udhëtosh, të përzgjedhësh destinacionet më të padëgjuara, të ruash kujtimet në arkivin tënd e më pas të dish t’i shprehësh bukur ato, është një veçori tjetër e Xhinës, e cila për revistën Living na sjell një intervistë shumë interesante, duke na dhënë këshilla praktike e kuriozitete rreth vendeve që ka shëtitur:  

 

Para se të planifikosh një udhëtim krijon dhe outfit-in tënd në lidhje me vendin që do të vizitosh?

Gjithmonë përpiqem të kombinoj veshjet me vendet që vizitoj, duket parë ngjyrat që përdoren më shpesh nëpër këto vende dhe çfarë natyre kanë: male, fusha apo det blu. P.sh., në Kapadokia ngjyrat që sheh në natyrë janë ato të tokës: e verdha, portokallia ose neutralja. Norvegjia është e mbushur me male dhe gjelbërim, por ka dhe det, që çuditërisht është shumë blu.  

A është valixhja jote e stërmbushur me rroba? A harron ndonjë gjë pa marrë apo je e rregullt në bërjen gati të rrobave?

Çuditërisht, nuk e stërmbush valixhen. Preferoj që valixhet t’i mbaj në dorë, që të mos më humbasin nëpër avionë. Zakonisht marr 10 veshje të ndryshme, që shkojnë me ngjyrat e vendeve që vizitoj. Kam një sekret J I fus të gjitha rrobat në një qese vakumi që tërheq ajrin dhe ul volumin. Ka raste kur harroj ndonjë veshje apo karikues telefoni, por gjithmonë kontrolloj që pasaportën dhe kartat e kreditit t’i kem gati, se pa to nuk bëj dot asgjë.

Duke udhëtuar e vetme, cilat destinacione mendon se janë të sigurta? A ke frikë të udhëtosh vetëm?

Udhëtimet vetëm të forcojnë shpirtërisht dhe të ndihmojnë për të përballuar çdo problem që mund të të vijë. Zakonisht, nëpër Europë dhe vendet e zhvilluara ke më shumë siguri, sepse ka një sistem për mbrojtjen e turistëve. Ka pasur raste kur kam pasur frikë dhe jam ndier e pasigurt në disa udhëtime. Si për shembull, në Stamboll, pavarësisht se isha veshur normalisht, burrat më shikonin vazhdimisht dhe më vinin në siklet kur ecja vetëm. Një nga situatat më të pakëndshme që më ka ndodhur ka  qenë në Kolumbi. Isha në një taksi, rrugës për në plazh, kur papritur në makinë futet një burrë. Ai vetëm fliste spanjisht dhe s’po arrija të merresha vesh mirë. S’e dija nëse donte të më rrëmbente gjërat apo çfarë donte, kështu që fsheha telefonin dhe paratë, derisa mora vesh që ishte vetëm një shitës dhe donte të shkonim te restoranti familjes së tij për darkë. Tani më vjen të qesh kur e kujtoj këtë episod, por në atë çast u frikësova.

Cilat janë ato udhëtime që i mban gjithnjë në zemër?

Ka shumë, por të preferuarat e mia janë Birmania, Zelanda e Re, Kolumbia dhe Turqia. Në vitin 2016, Birmania: ky shtet në jug të Azisë, sapo kishte hapur dyert për vizitorët e huaj. Vendasit nuk kishin parë shumë të huaj dhe kur më takonin donin vetëm të bënim foto së bashku. Vizitova një nga vendet më antike, Baganin, i mbrojtur nga UNESCO, me piramida të shumta e tempuj të vjetër. Një gjë e rrallë, e cila mbetet edhe sot e kësaj dite një nga kujtimet më të bukura. Në Birmani, kam parë një varfëri ekstreme. Njerëzit e hanin bukën jashtë, mes pluhurit dhe pisllëkut të rrugës. Habitesha si ishin aq të lumtur e të gëzuar. Ishin shumë të edukuar dhe të sjellshëm. Pikërisht në këtë vend kam ngrënë dhe darkën më të shijshme në jetë, vetëm për dy dollarë.

A të ka ndodhur të kesh pasur pritshmëri më të mëdha për një vend dhe nuk të ka lënë përshtypjen që ke pritur?

Po, patjetër, më ka ndodhur në Kubë. Kuba ka qenë e mbyllur për amerikanët. Prisja të ishte më ekzotike dhe më pak e populluar, por, kur shkova atje, pashë që kishte shumë vizitorë nga Europa dhe çmimet ishin shumë të kripura. Kam pritur dy orë të tëra për të ngrënë një sanduiç që më kushtoi më shumë se ai që ha zakonisht në Nju Jork. Edhe Stambolli kishte shumë taksistë, që të gënjenin dhe përpiqeshin të të vidhnin. Nuk e përballova dot dhe u largova më herët nga sa e kisha planifikuar.

Cili nga kontinentet të ka lënë më shumë mbresa?

Pyetje shumë e vështirë, por besoj se Azia fiton. Vendet aziatike kanë një përzierje midis kulturës, natyrës dhe historisë, që është mjaft interesante. Kuzhinën e kanë shumë të mirë dhe çmimet më të lira në gjithë botën.

3 karakteristika për të qenë një blogere udhëtimesh ...

1) Duhet të kesh interes për vendet që viziton.

2) Duhet guxim për të provuar çdo gjë.

3) Të përjetosh çdo përvojë me pozitivitet, edhe kur gjërat nuk shkojnë ashtu duhet.

A ke arritur të ndërtosh miqësi të reja gjatë udhëtimeve?

Gjithmonë takoj njerëz të rinj dhe mundohem t’i mbaj këto lidhje. Është interesante se si në kohën e sotme mund të njohësh shumë njerëz nga vende të ndryshme të botës, dhe të të duket sikur i ke njohur më parë.

Të ndodh që një udhëtim ta lidhësh me ndonjë këngë të veçantë? Cilat janë ato këngë që dëgjon më shpesh gjatë udhëtimeve?

Po, këto kohë më ka mbetur fiksim kënga “Yok Yok” nga Feride Hilal Akin dhe kënga shqiptare “Te Molla” nga Arnon, të cilën e dëgjova për herë të parë në radiot e Stambollit.

Ti ke një faqe shumë të bukur në Instagram. Sa punon për këtë? A përdor ndonjë program të veçantë në punimin e fotove?

E kam pasion fotografinë, ndaj përkushtohem më shumë sesa duhet. Kam mësuar si t’i punoj fotot me një program Lightroom, që është një aplikacion i gjindshëm. Zakonisht, përdor trekëndëshin ose ia bëj gati kamerën dikujt dhe i tregoj si e dua foton, që ta kapin si duhet. I dua shumë ngjyrat. Për mua janë lumturi dhe rrezatojnë ndjenja të forta. Të jetosh jetën me ngjyra është të jesh mendjehapur dhe të shohësh anën pozitive të jetës. Këtë gjë mundohem ta pasqyroj me fotot që postoj në faqen time.

Sa të rëndësishme janë rrjetet sociale për t’u bërë e njohur? Ke më shumë ndjekës shqiptarë apo të huaj?

Më shumë se sa për t’u bërë e njohur, rrjetet sociale janë një mënyrë për të ndarë udhëtimet dhe shkrimet e mia. Është një mënyrë për të takuar njerëz nga e gjithë bota. Përpiqem që të tregoj histori të vërteta, që janë frymëzuese. Shumica e atyre që më ndjekin janë të huaj, por tani kanë nisur të më ndjekin edhe shqiptarë. Më vonë, kam menduar të ndërtoj një faqe uebi, ku mund të publikoj të gjitha këshillat e mia rreth këtij pasioni, që, me sa duket po më shndërrohet në profesion.

Në cilat vende do të doje të riktheheshe edhe një herë?

Mezi pres të vij prapë në Shqipëri dhe të vizitoj vendin tim me syrin e një blogereje dhe të një fotografeje. Gjithashtu, dhe në Zelandën e Re, ku kam qenë për dy javë, do të më pëlqente të rikthehesha dhe të provoja disa nga aventurat e frikshme që janë të famshme, si hedhjet nga aeroplani apo bungee jumping, sporte ekstreme mjaft të dashura për mua.

Edhe sa vende kanë mbetur pa u vizituar?

Deri tani kam vizituar 20 vende të ndryshme dhe kam edhe 175 të tjera që presin në hartën time të udhëtimeve.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor