Personazh 14 Dhjetor 2019

Ditari i udhëtimeve të Sokol Ballës; "Në 26 vite kam vizituar 110 shtete"

Personazh

RRJETET SOCIALE të ofrojnë mundësinë të njohësh pasionet e personazheve të rëndësishme të medies, pasione që nuk do të mund t’i zbulonim asnjëherë nën petkun e kostumit serioz të profesionit, veçanërisht nëse ata janë të rezervuar e nuk flasin për jetën private në programe apo intervista jashtë kornizave të aktualitetit politik.

Për herë të parë, ai pranoi të ndante me “Living” pasionin e tij më të madh: atë për udhëtimet dhe eksplorimin e kulturave të ndryshme të botës. Ai ka shkelur në 110 shtete, pothuajse aq vende sa e kanë njohur Kosovën si shtet. Djali i tij e quan “aventurier i pakorrigjuar i udhëtimeve”, pasi ka njëzet e gjashtë vjet që udhëton pareshtur. Edhe buxheti i tij për udhëtimet zë një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve mujore.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sokol Balla (@sokolballaofficial) on

Le të njihemi me Sokolin dhe arratisjet e tij të ëmbla. “Unë do të udhëtoj për aq kohë sa të kem fuqi dhe mundësi financiare; në të kundërt, do të pi kafe në apartamentin e vogël që kam blerë në Vlorë, do të kundroj detin dhe nuk do të lëviz prej atij qyteti”, - thotë Sokoli. Lidhja e fuqishme që ai ka me udhëtimet, me lëvizjen, me zbulimin e një bote të re, ndihet qysh në çastet e para që takohemi.

Udhëtimi i tij i parë i takon vitit 1993, në Pragë, për një specializim në gazetari. Që prej asaj kohe, nuk është ndalur më! Ka vizituar 110 shtete dhe, sigurisht, shumë më tepër qytete, pasi në të njëjtin vend mund të vizitosh disa të tilla, sikundër mund të kthehesh disa herë në të njëjtin qytet për të zbuluar çdo herë diçka të re.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sokol Balla (@sokolballaofficial) on

Kjo gjë i ndodh me Stambollin, që për të është një qytet i jashtëzakonshëm. Ashtu si çdo udhëtar i botës, edhe Sokoli nuk i ka shpëtuar dot manisë për të mbajtur shënim të gjitha vendet ku ka shkuar! Ai ka një kalendar xhepi shumë të veçantë, të cilin ia kanë dhuruar kur punonte në “BBC” në vitin 2000. Që prej aso kohe, ai filloi të mbante shënime për vendet që vizitonte. Madje, edhe stilolapsi me të cilin mban shënime, është i po atij viti dhe me logon e “BBC”-së. Ky stilolaps me bojë të kuqe duhej të ishte harxhuar me kohë, pas nëntëmbëdhjetë vitesh përdorim, por vazhdon të shkruajë ende, sepse përdoret vetëm për të mbajtur shënime për udhëtimet. Sokol Ballës i pëlqen të udhëtojë me miq, me familjen, por veçanërisht të udhëtojë vetëm. “Në çdo rrethanë, kam pasur dëshirë të udhëtoj vetëm. Nuk ka rëndësi destinacioni, por vetë udhëtimi. Kur ecën, ke kohë të mendosh. Kjo është një gjë që duhet ta praktikojmë të gjithë herë pas here. Kemi nevojë të rrimë me veten. Sigurisht, nuk duhet ekzagjeruar, sepse, kur shkon jashtë shtetit, pas ditës së katërt apo të pestë, ti do të flasësh shqip me dikë”, - thotë ai.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sokol Balla (@sokolballaofficial) on

Kur udhëton vetëm për të zbuluar një vend të ri, i duhet të ndjekë vetëm ritmin e tij e, në këtë mënyrë, vendos edhe rekorde në kilometrat që bën më këmbë brenda një dite. “Distanca më e gjatë që kam përshkuar në këmbë, duke eksploruar vendin, ka qenë njëzet e katër kilometra, në Mianmar. Kur mbërrita në hotel, nuk i ndieja këmbët.” Por ai nuk ka vendosur rekorde vetëm në kilometrat e bërë për të parë shumëçka nga ajo që të ofron një qytet, por edhe në miljet e fluturimit, aq sa pa frikë mund të themi se konkurron me pilotët. “Është e vërtetë, madje duhet të jenë pilotë shumë të vjetër që të më konkurrojnë. Gjatë kohës që jetoja jashtë, kam udhëtuar shumë. Ishte një periudhë tejet intensive dhe kostot e udhëtimeve janë më të lira kur je andej. Për të treguar ritmin e fluturimeve dhe miljet, po sjell një shembull. Nga fundi i janarit të vitit 2002 deri në fund të qershorit të po atij viti, kam shkuar në Argjentinë, Urugai, Brazil. Pastaj në Kinë, në Kanada, në Australi dhe prej andej fluturova për në Zelandën e Re.”

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sokol Balla (@sokolballaofficial) on

Duke qenë një udhëtar i vjetër, njëzetegjashtëvjeçar, të shkon mendja se, me kalimin e kohës, kanë ndryshuar edhe përparësitë e tij në lidhje me atë që dëshiron të shohë në një vend. Por Sokoli thotë se nuk ndodh gjithmonë kështu. Sipas tij, ka disa lloje turizmi, por edhe një sërë arsyesh nga më të ndryshmet, që të nxitin të vizitosh një vend, madje edhe të rikthehesh disa herë, edhe për të njëjtat arsye. I tillë është turizmi i kullave. “Është një listë që përsëritet çdo katërpesë vjet: ti duhet të vizitosh kullat më të larta të botës. Problemi është se, sa herë që vizitoja ato kulla, shikoja se kishin mbirë kulla të reja.” Ai ndjek edhe atë që quhet turizmi i varrezave, ku shkon për të vizituar vendin ku prehen personazhe të famshme si Karl Marksi, Viktor Hygo e deri te Xhim Morrisoni. Gjithashtu, ka vizituar varrezat e të famshmëve në SHBA, ku prehen Xh. F. Kenedi dhe personalitete të tjera.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sokol Balla (@sokolballaofficial) on

Për të është e patolerueshme të jetë një turist sipërfaqësor, ndaj shkon gjithmonë i përgatitur dhe e di se çfarë e pret në vendin që do të vizitojë. Së fundmi, ka filluar ta tërheqë turizmi i portreteve njerëzore. “Kur shkon  disa here në një qytet, vjen një çast që ai nuk të ofron diçka të re. Për shembull, Londra, të cilën e kam vizituar disa herë dhe kam jetuar aty katër vjet, në një çast të caktuar nuk të ofron diçka të re nga ana arkitekturore apo vizuale, por ty të shtyn kurioziteti që, kur futesh në metrotë e Londrës, të shohësh të paktën një herë të njëjtin portret. Deri tani, mua nuk më ka ndodhur asnjëherë diçka e tillë.” Kur e pyes për qytetin që i ka lënë më shumë mbresa, thotë se konkurrenca më e fortë është mes vendeve të Amerikës Latine dhe atyre të Azisë Juglindore, megjithatë nuk veçon dot një qytet. “Do të veçoja tri qytete që ndodhen në të njëjtën gjerësi  gjeografike: Sidnein, Kejp Taunin dhe Rio de Zhanejron. Kanë të njëjtën klimë, me temperaturë diku 23-24 gradë celsius. Janë qytete me njerëz të qeshur. Aty shkon dhe ikën me buzëqeshje. Këto tri qytete janë një kurorë diamantesh në gjeografinë botërore.”

U bënë rreth tri dekada që ai udhëton, por ka pare pak nga ajo që quhet “Afrika e Zezë”, ngaqë është një vend jo shumë i sigurt. Vende të tilla e tundojnë shumë për t’i vizituar dhe, si shumë të tjerë, edhe ai është i prirë të shkojë në një shtet ku nuk ka qenë më parë. Dy janë periudhat kur Sokoli tenton të vizitojë një vend të ri: gjatë Vitit të Ri dhe për ditëlindje. Kjo edhe si një besëtytni që viti do të shkojë mbarë. Si një udhëtar profesionist, ai e di mirë se, nëse e planifikon më herët udhëtimin, ka shumë përfitime financiare e kosto të reduktuara, ndaj përpiqet ta bëjë këtë, por nuk ia del gjithmonë. Jo rrallëherë shndërrohet në udhëtarin e minutës së fundit. Telefonon agjencinë, merr avionin dhe niset, kryesisht sa më larg Shqipërisë. Por, kur e planifikon udhëtimin, viziton disa shtete njëri pas tjetrit, përpara se të kthehet në Shqipëri. “Një nga mënyrat më të mira për të eksploruar më shumë vende, pa shpenzuar shumë, është që të studiosh jo vetëm vendin ku shkon, por edhe vendet e tjera përreth tij. Sigurisht që në çdo vend që të shkosh, ka shpenzime, por mund t’i ulësh ato duke vizituar edhe vendet rreth e rrotull. Për shembull, nëse je duke vizituar Bangkokun, mund të vizitosh edhe tempullin e famshëm të Kamboxhias, që ndodhet vetëm gjysmë ore larg, dhe prej aty, të duhen vetëm dyzet minuta për të shkuar në Saigon, Vietnam, ose një orë për në Singapor apo Malajzi. Nëse shkon në Tajvan, ke afër Hong-Kongun. Dikur shkohej me varkë, ndërsa tani me makinë, sepse është ndërtuar autostrada më e gjatë brenda detit, që lidh Hong-Kongun me Makaon. Unë kam bërë edhe çmenduri gjatë udhëtimeve të mia. Për shembull, kam qenë në një udhëtim në Kirgistan, pastaj shkova në Stamboll dhe prej andej fluturova drejt Taxhikistanit.

Pastaj u ktheva në Stamboll, mora prapë avionin dhe shkova në Mongoli. Që të ulësh shpenzimet e panevojshme, duhet të planifikosh dhe të organizohesh më përpara.”

Një tjetër element mjaft i rëndësishëm, që nuk duhet anashkaluar kur dëshiron të zbulosh kulturën e një vendi, është ushqimi. Sokoli tregon se ka më shumë sesa një episode jo shumë të këndshëm në lidhje me ushqimin. “Mbaj mend se, kur kam shkuar për herë të parë në Kinë në vitin 2002, nuk kam ngrënë kurrë në restorantet e zakonshme të Pekinit, pasi kisha frikë për mënyrën se si gatuanin dhe produktet bazë që përdornin. Kam ngrënë vetëm në një restorant të famshëm në Pekin, që njëkohësisht është edhe një atraksion turistik, ku ofrohet ai rosaku i famshëm kinez dhe ku kanë shkuar Helmut Kohl dhe Fidel Kastro. Përveç këtij rasti, gjatë pesë ditëve që qëndrova atje, kam ngrënë ose në hotel, ose në 'McDonald’s', ose në 'KFC'. Ama kur jam rikthyer në Hong-Kong, jo vetëm kam eksperimentuar, por çfarë nuk kam ngrënë në rrugët e atij qyteti.”

Atij nuk i pëlqen jeta e natës në këto vende, ndaj me kohën ka mësuar të mos humbasë asnjë minutë. Përllogarit ndryshimin e orës dhe zgjedh të fluturojë gjatë natës, me qëllim që, kur të mbërrijë në destinacion, të mund të nisë menjëherë eksplorimin. Nuk heq dorë nga pasionet sportive,  si tenisi e golfi, por edhe nga shopping. Kështu, udhëtimet i kombinon me ngjarje të rëndësishme sportive dhe koncerte të mëdha.

Gardëroba e Sokolit gjatë udhëtimeve është minimale. Ai merr vetëm një çantë shpine dhe të gjitha veshjet janë sportive. “Më kujtohet që në qershor të 2002-shit, shkova në Australi vetëm me një çantë krahu. Do të shkoja edhe në Zelandën e Re për një udhëtim njëmbëdhjetëditor.

Mbaj mend që më mbanin në doganë dhe më thoshin se si ka mundësi që ti ke ardhur nga Tirana deri në Australi më një çantë krahu. Sado që mundohesha t’u shpjegoja që më mjaftonin veshjet, se doja të isha sa më pak i ngarkuar kur udhëtoja, ata prapë dyshonin.” Pasioni i prindërve bëhet

edhe ai i fëmijëve. Kështu ka ndodhur edhe me Sokol Ballën dhe dy fëmijët e tij.

“Shpeshherë marr edhe fëmijët e mi nëpër udhëtime. Edhe ata udhëtojnë shumë, me familjen, me mua.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sokol Balla (@sokolballaofficial) on

U ka hyrë edhe atyre krimbi për të udhëtuar, janë mësuar me udhëtime, i pëlqejnë dhe i shijojnë ato. Në një festë të shkollës, djali më cilësoi ‘aventurier i pakorrigjuar i udhëtimeve’. Më erdhi për të qeshur kur e dëgjova.” Besoj se nuk ka frazë më të gjetur sesa kjo për të treguar pasionin e përjetshëm të Sokolit.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor