Personazh 12 Dhjetor 2019

"Dua ta sfidoj veten me gjithçka dhe të arrij në një pikë ku të realizoj çdo gjë”, Arbrian Kahrimani frymon ekstravagancë

Personazh

Nga Elona Jaçellari/Fotografia Pirro Beati

Ai është stilisti i ADC-së që dallon jo vetëm për veçantinë e stilit të tij krijues, por edhe për karakterin karizmatik. Është gazmor, kritik, i talentuar dhe moskokëçarës. Arbrian Kahrimani, është 23-vjeçari nga Peja, i cili jep gjithë shpirtin kur krijon një veshje dhe nuk shqetësohet për komentet dhe kritikat që do të marrë në fund ajo. “E ndiej thellë brenda vetes që moda ka nevojë për mua, - shprehet stilisti i ri me gjithë vetëbesimin që e karakterizon. - Që kur kam nisur rrugëtimin në botën e modës, kam dëshiruar gjithnjë të marr pjesë në një konkurs talentesh në këtë fushë. Në këtë garë doja të merrja pjesë që të shprehja talentin tim dhe të tregoja veten. Më pëlqejnë shumë presioni që ndihet gjatë një gare dhe sfidat që kalohen në to. Dua ta sfidoj veten me gjithçka dhe të arrij në një pikë ku të realizoj çdo gjë.”

Është e sigurt që në këtë spektakël talentesh Arbriani do të veçohet për stilin e vet. Ai është tejet bashkëkohor dhe avangardë. “Modës në Kosovë dhe në Ballkan, i duhet një stil si imi, ndryshe, më i avancuar dhe jo oriental siç është tani. Mund ta fitoj ose jo këtë garë, pak rëndësi ka. Edhe pse është një shprehje klishe, për mua është më e rëndësishme pjesëmarrja. Besoj që ky spektakël do të më sjellë mundësi të reja, do të njihem pak më shumë dhe do të kem më shumë përparësi si disenjator në fushën e modës.” Por të gjitha këto ambicie nuk shkojnë në funksion të famës, sepse për të riun nga Peja, ajo nuk ka fare rëndësi.

Përkundrazi, e frikëson disi, sepse mendon që nëse një ditë do të ketë sukses dhe emër të madh në fushën e modës, nuk di si ta menaxhojë. Ndaj, të bëhemi gati të presim në arenën e krijuesve të modës një stilist guximtar, i cili kërkon ta rrisë në hije emrin e vet.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor