Pjata kryesore 7 Dhjetor 2019

Fileto gici me mollë jeshile dhe finok

Pjata kryesore

Nga MIRELA ANDONI/Fotografia ARMAND HABAZAJ

PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA:
1,2 kg mish gici
1 mollë jeshile
1 finok
1 qepë
2 thelpinj hudhër
200 ml verë e bardhë
100 ml ujë i nxehtë
50 ml vaj ulliri
1 lugë e vogël trumzë
1 lugë e vogël piper i përzier
(i zi, i kuq, i gjelbër)
1 lugë e vogël kripë

PËRGATITJA: Në një havan shtypim piperin, kripën dhe trumzën. Pasi e lyejmë gjithë masën e mishit nga të tëra anët, e lëmë të marinohet për disa
orë. Vendosim në zjarr një tenxhere të thellë dhe shtojmë vajin. Sapo të nxehet fusim mishin dhe e skuqim derisa të marrë ngjyrë nga të gjitha anët dhe të mblidhet. Shtojmë qepët, hudhrat, mollën dhe finokun të ndarë në copa, i kaurdisim disa minuta me mishin dhe i shuajmë me verë. Më pas shtojmë edhe 100 ml ujë të nxehtë, mbyllim hermetikisht kapakun dhe e lëmë të ziejë 1 orë në temperaturë të ulët. Pasi mishi të ketë pushuar disa minuta dhe të jetë ftohur pak, e heqim nga tenxherja dhe lëngun e kalojmë në sitë, duke i shtypur të gjithë përbërësit me lugë. Nëse lëngu është shumë i hollë e
vendosim përsëri në zjarr dhe e lëmë të ziejë derisa të arrijë trashësinë e dëshiruar. E presim mishin në fileta të holla dhe e shërbejmë me pak lëng dhe patate furre.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor