Veshje 4 Dhjetor 2019

Nga rrugët e Vankuverit në ato të Tiranës, street style i Aurela Nasedkin

Veshje

Nga: Santana Çomora

Makeup: Eva Dibra

Fotografia: Edvina Meta

Nëse herën e parë në Living, Aurelën e njohëm virtualisht, me një shërbim fotografik të realizuar në vendin ku ajo jeton, në Vankuver, fati deshi që këtë verë ajo të vinte në Shqipëri për të kaluar pushimet me familjen dhe ne nuk mund të mos e kishim edhe një herë në revistë, tanimë në rrugët e kryeqytetit tonë, Tiranës.

Që nga dalja e saj e parë në "Living" e deri tani, ajo është rritur profesionalisht, në fushën e modës, si dhe ka ndryshuar mbiemrin, nga Lacaj në Nasedkin, pas martesës me njeriun e zemrës. Një dasmë përrallore, për të cilën ajo u angazhua vetë, që nga detajet më të vogla e deri te përzgjedhja e vendit, në liqenin e Komos, Itali. Kështu është ajo, detajiste e mirëfilltë. Pikërisht kjo e ka çuar aty ku është sot: blogerja dhe konsulentja e modës, që të gjithë duan ta kenë nëpër aktivitete e që është bërë pjesë e pasarelave, jo duke sfiluar, por duke u veshur nga markat më në zë e duke dhënë këshilla e sugjerime për klientët e saj nëpër botë, që duan të vishen me stil.

Sot, Aurela është një 44-vjeçare e kompletuar, që po shijon mundin dhe sakrificat e bëra për të arritur deri këtu. Takimi me të në Tiranë ishte një sfidë më vete. Njëzet e gjashtë vitet e largimit dhe ndryshimet urbanistike kanë bërë të vetën, aq sa Aurela e pati të vështirë të linte një pikë takimi, por gjithsesi u përshtat menjëherë, duke nisur të vishej e të tregonte lumturinë, që për herë të parë po fotografohej nga një fotografe shqiptare si Edvina Meta e ky shërbim fotografik po bëhej në vendin e saj të lindjes. Përpos të gjithave, ajo ishte e gëzuar, sepse ishte ftuar në aktivitetin më të rëndësishëm të modës, "Paris Fashion Week", ëndërr që donte ta prekte prej vitesh. Ishte e entuziazmuar, sepse stilin francez ajo e mban gjithmonë. Kjo duket në çdo postim të saj, ashtu si edhe në këtë shërbim fotografik që realizoi këtu. Një stil i pastër, monochrom, në nuanca neutrale, që arrin të identifikohet më lehtë se të tjerët, sepse pastërtia në vetvete tregon klas dhe elegancë.

Të kombinosh një veshje në disa pamje të ndryshme, për të nuk është aspak e vështirë. Për pak minuta, ajo mund ta shndërrojë një veshje elegante në një veshje sportive ose anasjelltas.

E njëjta xhaketë, e veshur një herë shik dhe elegante dhe një herë tjetër më sportive, falë pantallonave të shkurtra dhe bluzës pambuk.

Ashtu si dhe këtu, ku e njëjta xhaketë e bardhë vjen në dy variante: një herë me pantallona të zeza si çitjane dhe një herë merr një peshë më të madhe, duke u kombinuar me një fund dhe çizme të bardha, në një look monochrome.  

Për t’u dukur sa më bukur me veshjet, duhet të kesh një fizik të mirë e Aurela përpiqet të bëjë një jetë sa më të shëndetshme, duke ruajtur format trupore, që pa ngurrim mund të themi se i ka si të një vajze të re. Është shumë e kujdesshme që të marrë ushqimet e duhura, si dhe të stërvitet rregullisht në palestër e pilates.

Moda për të është art, edhe pse kur ishte e vogël, nuk është se e kuptonte vërtet këtë koncept. Të bërit modë në atë kohë ishte e vështirë dhe ajo nuk kishte asnjë dritare nga ku mund të merrte informacione, por vetëm instinktet e bënin që të vishej ndryshe e të sajonte rroba bashkë me motrat e saj, duke zhvilluar sfilata me njëra–tjetrën. Ndërkohë, sot, këtë instinkt është përpjekur ta kthejë në profesion, duke hapur dhe kompaninë e saj të konsulencës e duke patur klientë nga e gjithë bota, që presin sugjerimet e saj se si mund të vishen.

Stili i saj është elegant, ku tendencat e modës nuk është se janë domosdoshmëri, por një aureolë e bukur, për të mos dalë kurrë nga ajo që Aurela përfaqëson. Për të, më shumë rëndësi sesa stili, ka eleganca femërore që lidhet me sjelljen, qëndrimin dhe të folurën. Këtë tipar dallues, ajo përpiqet ta mbajë fort, edhe pse moda çdo ditë e më shumë sjell trende të reja. Aurela beson se ai njeri që ka ëndrra, duhet të vazhdojë të ëndërrojë, sepse me punë dhe pasion, mund t’i bëjë ato realitet.

 

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor