Menu vjeshte 4 Dhjetor 2019

DROMCAT, makaronat thërrime; Receta vjeshtake nga kuzhina arbëreshe

Menu vjeshte

Kjo pjatë tipike e arbëreshëve të Kalabrisë, ka një ritual fetar të vetin. Mielli, me të cilin përgatitet brumi, pagëzohet me një degë rigoni të lagur në ujë. Kështu formohen dromcat, të cilat bekohen nga amvisa që i përgatit dhe në fund bekohet pjata e përfunduar. Tregojnë për një zonjë arbëreshe, e cila organizon “Arberia in salotto” ose ndryshe një restorant arbëresh në shtëpi. Ajo shkon nëpër shtëpi si kuzhiniere, gatuan këtë recetë me të cilën është rritur dhe këndon këngë arbëreshe. E gjitha zgjat 45 minuta.

PËRBËRËSIT:

280 g miell tipi 0

ujë

2-3 degë rigoni

salcë domatesh

qepë

fasule të ziera më parë

vaj ulliri, kripë sipas nevojës

PËRGATITJA:
1. Në një tas hedhim ujë dhe zhysim degët e rigonit.
2. Në një tepsi hedhim miellin, të cilin e spërkatim me ujin që kullon nga degët e rigonit, që i lagim vazhdimisht në ujë. E punojmë masën duke fërkuar duart me njëra-tjetrën, që t’i bëjmë thërrime, të cilat i kalojmë në sitë me vrima të mëdha, për t’i hequr miellin e tepërt. Thërrimet i vendosim mbi një pecetë të pastër dhe i lëmë të thahen për një orë ose më shumë.

PËRGATITIM SALCËN:
Ne një tenxhere me pak vaj ulliri skuqim qepën e grirë imët dhe kur të ketë marrë ngjyrë shtojmë salcën e domateve dhe fasulet. Pas 2-3 minutash shtojmë 3 gota plot me ujë dhe kur të marrë valë shtojmë dromcat. E lëmë tenxheren në zjarr, duke e përzier pa ndaluar me lugë druri. Nëse është nevoja shtojmë ujë të valuar. I shërbejmë sipas dëshirës me pak vaj ulliri dhe pak rigon sipër.

Shënim: Përshtatur për “Living” nga libri i Andrea Shundit, nga: LINDA FISHTA

FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor