Veshje 3 Dhjetor 2019

Elementët mashkullorë të kostumeve popullore vijnë në një koleksion unik femëror nga stilistja Bela Maçi

Veshje

Nga: Santana Çomora

Stiliste: Bela Maçi

Stilistja Bela Maçi nuk është e panjohur për lexuesin e “Living”. Ajo ka ardhur disa herë në faqet e revistës, me krijimet e saj unike, duke na befasuar gjithnjë e më shumë me artin që realizon. Pika më e fortë e kësaj stilisteje është ruajtja e elementit autentik, si një vlerë e histori në veshje, kjo për shkak se ajo ka lindur dhe është rritur në një familje artistësh e stili për të ka ardhur si një traditë. Ushqimi i përditshëm i Belës ka qenë e bukura, e mishëruar në tablotë e periudhës realiste. Detajet dhe format e kostumeve tona popullore kanë qenë pjesa që e ka tërhequr gjithnjë.

Pikërisht këtë lidhje shpirtërore me të shkuarën, ajo arriti ta trumbetonte më fort në edicionin e tretë të Ethno Vibe, në muzeun e stilit, që këtë vit u zhvillua në qytetin e traditës, Korçë. Me stil, elegancë dhe traditë, ajo tërhoqi vëmendjen e të gjithë të ftuarve, duke e ngritur punën e saj në një nivel edhe më të lartë.

Të bësh art, sipas saj është të njohësh traditën. Pikërisht elementet e xhubletës në ngjyra e formë, të tirqeve, xhamadanit, palave të këmishëve, çorapëve, jelekëve, i kanë përcjellë gjithmonë shijen e mirë dhe dëshirën për të ruajtur e krijuar veshje që shumë bukur mund të përdoren edhe në ditët e sotme.

Për realizimin e këtij koleksioni, ajo është bazuar te kostumi i mashkullit korçar. Duke qenë se edhe vetë Bela shquhet për një stil minimalist, gjëja e parë që i tërhoqi vëmendjen ishte kostumi mashkullor i kësaj zone. Sipas saj, ky lloj kostumi ka një siluetë perfekte e një harmoni që e bëri të ruante strukturën bazë edhe në koleksionin që realizoi: 

“Ka një grafikë të përkryer. Kam luajtur me materialet. Për shembull, nëse asokohe poshtë këmishës me mëngë shumë të gjera vishej triko leshi, unë kam përdorur si mëngë doreza lëkure, që shumë bukur mund t’i përdorim në përditshmëri.”

Në vend të çorapëve, ajo ka përdorur këmbëza lëkure me detajin e xhufkës, që gjithashtu mund të kombinohen fare lehtë me fustane, funde, pantallona e janë një detaj që bën diferencën. Duke qenë fanatike e traditës, forma e xhaketës është ruajtur duke ndryshuar vetëm elementin e zinxhirit. Me anë të tij, xhaketa përdoret në forma të ndryshme.

Brezi gjithashtu është një element shumë i rëndësishëm. Gjëja tjetër që ka pasur rëndësi të madhe në etnografi ka qenë këmisha. Në pjesën më të madhe të koleksionit, ajo e ka sjellë këmishën si fustan, duke ruajtur mëngët, palat dhe jakën.

Një element tjetër që stilistja ka dashur ta ruajë me çdo kusht, por duke e sjellë ndryshe, është qeleshja. Struktura e përdorur nuk është tamam ajo e zonës së Korçës, lidhet më shumë me zonën e jugut, e shkurtuar pak. “Në të ardhmen, - shprehet ajo, - dua të realizoj një koleksion vetëm me qeleshe.” 

Në fillim, e pati të vështirë të realizonte këtë koleksion, sepse nuk kishte frymëzim, por një ditë bëri njëzet skica e aty e ndjeu që ishin pikërisht të duhurat. Seleksionoi dhjetë prej tyre dhe kostumet u realizuan brenda dhjetë ditëve.

E titulloi “Dualizëm”, sepse, sipas saj, bota është e tillë. Duhet t’i largohemi mendimit që çdo gjë ka gjini. Jemi në një kohë ku stilet nuk diktohen nga mendime të vjetra për atë çka është femërore apo mashkullore. Me këtë koleksion, ajo do të forcojë pozitat e femrës përballë mashkullit. Trupi dhe shpirti, tokësorja dhe qiellorja. Çdo gjë është e krijuar në çift. Thuhet se edhe bimët janë krijuar çift, kështu që duhet ta pranojmë këtë realitet, për të ecur përpara. Ky është dhe mesazhi që ajo ka dashur të shprehë nëpërmjet këtij koleksioni, sa tradicional, aq edhe bashkëkohor në të njëjtën kohë.

Modele: Ani Dishnica/ Fotografia: Rosita Habazaj

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor