Femijet 8 Nëntor 2019

Arsyet përse qan një foshnje edhe kur nëna mendon se gjithçka është në rregull; Mënyrat më të mira të qetësimit sipas pediatrëve

Femijet

E qara është forma e parë dhe kryesore e komunikimit që përdorin foshnjat e porsalindura. Ato qajnë mesatarisht nga 1 deri në 4 orë në ditë. Kjo është pjesë normale e përshtatjes me jetën e re jashtë mitrës.Në përgjithësi, gjatë muajve të parë pas lindjes, është mirë të reagoni menjëherë kur foshnja qan. Mos mendoni se po e llastoni, nëse mundoheni ta qetësoni. Studimet kanë treguar se reagimi i shpejtë dhe i ngrohtë ndaj foshnjës që qan, bën që ajo të jetë më e qetë dhe të flejë më mirë gjatë natës. Nëse foshnja qan për një kohë të gjatë, ju rekomandojmë të listoni nevojat që mund të ketë.

A është e uritur?

Mos vallë i duhet ndërruar pelena?

Mos vallë duhet të gromësijë?

Mos ndoshta ka vapë ose ftohtë?

Ndoshta ka nevojë të thithë diçka, qoftë gishtin, apo biberonin e rremë.

Ndoshta do që të lëvizë, të tundet, të përkëdhelet, t’i flas me zë të ëmbël e t’i këndoj.

Mos ndoshta duhet të ndërrojë pozicion? Mos vallë po e pickon, shpon apo shtrëngon diçka?

Mos ndoshta ka luajtur dhe është lodhur më shumë se ç’duhet? Mos vallë ka nevojë të qajë për njëfarë kohe?

Mundohuni të plotësoni fillimisht nevojat më thelbësore të foshnjës. Në rast se problemi është uria, atëherë ushqejeni menjëherë. Nëse fëmija qan fort, kontrolloni nëse e shpon apo e pickon diçka. Nëse ndihet ngrohtë, nuk është e lagur, është ushqyer dhe ka pushuar mirë, por nuk pushon së qari, kini parasysh sugjerimet e mëposhtme, të cilat mund jenë shumë të dobishme:

Mundohuni ta mbështillni me një batanije (shikoni faqen 260).

Folini apo këndojini ëmbël duke e kthyer përballë vetes.

Përkëdheleni lehtë te koka ose fërkojeni në kraharor apo shpinë.

Jepini gishtin tuaj apo diçka tjetër që ta thithë teksa e tundni apo e shëtisni me një ritëm të caktuar.

Lëvizeni ngadalë, tundeni duke e mbajtur në krahë, duke ecur me të, të mbështetur te shpatulla juaj ose duke e mbajtur para vetes në mbajtësen kangur.

Vini muzikë të lehtë në sfond.

Mbajeni foshnjën të shtrirë barkas në prehër.

Ngrijeni lart, mbështeteni te shpatulla apo kraharori juaj.

Vendoseni foshnjën në ndenjësen e saj të makinës dhe dilni për një xhiro.

Bëjini një banjë me ujë të ngrohtë ose vendosni një shishe me ujë të ngrohtë, jo të nxehtë, mbi barkun e saj.

Dilni jashtë dhe shëtiteni me karrocë.

Bëni sa më pak zhurmë dhe mbani sa më pak drita në mjedisin ku ndodhet foshnja. Mundohuni të bëni zhurma boshe e të vazhdueshme, si zhurma monotone e fshesës me korrent apo mund të regjistroni zhurmën e dallgëve të detit. Kjo mund t’i qetësojë dhe t’i vërë në gjumë foshnjat, pasi mbyt të gjitha zhurmat e tjera. Në rast se foshnja është e thatë, e ushqyer dhe ngrohtë, por vazhdon të qajë, ndoshta ka nevojë të qëndrojë vetëm për dhjetë apo pesëmbëdhjetë minuta. Mos u largoni shumë dhe kontrollojeni çdo minutë nga një largësi jo shumë e madhe. Ndonëse disa prindër e kanë të vështirë ta lënë foshnjën të qajë, vetmia mund t’i japë mundësinë të çlirojë tensionin që ka grumbulluar. Mos harroni se jo gjithmonë do të mund ta qetësoni, veçanërisht kur ka nevojë të çlirojë tensionin. Foshnjat qajnë dhe kjo është më se normale. Mos e humbni besimin, pasi e qara nuk do të zgjasë përgjithmonë. Të qarat e foshnjës zakonisht arrijnë kulmin në gjashtë javët e para pas lindjes. Më pas, foshnja qetësohet. Brenda tre apo katër muajsh, do të vëreni një përmirësim goxha të madh. Gjithashtu, është më se normale që e qara e tepruar, t’u duket e pashpresë prindërve. Koordinohuni me të afërmit, miqtë apo me kujdestaren e foshnjës për të bërë disa ditë pushim, për të cilat keni aq nevojë. Madje, edhe një orë pushimi mund t’jua ripërtërijë fuqitë.

Nëse po filloni ta humbisni kontrollin nga të qarat e foshnjës, lëreni atë në një vend të sigurt, si për shembull në krevat. Më pas, telefonojini mjekut, urgjencës së spitalit apo shërbimit më të afërt mjekësor. Sado e paduruar apo e inatosur që të jeni, mos e shtrëngoni apo shkundni kurrë foshnjën. Gjithashtu, mos lejoni as të tjerët ta bëjnë këtë. Kjo gjë mund të rrezikojë shikimin e saj, mund të shkaktojë dëmtim të trurit, madje edhe vdekje.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor