Aktualitet 6 Nëntor 2019

‘Shpikja e flatrave’; Botimet ‘Living’ sjell udhëtimin frymëzues të dy grave në drejtim të…fatit

Aktualitet

Botimet Living prezantojnë librin “Shpikja e flatrave”, një roman shumë i suksesshëm i autores Sue Monk Kidd.

Një histori flakë e zjarr për një skllave e për një zonjushë

Një histori triumfuese e dëshirës për liri dhe përparim, udhëtimi i jashtëzakonshëm i dy grave mbresëlënëse: Heti Trazovaçe Grimkes, një skllave në rrethinat e Çarlstonit të fillimshekullit XIX, dhe Sarës, bijës ëndërrimtare të Grimkeve.

I frymëzuar pjesërisht prej figurës historike të abolicionistes dhe ithtares së të drejtave të grave, Sara Grimke, romani i Kidit nis të rrjedhë që nga ditëlindja e njëmbëdhjetë e Sarës, ditën kur i dhanë në pronësi një skllave, dhjetëvjeçaren me emrin Trazovaçe. “Shpikja e flatrave” i ndjek këto dy gra në rrugëtimin e tyre për tridhjetë e pesë vitet në vijim, teksa secila rreket të krijojë jetën e saj, duke lënë gjurmë të dukshme në jetën e tjetrës e duke formuar një marrëdhënie të shënjuar nga faji, dështimet, largimet dhe vuajtjet prej dashurisë.

Kur ke lindur skllave, fati yt është i paracaktuar. Edhe kur rrjedh nga një familje e madhe, e cila ka në pronësi plantacione të paana dhe zotëron mijëra skllevër, mund të përfytyrohet e ardhmja ndritur që të pret. Me këtë roman të ri, autorja amerikane Sue Monk Kidd hyn në zemër të këtyre dy botëve, për të na treguar një histori të mrekullueshme qëndrese, rebelimi dhe guximi për të ëndërruar, ngjarje të para me sytë e skllevërve, padronëve dhe të përparimtarëve.

Ky roman i jashtëzakonshëm me sfond historik është një panoramë drithëruese e ndikimit dhe e pasojave që pati skllavëria si në jetën e skllevërve, ashtu edhe tek të bardhët.

“Frymëzues… i fuqishëm… Duke venë në qendër këto dy femra, ky libër na thellon njohuritë për çka ka ndodhur në mesin tonë – dhe fatin përse kjo çështje është ende e rëndësishme.”

THE WASHINGTON POST

“Një kryevepër që ngacmon me forcë nënndërgjegjen tonë… duke na çliruar e duke na mbushur me shpresë.”

– NPR

“Ky roman i mrekullueshëm më mprehu shqisat për domethënien e vërtetë të të qenit grua: skllave dhe e lirë. Libër që ia vlen të diskutohet.”

– Oprah Winfrey, O, The Oprah Magazine

 

Libri, i cili do të jetë në ditët e panairit (13-16 nëntor) në stendën e 'Botimeve Living', ka ngjallur shumë interes edhe tek lexuesit e Kosovës.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor