Marredhenia ne çift 1 Nëntor 2019

Vendos të martohet me njeriun e zemrës 1 ditë para ndarjes nga jeta, historia e 52 vjeçares që përloti botën

Marredhenia ne çift

Kur Tracey MacDonald takoi për herë të parë Colin, njeriun me të cilin kaloi njëzet vitet më të bukura të jetës së saj, e ndjeu që në fillim se ai ishte i duhuri, burri për të cilin kishte ëndërruar gjithmonë.  Jeta e saj ishte skëterrë, sapo kishte dalë nga një lidhje toksike dhe po rriste krejt e vetme dy vajzat e  katërvjeçare. Colin u kthye në mikun e saj më të mirë, bashkudhëtarin me të cilin ndau rrugën e zemrës. Çifti u bekua me ardhjen e katër fëmijëve, të cilët zbukuruan akoma e më shumë jetën e tyre. Të impenjuar me rritjen e tyre, Tracey dhe Colin nuk e panë të arsyeshme të kurorëzonin në martesë dashurinë e tyre, ndonëse gruaja 52 vjeçare kishte marrë disa propozime gjatë viteve.

Deri këtu duket historia e një çifti normal, mirëpo gjashtë muaj më parë ajo u diagnostikua me kancer në mushkëri. Pavarësisht përpjekjeve të saj për t’ia dalë mbanë, për të fituar edhe këtë betejë, sëmundja ishte më e fortë se dëshira për të jetuar dhe gruas australiane i kishte mbetur edhe pak kohë. Seancat e vazhdueshme të kimioterapisë nuk funksionuan dhe sëmundja tashmë kishte prekur stadin terminal. Por, Tracey kishte akoma një dëshirë: t’i thoshte ‘’Po’’ burrit që dashuroi gjatë gjithë jetës së saj. Ceremonia u mbajt në  ‘’Moorabbin Cancer Centre”, ku Tracey ishte shtruar prej kohësh.

Gjithçka u realizua brenda një dite, nga disa vullnetarë të një shoqatë australiane që kishte dëgjuar së fundmi në rrjete sociale. Tracey (52 vjeç) dhe Colin (51 vjeç) u betuan për dashuri të përjetshme në shoqërinë e fëmijëve, miqve më të mirë dhe stafit mjekësor, i cili asistonte për herë të parë në një ceremoni të tillë. Ditën e nesërme Tracey ndërroi jetë dhe historia u bë aq virale sa ‘’pushtoi’’ jo vetëm shtypin australian, por edhe atë ndërkombëtar. Ajo është shpërndarë më shumë se 120.000 herë, ndërsa në rrjet nuk kanë munguar as komentet dhe mesazhet e ngushëllimit./BURIMI ''THE SUN"

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor