Astroliving 1 Nëntor 2019

Parashikimi i yjeve për muajin nëntor: PESHORJA dhe AKREPI

Astroliving

PESHORJA: Do t’u jepni fund të gjitha çështjeve që për ju janë problematike. Nëse mendoni se brenda kompanisë ku punoni nuk ka më vend për ju, hidhni sytë përreth dhe do të zbuloni gjëra ndryshe nga të zakonshmet. Nëse punoni me familjarë, lind nevoja të reflektoni për ambiciet dhe rolin tuaj. Disa prej jush do të thonë “jo”. Kujdesuni shumë për fizikun tuaj, pasi prej kohësh nuk ndiheni mirë dhe lodhja do të bëhet e padurueshme. Shitblerjet janë të favorizuara. Kujdes me investimet me shuma të mëdha parash, sidomos në fillim të dhjetorit. Do t’i jepni fund një bashkëpunimi të panevojshëm.

Historitë e dashurisë që janë mbyllur së fundmi do t’i harroni me kalimin e kohës, sepse duke nisur që prej dhjetorit do të jetë më e lehtë t’i ktheheni rutinës suaj. Jeni në prag të një faze ndryshimesh të mëdha që nuk ndikon vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë të ndjenjave. Debatet në familje do ta bëjnë më të vështirë marrëdhënien prind-fëmijë, sidomos nëse arsyeja është një ndarje pronash. Kjo fazë e paqëndrueshme duhet trajtuar me shumë kujdes. Sigurisht që jo të gjitha çiftet do të kenë probleme, por mos hidhni hapa të gabuar. Tradhtitë do të zbulohen shumë kollaj. Gjeni një zgjidhje me partnerët nëse keni debate për edukimin e fëmijëve tuaj. Ky është momenti i zgjedhjeve të rëndësishme.

Kohët e fundit jeni shumë të zënë me punë, ja pse forma juaj fizike është e paqëndrueshme. Shqetësimet me karakter ekonomik ndikojnë në gjendjen tuaj emocionale dhe në ekuilibrin shëndetësor. Kujdes nga çdo gjë që bëhet me tepri, sidomos nëse prej kohësh po bëni një punë që nuk ju dhuron kënaqësi, por që kërkon shumë angazhim.

AKREPI: Muajt e fundit të 2019-ës do të jenë shumë interesantë. Madje edhe Urani, planeti juaj armik, do t’ju mbështesë dhe ju do të përjetoni një zhvillim personal në shumë fusha. Falë përvojës së gjatë në një kompani tjetër, tani do të keni rolin që dëshironit prej kohësh. Kjo periudhë do të jetë interesante edhe për ata që punojnë në fusha krijuese. Studentët do ta kenë më të lehtë të zgjedhin me çfarë duan të merren. Projektet e reja do të jenë frytdhënëse falë Mërkurit që kalon në shenjën tuaj këtë muaj. Intuita juaj do të jetë e mprehtë. Tani jeni gati t’ia nisni nga e para nëse në të kaluarën keni pasur probleme. Do të çliroheni nga një barrë që ju bezdiste prej kohësh.

Yjet favorizojnë shumë martesat dhe bashkëjetesat këtë muaj. Edhe pse zakonisht martesat organizohen gjatë verës, shumë nga ju do ta shohin vjeshtën si stinën e duhur për të zyrtarizuar një dashuri të madhe. Të lindurit në shenjën tuaj dashurohen shpesh me njerëz të pasigurt, ja pse shpeshherë keni konflikte në çift. Këtë muaj do të dalin në pah cilësitë tuaja më të mira. Ata që kanë kaluar një krizë, këtë muaj do të rifitojnë besimin e humbur dhe dëshirën për të dashuruar sërish. Pasioni do të shtohet shumë, sidomos në datën 19. Periudha është e favorshme edhe për çiftet që duan të bëhen me fëmijë. Me yjet që ju mbështesin kaq shumë, mund të ndodhë gjithçka.

Është e vërtetë se viti ka nisur me probleme dhe ju vetë ndiheni të lodhur fizikisht. Ky është momenti i rimëkëmbjes. Pikat e dobëta të të lindurve në shenjën tuaj janë irritimet e papritura, që vijnë si pasojë e emocioneve që i mbani përbrenda prej shumë kohësh.  

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor