Marredhenia ne çift 28 Tetor 2019

Sa javë pas lindjes duhet të prisni para se të kryeni marrëdhëie seksuale; Disa këshilla thelbësore nga gjinekologët

Marredhenia ne çift

Sigurisht që pas shtatzënisë mund të kryeni marrëdhënie seksuale. Edhe pse seksi nuk mund të jetë gjëja e parë që ju vjen në mendje, me kalimin e kohës, do të bëhet sërish i rëndësishëm. Nuk duhet të harroni se pas lindjes, trupi i një gruaje do kohë që të rigjenerohet, pavarësisht nëse ka bërë një lindje natyrale apo me operacion. Shumë mjekë rekomandojnë të prisni 4 deri në 6 javë pas lindjes, përpara se të kryeni marrëdhënie seksuale. Kjo i lë kohë qafës së mitrës të mbyllet, lejon ndalimin e hemorragjisë pas lindjes, si edhe rigjenerimin e çarjeve apo qepjeve. Megjithatë, kjo varet: disa gra janë gati t’i rikthehen seksit vetëm disa javë pas lindjes, ndërkohë që disa të tjera duan disa muaj kohë, madje edhe më shumë. Faktorët, si: lodhja, depresioni i paslindjes dhe ndryshimet trupore, mund të ndikojnë në dëshirën e gruas për të bërë seks. Është e lodhshme të kujdesesh për një foshnjë të porsalindur. Nëse jeni shumë të lodhura për të bërë seks kur shtriheni, shpreheni atë që mendoni, mos e mbani përbrenda. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se jeta juaj seksuale ka marrë fund. Mund të shfrytëzoni mëngjesin apo çastet kur foshnja fle.

Mos harroni se një marrëdhënie intime, nënkupton shumë më tepër se vetëm seks, veçanërisht kur po përshtateni me jetën e re. Nëse nuk ndiheni joshëse apo keni frikë se mos keni dhimbje, ndajeni këtë shqetësim me partnerin. Deri kur të ndiheni të gatshme, mund ta konsumoni intimitetin në mënyra të tjera. Shumica e çifteve janë gati ta fillojnë marrëdhënien seksuale 6 muaj pas lindjes së foshnjës. Kur të jeni gati për marrëdhënie seksuale, merreni ngadalë. Për shkak të ndryshimeve hormonale, vagina mund të jetë e thatë dhe e ndjeshme, veçanërisht nëse gruaja e ushqen foshnjën me gji. Filloni me përkëdhelje, puthje apo masazh dhe rriteni intensitetin e stimulimit në mënyrë graduale. Nëse tharja e vaginës përbën problem, përdorni një xhel lubrifikues. Provoni pozicione të ndryshme, që të largoni shtypjen nga zonat ku ndieni dhimbje dhe të keni kontroll mbi penetrimin. Tregojini partnerit kur ndiheni mirë dhe kur jo. Nëse vazhdoni të keni dhimbje gjatë seksit, konsultohuni me mjekun. Në zonën vaginale mund të përdorni krem me përmbajtje estrogjeni, por ky i fundit mund të pakësojë sasinë e qumështit. Konsultohuni me mjekun për avantazhet dhe disavantazhet që mund të ketë përdorimi i këtij kremi.

Informacioni është marrë nga libri: Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme sjellë në shqip nga Botimet Living!

Klikoni në këtë LINK për të blerë librin online

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor