Keshilla per udhetimet 21 Tetor 2019

"Kam vizituar pesë nga 7 kontinente" Historia e inxhinieres së ndërtimit që braktisi profesionin për pasionin e saj

Keshilla per udhetimet

NGA: BRUNILDA LAHE FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Sapo u hap dera e shtëpisë m’u duk sikur u hap një botë e tërë për të biseduar me një zonjë që kujtimet, suveniret dhe fotografitë nga udhëtimet e saj, i kishte vendosur në çdo mur, mobilie e kudo tjetër ku hidhje sytë. Edlina Bano apo Eda, siç e thërrasin miqtë, është një grua që nuk kalon pa bërë përshtypje. E veshur me një fustan plot ngjyra e kishte kurorëzuar pamjen me një kapelë me luledielli që e bënte të dukej diellore. Me buzëqeshjen e pakursyer na mirëpriti në sallonin që të magjepste, njësoj si në “botën e çudirave”.

Eda ka qenë inxhiniere ndërtimi, por pas disa vitesh punë kuptoi se nuk ishte ajo çka dëshironte të bënte. Zonja me shumë pasione vendosi t’i kushtohej një biznesi më sfidues, argëtues dhe që t’i falte gëzim çdo ditë. Kështu, hapi një kopsht për fëmijë. Aktiviteti i konsoliduar i jep mundësinë të udhëtojë të paktën një herë në muaj, por ajo nuk përjashton rastet kur ka udhëtuar për tri javë me makinë nga Nju Jorku në Kaliforni dhe pastaj, sapo ka mbërritur në Shqipëri është nisur për udhëtimin e radhës.

Ndonëse ka nisur ta eksplorojë vonë botën, rreth vitit 2005, kontinentet që nuk ka prekur ende janë Australia dhe Antarktida. Udhëtimi i saj i parë ka qenë mbresëlënës, në një nga Shtatë Mrekullitë e Botës, Piramidat e Egjiptit. Aty përjetoi ndjesinë e pakrahasueshme që mund të të dhurojë vetëm një vend me një kulturë e traditë tjetër.

Në këtë mënyrë, eksplorimi i botës u bë pjesë e pandarë e jetës së saj. Kryeqytetet e Europës dhe më pas qytete të ndryshme u kthyen në një maratonë zbulimi njëri pas tjetrit, aq sa i kanë mbetur pa parë edhe vetëm disa shtete, ndër të cilat: Letoni, Lituani dhe Bjellorusi, që do t’i vizitojë shumë shpejt, pasi ka bërë edhe rezervimet e hoteleve.

Edhe këtë herë do të udhëtojë me makinë drejt këtyre vendeve. Për të shuar gjithë kureshtjen për Europën, dy udhëtimet e ardhshme do të jenë në Islandë dhe Irlandë. Ndonëse shënon çdo vend ku shkon në një hartë të madhe, ka hequr dorë nga numërimi i shteteve që viziton.

Për të asgjë nuk ka më shumë rëndësi sesa kujtimet e çmuara që ka në këto vende. “Unë jam martuar në një kishëz në Las Vegas dhe martesa është bekuar dhe firmosur nga një “Elvis Presli” që më pas këndoi me kitarë vetëm për ne. Ku ka më bukur sesa të flesh në një dhomë-shpellë në Kapadokia, të shëtisësh herët në mëngjes me balonë apo të kthehesh edhe një herë fëmijë në kryeqytetin e trulleve, në Alberobello.

Është experience unike, kur njësoj si në veprat e Tolstoit, merr trenin në Moskë për të shkuar në Shën Petërburg dhe gjatë gjithë natës të bisedosh me udhëtarë që i takon rastësisht.

Po kështu është edhe “Ashensori i tmerrit” në Diznejlend, të flesh dhe të lahesh në “Marina Bay” në Singapor, të provosh pishinën e vetme me dallgë në hotelin “Mandalay Bay”, të skijosh brenda qendrës tregtare ndër më të mëdhatë në botë, në Dubai, të jesh në Hallstat të Austrisë, Bled të Sllovenisë, në kështjellën “Neuschwanstein” të Bavarisë, apo të rrethohesh nga bardhësia e Pamukalesë; janë ndjesi që vështirë të përshkruhen. Mbresa të veçanta kam përjetuar kur kam kaluar Rrethin Arktik me drerë në Lapland, Finlandë.

Aty bëra edhe Shkollën e Elfëve. Aventurat në natyrë janë të pakrahasueshme, si për shembull shëtitja në Murin e Madh Kinez, soditja e natyrës së egër, e hipur mbi një elefant apo e ulur mbi shpinën e një krokodili në Tajlandë. Kam provuar si është të gjendesh “pa gravitet”, në një shtëpi të kthyer kokëposhtë me gjithë mobilie. Pra, nga çdo udhëtim kthehem e pasuruar me eksperienca dhe ndihem më shumë qytetare, e ndjeshme ndaj botës, pastërtisë së ambientit dhe dëshirës për të qenë më pozitive dhe dashamirëse.

”Eda sapo është kthyer nga një udhëtim në Japoni dhe është entuziaste të tregojë gjithçka mahnitëse ka parë dhe ka shijuar atje. Eksperienca më e veçantë ishte të vishej si një gejshë dhe të flinte në një “roykan”, hotel tradicional japonez. Sigurisht që edhe prej këtij vendi u kthye me shumë suvenire dhe veshje tradicionale vendase, siç bën në çdo vend që shkon. Këtë herë, gardëroba e saj u pasurua me një kimono me të gjithë aksesorët: rripin, fjongon, erashkën, çorapët me dy gishta, shapkat dhe karficat me lule. Eda udhëton bashkë me bashkëshortin. Ai e ka mbështetur këtë pasion të sajin dhe në çdo vend ku shkojnë, përpiqen të jetojnë si vendasit, të vishen, të ushqehen dhe të udhëtojnë si ata, me transport publik.

Ata shohin jo vetëm destinacione të njohura, por edhe qytetet apo fshatrat përreth. Asgjë nuk është rastësore, pasi Eda është mjeshtre e planifikimit. Shpesh i ndodh të planifikojë një udhëtim dy apo tri vite më herët. I tillë ishte udhëtimi për të festuar Vitin e Ri në Rrethin Arktik, rezervimet për të cilin duheshin bërë kohë më parë. Ditëlindja e Edës është në muajin mars dhe prej shumë vitesh ditën e festës së saj ajo e kalon në një vend të ndryshëm, madje edhe duke bërë gjëra të pazakonta për të.

“Ditëlindjen në Dubai e festova duke bërë safari në shkretëtirë dhe në mbrëmje duke fluturuar me një hidroplan. Një vit tjetër zgjodha Maldivet, ku drekuam në një restorant nën ujë, rrethuar nga mrekullitë e botës nënujore. Në Karaibe zgjodha të udhëtoja me anije drejt ishullit ku janë realizuar xhirimet e filmit “Pirati i Karaibeve”.

Në Portugali festova në hotelin e futbollistit të famshëm Ronaldo, kurse këtë vit për ditëlindje isha në Rio de Zhaneiro, e veshur me një kostum festiv dhe përjetova eksperiencën e karnavaleve braziliane.” Eda i përket shenjës së peshqve dhe pa dyshim që nuk është një peshk akuariumi, por një peshk oqeani, që nuk do të ndalet asnjëherë së zbuluari bukuri dhe ujëra të reja.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor