Personazh 19 Tetor 2019

Violina e para, hudhra e dyta në çdo koncert të madh të Olenit; Intervista ekskluzive për Living

Personazh

Nga Elona Jaçellari/ Fotografia Armand Habazaj

Nëse do të ndihesh pa nacionalitet, pa ndjenja përkatësie, nëse do të ndihesh i pakohë dhe pa gravitet, shko në koncertet e Olen Çezarit. Aty, në mes të një turme të gjigante, në karriken vetjake, këmbët do të shkëputen nga Toka dhe shpirti do të të futet mes yjesh.

Kur ke në dorë biletën e një virtuozi, pret një koncert me partitura e tinguj të hollë klasik, por ky nuk është rasti i Olen Çezarit. Virtuozi, gjeniu shqiptar, siç e ka cilësuar kritika botërore, është nga ata artistë që arrin të ta ngrohë dalëngadalë shpirtin, derisa prej tij të lëshohen gjuhë flakësh. Olen Çezari, e hip jetën në skenë dhe e bën të vallëzojë e çmendur si një cigane, çdo element të ekzistencës, ai i shkrin në një, me violinën e tij. Skena e Olen Çezarit flet gjuhën e gjithë botës, ndërsa Okestra Ndërkombëtare Klandestine, siç e ka quajtur ai bandën e vet, është një bashkim dehës virtuozësh nga Peruja, Argjentina, Italia... “I kam quajtur enkas, Klandestinët Ndërkombëtar. Ka një të vërtetë këtu. Të gjithë ne, kemi pasur një moment të jetës sonë që nuk kemi qenë në rregull me dokumentat, kudo ku kemi qenë nëpër botë. Nuk është ky motivi i vërtetë pse i kam vënë grupit tim këtë emër. Ky emër erdhi, sepse secili nga ne vjen nga një kontinent, ka një histori, ka një entitet. Nga Australia deri në Afrikën e Jugut, nga Peruja, Brazili, Argjentina, është gjithë bota në atë orkestër, që ka 10 vite që është ndërtuar.”- ndan Olen Çezari në një intervistë për Revistën Living.

Olen Çezari lindi mes nesh, por tani ai është i të gjithëve. Publiku i gjithë botës e do, e thërret dhe e “lexon” artin e tij. Ka gjetur një rrugë që t’ju flasë të gjithëve, me qëllim që të gjithë ta kuptojë e duan atë që Oleni krijon dhe luan me violinë. Që në rininë e hershme u dallua si gjeni i muzikës klasike, por skenat dhe teatrot anë e kënd globit, filluan ta duan edhe më shumë kur ai bëri një kthesë 180 gradëshe në karrierë. Braktisi klasiken, në këmbim të asaj që ai sot e quan Ëorld Music. “Kur gjërat bëhen rutinë, fillon dhe ke një problem. Unë pata një problem me karrierën time klasike. Bëja pjesët virtuoze, pararaqisja para çdo koncerti 3-4 repertore. Ka qenë një fazë e jetës që dërgoja repertorët, dhe ata nuk zgjidhnin asnjë prej të katërtve, por zgjidhnin gjithmonë të pestin që ishte një gjë ndryshe, më alegro, gjëra që të tjerët nuk i bënin. Erdhi një moment që performanca ime si virtuoz u bë si detyrë dhe fillova të lodhem,- ndan Oleni për lexuesit e Living.- Nga ana tjetër, fati dhe bashkëpunimi me Luçio Dalla-n, më bënë të kuptoj që ishte shumë herë më bukur ta krijoja një gjë vetë nga e para, një gjë që dilte nga unë, që nuk kishte lidhje fare me partiturën. Nga ky moment, nisa të merresha me muzikë që nuk kishte fare lidhje me klasiken.

Filloi të më pëlqente bluzi, jazi, madje kur jetoja në Amerikë fillova të merrem edhe me hip-pop. Për një farë periudhe unë bashkëpunoja me këdo, në çfarëdo lloj vendi të botës të shkoja. Nuk kisha atë lloj sikleti që nuk do bashkëpunoja me arstitë të panjohur. Kjo gjë më hapi horizontin dhe momentin që u lidha me Luçio Dalla-n dhe bëmë tur botëror, ai më thoshte improvizo, bëj një gjë tënden dhe ai ka qenë shtysa më e madhe që më hapi një vizion tjetër. Nga ky monet, për dy-tre vjet, unë bëja dhe turet e mia klasike edhe turet me Ëorld Musik. Derisa vendosa te jem tërësisht këtu.” Në koncertet e Olen Çezarit nuk ka një repertor të paracaktuar, pikërisht prej këtij fakti. “Në skenë transformohem, sepse adhuroj publikun dhe e thith energjinë si magnet, të cilën e kthej mbrapsht dhe kjo lloj vale që vazhdon dhe nuk ndalon derisa mbaron koncerti. E çuditshme është që ne nuk zgjedhim repertorin para se të bëjmë koncertin, sepse ajo vendoset në bazë të reagimit të publikut.” Publiku i Olen Çezarit është amerikan, brazilian, kinez, tajlandez, grek, italian, francez ... Ka një sukses dhe afirmin të jashtëzakonshëm prej artisti, por sa më larg ngjitet fama e tij, aq më poshtë zbret Oleni. Nëse e takon dhe e njeh nga afër, ta zbut shpirtin me thjeshtësinë e tij. “Më ka bërë të tillë eksperienca që kam pasur në jetë,- shpjegon ai.- Luçio Dalla më ka dhënë një mësim shumë të fortë për këtë, gjatë vitit të plotë të turneve që bëmë bashkë nëpër botë. Kisha ëndërruar gjithmonë të ngjitesha në skenën e Metropolitan Neë York, dhe këtë e arrita me Luçio Dalla-n. Pasi mbaruam koncertin, ai më tha të iknim në një lokal ku luhej muzikë jazz. Lucio mori klarinetën, unë violinën, morëm një taksi dhe ikëm. Përfunduam nga një skenë gjigantenë një lokal 50 m katror, me një skenë 6 metra katrorë, ku njerëzit vinin emrin në listë për të interpretuar. Ishte si karaoke. U kënaqëm shumë, por nuk arrija akoma ta kuptoja sesi nga ai koncert gjigant, përfunduam aty. Kur mbaruam e pyes Lucion dhe çfarë domethënë kjo “dalle stelle alle stalle”?  I them: ‘Deri tani ishe në sallën më të rëndësishme në botë, me një publik që paguan nga 300-400 dollarë për të të parë ty, ndërsa ti mbaron koncertin dhe vjen e luan në një vend ku askush nuk të njeh, e jo vetëm që s’na dhanë kokërr leku, por madje paguam për të hyrë’. Më pa dhe më tha: ‘Këtë e bëra për ty, që kur të rrëzohesh, të biesh me këmbë në tokë.’ Këtë mësim e mbaj dhe e kam vëth në vesh. Sado që të arrish majat  suksesit, duhet të rrish me këmbë në tokë, sepse bota rrotullohet. Dhe nuk i dihet se ku do përfundosh. “

Në rrugëtimin e tij të ethshëm mes artit dhe mjedisit, Olen Çezari është djali që beson se gjërat e mëdha në jetë bëhen me zemër. Me zemër ai vazhdon e ndërton rrugën e tij si mjeshtër i papërsëritshëm i violinës dhe po me zemër vazhdon të ndjekë ëndrrat e tij të mëdha. Pas ideimit dhe fillimit të realizimit të projektit për shtatë mrekullitë e botës, ëndrrën e radhës Oleni e ka hedhur jashtë Tokës. “E ke parasysh atë momentin pasi  ëndrra realizohet dhe ti ndihesh bosh, sepse ajo ëndërr e madhe nuk është më ? Nuk mund ta lija veten pa ëndërr, por ëndrra që kam tani është e vështirë e nuk e di sa si do ja dal. Të paktën e kam një ëndërr dhe ajo ëndërr është që t’i bie violinës në Hënë. Edhe për këtë po punoj. Kam filluar të lëviz. Pata një kontakt në Brazil me Elon Musk, krijuesin e mjetit fluturues Space X. Unë e di që ai ka në plan të çojë njerëz në orbitë dhe shpresoj të bëjmë diçka edhe për ëndrrën time.”

Olen Çezari është mishërimi më i vërtetë i shprehjes: nëse do të jesh i madh një ditë, duhet që edhe ëndrrat t’i kesh të mëdha. Megjithatë, një ndër shumë shqiptarët që sot na bën krenar nëpër botë, është i suksesshëm, i famshëm, gjithë Toka e thërret të dehet me tingut e tij, por ai nuk mjaftohet me kaq. Një ditë, ëndrra e këtij ylli absolut, është t’u bashkohet yjeve të vërtetë e të luajë për ta.

Shkurt nga Oleni

Të quajnë gjeni, si e konsideron veten?

Jam një njeri i zakonshëm me një dhuratë të madhe. Ai quhet veshi absolut. Kam lindur me të. Kam studiuar kur kam qenë i vogël nga 8-9 orë në ditë, këtë po. Sot, shoh moshatarët e mi që kanë një punë normale, një jetë normale, ndërsa unë shëtis botën me koncerte. Ajo sakrifica kolosale që kam bërë unë kur kam qenë i vogël më është kthyer mbrapsht.

Kur e kuptove që muzika, ishte jeta jote?

Më bënë një shaka familja kur isha 7 vjeç. Studioja me qejf, por edhe me stres. Kisha me qejf pjesët argëtuese, ndërsa ato të vështirat që nuk ishin as të bukura, i kisha inat. Prindrit e mi më bënë një gjë, shumë shokuese në atë kohë: Më fshehën violinën dhe më thanë që ma kishin vjedhur. Shëtita për tre ditë gjithë Durrësin me biçikletë, në këmbë, me karrocë duke kërkuar violinën dhe nuk e gjeta. Ditën e kartërt e gjeta poshtë shkallëve të pallatit, fshehur në një cep. Kjo gjë më bëri të kuptoj që unë nuk jetoja dot më pa violinën, pa muzikën.

Cfarë është jeta për ty?

Është një lloj ëndrre që çdo ditë do ta besosh se nuk është e tillë.

Cfarë është dashuria?

Është ajo gjëja për të cilën ti lufton pa reshtur.

Cfarë është të guxosh?

Guxim është një çmenduri të cilën ti e përballon. Guxim për mua ishte të hipja në statujën e Krishtit në Brazil e të performoja.

Cfarë ëshët suksesi?

Sukesi është liri, liri e mendimit, lëvizjes, krijimit. Të jep lirinë ekonomike, mendore dhe të jep mundësinë të bësh atë që ti do.

Violina e unike e Olenit që nuk e ndërron me gjithë violinat  e botës

Në morinë e elementeve dhe detajeve skenike që ndezin koncertet e Olen Çezarit, duke nisur, nga ndriçimi, efektet pamore, etj., ndër ato që bie më shumë në sy, është violina e tij transparente. Duket si mjet i ardhur nga ndonjë planet futurist, që përthyen notat nga duart e artistit të saj; dritat e skenës i depërtojnë nëpër trupin hollak dhe pjesë e magjisë së gjithë koncertit është edhe kjo violinë shumë e veçantë. “Këtë violinë, e cila quhet Vivo, e ka krijuar një miku im britanik, por që unë e kam marrë si një dhuratë nga miqtë e mi për ditëlindje. Ata e dinin që unë e pëlqeja shumë dhe e kisha provuar në një koncert në Stamboll. Kështu, 40 miq të mi, u mblodhën, vunë lekët për këtë violinë dhe ma dhuruan për ditëlindje. Surpriza ishte organizuar në formë loje. Kishin ndërtuar një hartë dhe unë duhet të gjurmoja çdo shenjë që ata kishin vënë për të shkuar deri në pikën finale ku ishte fshehur violina. Kështu ndoqa plot 20 hapa, derisa zbulova violinën,- rrëfen Oleni.- As që ma priste mendja që do gjeja këtë si dhuratë, ndaj shtanga. Mbeta i hutuar si kalamajtë e vegjël. Ju thashë: çfarë të bëj unë tani? Të gjithë në kor: Bjeri !!!” Violina Vivo e Olenit, ka dy instumenta të ndërthurura bashkë, edhe violinën edhe violin. Ajo ka pesë korda dhe është e aftë teknikisht të përballojë koncerte me numër shumë të lartë pjesmarrësish, sepse është e amplifikuar si kitara elektronike, vetëm se ka tingujt identik të violinës. “Kam kërkesë nga shumë marka violinash, që duan t’i përfaqësoj, por ju them: ‘Nuk jeni akoma në këtë lloj niveli.’ Kështu që preferoj më mirë mos fitoj lek, sesa t’i bie një violine që nuk dua t’i bie.”

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor