Personazh 17 Tetor 2019

Jana Hyka 'vajza e perlave' Njihuni me koleksionisten më të re të gurëve të çmuar e më të vjetër në botë

Personazh

Perlat nuk gjenden në breg të detit. Nëse doni një, duhet të zhyteni thellë për ta gjetur.

KOLEKSIONISTJA E PERLAVE JANA HYKA

NUK ËSHTË HERA E PARË QË JANA HYKA VJEN NË FAQET E REVISTËS LIVING. Para shumë kohësh, ajo na prezantoi koleksionin e rrobave të banjës me kristale, të cilat i dizajnoi vetë, duke sjellë një koleksion unik. Herë të tjera është shfaqur pranë së ëmës, stilistes Mimi Memiaj, e cila i ka dhuruar gjithmonë nektarin e së bukurës. Që fëmijë, Jana është ushqyer me art dhe kjo e ka bërë të ketë një shpirt të pasur dhe kreativ. Sot, ajo është organizatorja e aktivitetit të vetëm dhe të përvitshëm për fëmijë “Albanian Fashion Week”, kushtuar modës së fëmijëve. Në këtë numër veror të Living, Jana vjen me një editorial kushtuar perlave, në të cilin përshkruan rrugën e gjatë të këtyre xhevahireve deri te ne. Nga redaksia Living

Perlat konsiderohen si gurët më të çmuar e të vjetër në botë, të cilët simbolizojnë fisnikëri, dashuri dhe pafajësi. Jo më kot njerëzit i kanë konsideruar si xhevahiret më të rralla. Deri në fillimshekullin XX, mënyra e vetme e grumbullimit të tyre ishte përmes zhytësve, që rrezikonin jetën duke hyrë në thellësi deri në 100 metra, për t’i gjetur ato. Perlat u paraqitën si dhurata në mbretërinë kineze që në fillim të vitit 2300 p.e.s, ndërsa në Romën e lashtë, u konsideruan si simboli i statusit perandorak. Para krijimit të perlave të kultivuara në fillim të viteve 1900, ato natyralet ishin aq të rralla dhe të shtrenjta, saqë rezervoheshin pothuajse ekskluzivisht për fisnikët. Në Perandorinë Romake, kur ethet e perlave arritën kulmin, historian Suetonius shkroi se gjenerali romak Vitelius financoi një fushatë të tërë ushtarake duke shitur vetëm një vëth perle të nënës së tij. Romakët dhe egjiptianët i çmonin perlat mbi gjithë gurët e tjerë, pasi ato përfaqësonin njerëzit më me pushtet të kohës dhe familjen perandorake, nga ku perlat u bënë simbol i pasurisë dhe fuqisë.

Në Kinën e lashtë, bizhuteritë me perla simbolizonin pastërtinë dhe pafajësinë, ndërsa në Mesjetë, kalorësit mbanin shpesh perla në fushëbetejë, duke besuar se këta gurë të çmuar do t’i mbanin të sigurt. Kokichi Mikimoto konsiderohet si njeriu i parë që ka krijuar një perlë të kultivuar, në vitin 1878, duke lënë gjurmë në tregun e perlave natyrale. Sot, pothuajse të gjitha bizhuteritë në treg janë me perla të kultivuara, kjo për shkak se nuk gjenden më perla natyrale.

EKZISTOJNË katër lloje kryesore perlash dhe ato ndryshojnë për nga madhësia, forma, ngjyra dhe vlera:

PERLAT E UJËRAVE TË ËMBLA, rriten kryesisht në lumenj dhe liqene në të gjithë Kinën, gjenden më lehtë dhe kështu, shiten me një çmim më të leverdishëm.

PERLAT JAPONEZE “AKOYA” janë më të njohurat në botë. Ato gjenden në ujërat japoneze dhe kineze, kanë formë sferike dhe shumë shkëlqim.

PERLA TAHITIANE, është një lloj tjetër perle e ujërave të kripura në ishujt e Polinezisë franceze. Pavarësisht se disa herë quhen perla të zeza, ato vijnë në dritëhijet e grisë, jeshiles dhe së purpurtës.

PERLAT E DETIT TË JUGUT janë më të mëdha nga të gjitha dhe në ngjyrë të bardhë, krem dhe të artë. Ato mund të gjenden në ujërat e Australisë dhe Filipineve.

Tashmë është hedhur poshtë miti se këta margaritarë janë  të rrumbullakët dhe simetrikë.

Ata vijnë në një sërë formash të ndryshme; më të zakonshmet janë rrumbullake dhe pikë loti, por të gjitha perlat janë të adhurueshme. Çdolloj perle do një kohë të caktuar që të zhvillohet, të paktën gjashtë muaj. Ditët e sotme, perlat e kanë humbur rëndësinë e dikurshme për arsye se njerëzit janë më pak të prirur drejt klasikes, megjithatë ato ruajnë vlerat simbolike femërore, pastërtinë, dashurinë dhe pjellorinë. Ato vazhdojnë të jenë dhurata ideale në ditët më të rëndësishme të jetës, si: fejesa, dasma, diplomime, lindje dhe pagëzime. Të rrumbullakëta apo jo, mbeten një zgjedhje fine për mbrëmjet dhe evenimentet tuaja .

NGA: JANA HYKA FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor