Personazh 8 Tetor 2019

Rrugëtimi mes dashurive të jetës dhe sukseseve të Luli Bitrit, aktorja që urren famën

Personazh

NGA: ELONA JAÇELLARI/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Ajo është aktorja që dashuron profesionin e saj, por urren famën. Kur është në skenë, interpreton me aq pasion, sa bën të të vlojë gjaku në vena, por menjëherë pasi mbyllet sipari i një shfaqjeje apo i një filmi, Luli Bitri tërhiqet në qoshen e vet, në vendin ku gjen lumturinë dhe qetësinë, të cilën e ka ndërtuar sipas trajtave të valëzimeve të shpirtit të saj.

Ajo dashuron natyrën dhe çdo shenjë në lëkurën e saj, të cilat e bëjnë të veçantë, por urren markat, fotoshopin dhe etiketimet që të tjerët “turren t’i qepin shpirtit të saj”.

Luli Bitri, aktorja e kinemasë dhe teatrit, që arrin të shpërfaqë shumë dimensione artistike me rolet që ka luajtur në Shqipëri, Itali dhe Greqi, karakterizohet për natyrën e ëmbël, të thellë, triumfuese dhe dramatike, si dhe për mendimet e guximshme. Ajo është aktorja shqiptare më e vlerësuar në festivalet ndërkombëtare të filmit. Numëron dhjetë çmime si protagonist në filmin, “Amnistia” të Bujar Alimanit, në “Dimmi che destino avro” të Peter Marcias-it dhe së fundmi, në filmin grek “Holy Boom” me regji të Maria Lafi-t, film i cili është duke bërë xhiron e festivaleve më të rëndësishme në botë dhe duke rrëmbyer çmime të njëpasnjëshme.

Aktorja e njohur po rrëmben jo vetëm çmimet, por edhe vëmendjen e kineastëve ndërkombëtarë, të cilëve nuk ka si të mos u bjerë në sy talenti i saj. Kështu, Luli Bitri fitoi menjëherë vëmendjen e aktorit dhe regjisorit italian Michele Placido-s, i cili e “rekrutoi” në shfaqjen e tij, “Un bacio sul cuore”, një produksion i Teatrit të Operës në Romë.

Jeta e saj është e ndarë mes Shqipërisë, Italisë dhe Francës, por angazhimet e shumta artistike dy vitet e fundit e kanë mbajtur më pranë vendlindjes.

Luli e shijon në maksimum çdo pjesëmarrje në festival e tapet të kuq që shkel. Ajo ngazëllehet si fëmijë sa herë që merr një trofe dhe këtë e shprehin më së miri sytë e saj të çiltër. Pas çdo çmimi të fituar, e nesërmja është një ditë e re për Lulin, ku gjithçka nis nga e para, por me përgjegjësi më të mëdha, sepse jo vetëm duhet të ruajë atë që ka arritur, por edhe ta çojë një hap më tej. Nisur nga arritjet profesionale, vlerësimet dhe çmimet e rëndësishme që ka marrë këtë vit, pas një karriere të gjatë në Shqipëri dhe jashtë saj, pa frikë mund të themi se ky është viti i Luli Bitrit. Dhe ky është vetëm fillimi...

VITI I LULI BITRIT

Nëse kthen kokën një vit pas në punën dhe arritjet e aktores, kupton që asgjë nuk i ka rënë nga qielli. Ajo është një natyrë e rregullt, që shquhet për disiplinë jo vetëm në punë, në profesionin e saj, por edhe në jetë. Thotë se e dashuron disiplinën dhe e urren falsitetin. Kush ka fatin ta njohë Lulin nga afër, e kupton se ajo është një njeri krijues, që ç’ia sheh syri, ia bën dora, dhe lë gjurmët e saj në çdo vend që jeton. Edhe pse ky ka qenë një vit shumë i ngjeshur për Lulin, sapo gjen pak kohë të lirë, ajo “arratiset” në shtëpinë e saj të fëmijërisë, në Kolonjë të Lushnjës, për t’u rikthyer që andej me bateritë e mbushura plot energji vendlindjeje dhe natyre të virgjër. “Më merr malli për shtëpinë time të mrekullueshme me oborrin plot me lule e pemë, për atë pjesë të jetës kur zgjohesha çdo mëngjes dhe ndihesha e mbrojtur, me prindërit e gjyshërit pranë. Realizimi i ëndrrave ka çmimin e vet. Jashtë, në rrugët e botës, je e detyruar që ta përballosh gjithçka e vetme. Sa herë që kthehem aty ku thura ëndrrat e para, mbushem me energji... Marr energji nga toka ime”, - tregon aktorja, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare kinematografike.

Arratisja në fëmijëri e bën Lulin imune ndaj intoksikimit të modernizmit. Ajo e dashuron token dhe kohën e lirë e kalon duke punuar e duke mbjellë në kopshtin e shtëpisë. Ky vend e kthen në atë pjesë të fëmijërisë të paprekur nga ambiciet e mëdha, nga informacioni i tepërt, nga dëshira për të bërë gjëra madhështore; e kthen në atë pjesë të fëmijërisë të pushtuar nga kurioziteti naiv për të zbuluar të pazbuluarën. “Kam qenë një fëmijë kureshtar, - tregon aktorja, – një fëmijë i shoqërueshëm, por edhe me një dëshirë të ethshme për të ndenjur vetëm herë pas here, dëshirë që më shoqëron edhe sot e kësaj dite. Mendoj se të jetuarit mirë vetëm, të bën një njeri më të mirë në shoqëri. Këtë periudhë vetmie e shfrytëzoj për të sistemuar ‘sirtarët e brendshëm’. Reflektoj për rrugëtimin tim të çastit dhe vijëzoj e projektoj hapin e ardhshëm. Të qenët krijuese dhe gjetja e kënaqësisë edhe te gjërat e vogla, qoftë të qepurit e veshjeve, të shkruarit apo kujdesi për lulet, mendoj se është pika ime më e fortë, që më bën të ndihem shumë mirë.”

Çdo farë e hedhur në pasionet e fëmijërisë së saj, jo vetëm ka mbirë, por tani është bërë një bimë e mrekullueshme. Kështu ka ndodhur edhe me fillesat e shkrimeve pasionante fëmijërore, të cilat tashmë janë pjekur e janë finalizuar në një skenar filmi me metrazh të shkurtër, që është titulluar “Water for the Roses”. Dëshira për të shkruar një film të tillë, është e hershme. ”Vetëm pak kohë më parë, në një bllok të vjetër, të bërë copë,gjeta të shkruar në formë skenari një histori, sigurisht naive, një histori telenovelash, - tregon dhe qesh aktorja. – Lexova: ‘skena 1’, ‘skena 2’ etj., dhe qesha me vete, se sa shumë paskam ëndërruar kur isha e vogël, për më tepër në ato vite dhe në një vend që s’premtonte asgjë.” Luli e ka bërë me kohë zgjedhjen e saj, duke investuar me shpirt në pasionin e vet. Ajo braktisi mjekësinë, që ishte zgjedhja e parë, duke i zhgënjyer pa masë prindërit, dhe zgjodhi aktrimin. “Pasioni im, këmbëngulja për të mos e braktisur dhe për të ecur përpara, i kanë dhënë frytet e tyre, ndaj sot unë mund të them me plot gojën: ‘Ia dola!’ Është e lehtë të bëhesh pesimiste e të heqësh dorë nga arti, sepse ai të ofron veç ëndrra dhe sakrifica, por nuk mund të jetohet vetëm me ëndrra. Pastaj, vjen një çast që ngopesh me suksesin dhe çmimet. Mua më erdhën kaq vrullshëm, brenda një kohe relativisht të shkurtër këto vitet e fundit, - thotë Luli në këtë rrëfim për revistën ‘Living’. – Synimi im është të vazhdoj të bëj gjëra që më entuziazmojnë: filma, projekte që më falin kënaqësi dhe shënojnë një hap më tej në punën time, projekte ku përmes artit unë mund të kryej një mision. Ajo që më frikëson më shumë, është nëse do të mundem të bëj gjithmonë punë që më entuziazmojnë, siç ka ndodhur deri tani, apo do të më duhet të bëj kompromise, duke bërë punë që janë vetëm punë? Do të ishte diçka e trishtë, por ndoshta e pashmangshme.”

Për Lulin, aktrimi është si një shilarës ku ajo përkund shpirtin prej artisteje. Në jetë ka zgjedhur të mos bëjë divën. Përkundrazi, i pëlqen të bëjë çdo gjë vetë, me dorën e saj, deri edhe gjërat më të vogla e detajet më të imta.

Ajo është artiste në shpirt dhe mjaft e njerëzishme. Jetën e saj preferon ta përthyejë mes dhjetëra faqesh të një prizmi, që ndërton trungun e saj të mbushur me energji vitale.

“Jam e lumtur që jam rritur në fshat, në mes të natyrës, por edhe mungesave të skajshme të kohës. Ama këto mungesa më kanë zhvilluar fantazinë, më kanë rritur dëshirat, më kanë bërë që sot të jem një njeri më i mirë dhe të mos harroj prej nga vij. Asgjë nuk më është dhuruar, por e kam fituar me forcat e mia. Në fëmijëri, kam pasur shumë modele që ndiqja, modele të grave misionare që kanë ndryshuar botën ose janë përpjekur për ta ndryshuar. Ato më bëjnë realiste, më ulin me këmbë në tokë, ndaj u kthehem herë pas here edhe sot, pas gjithë energjive të harxhuara për të arritur ‘suksesin’. Kjo më mban larg nga deliri dhe më bën më humane. Asnjë sukses personal nuk ka vlerë, nëse nuk ndahet me njerëzit që të duan. Çdo triumf është i gënjeshtërt kur shpirti ynë është bosh apo pushtohet nga xhelozia dhe urrejtja. Sot njerëzit nuk dinë t’i hapin portat e shpirtit, të jenë të vërtetë, si kur fitojnë, ashtu edhe kur humbasin. Mua nuk më vjen turp nga dështimet dhe gabimet e mia, nuk e fsheh dhimbjen  që ndiej apo pesimizmin që më kaplon pas çdo ‘suksesi’... Nuk e fsheh dhimbjen që më reflektohet në fytyrë kur të dashurit e mi nuk janë mirë, ashtu siç nuk e fsheh dhimbjen që ndiej, ngaqë nuk mund ta ndal kohën për prindërit e mi. Më dhemb shpirti për çdo rrudhë të tyren... jo timen. Do të doja të kisha aq shumë para, sa t’ua plotësoja të gjitha dëshirat. Nuk më pëlqen luksi dhe e urrej çdo gjë të tepërt në shtëpi. Në jetë mund të bëjmë shumë gjëra më të mira sesa të grumbullojmë objekte pa të cilat mund të jetojmë fare mirë. Arti gjendet kudo, edhe në ato gjëra që në pamje të pare duket sikur nuk kanë lidhje me artin. Ashtu siç ka edhe shumë njerëz artistë, paçka se nuk quhen të tillë, por edhe shumë pseudonjerëz dhe pseudoartistë. Na rrethojnë kaq shumë delirantë, sa shpeshherë më zë frika dhe reflektoj për t’u siguruar se nuk kam ndërtuar asnjë mur deliri për vetëmbrojtje. Është e trishtë të shohësh modelet nga të cilat frymëzohet rinia e sotme. Është e trishtë t’i shohësh të rinjtë tek humbasin kohën kafeneve, duke biseduar për gjëra pa vlerë. Në ditët e sotme, këto janë bërë kaq të shpeshta, sa miqtë e vërtetë po gjenden gjithmonë e më rrallë.”

Mes vozitjeve herë në njërin breg të jetës, ku është puna si aktore, dhe herë në tjetrin, ku është jeta që Luli Bitri ka ndërtuar sipas standardit të saj, ajo kërkon të zbulojë brigje të reja. Teksa koha ecën, ajo përpiqet të realizojë pasionet dhe synimet e saj. Regjia e një filmi të dytë të shkurtër është në planet e saj të afërta.

“Këto dy vitet e fundit kam punuar jashtëzakonisht shumë, ndaj tani dëshiroj të rri mes njerëzve të dashur, të shijoj natyrën, por sigurisht pa lënë pas karrierën, pasi kam përgjegjësi ndaj rrugëtimit që kam bërë deri tani. Do të vazhdoj të hartoj projekte të tjera në të ardhmen, pa eufori se po bëj namin. Nuk e ndryshojnë botën sukseset tona të mëdha, por gjërat e përditshme të bëra me zemër.” Luli Bitri është një njeri me këmbë në tokë dhe e tillë do të mbetet, paçka arritjeve të saj. Pas çdo suksesi, vjen edhe një periudhë pushimi dhe pas kësaj, jeta e aktores fillon nga e para. Ajo ecën, krijon dhe nuk shkëputet kurrë nga dashuritë e vogla të jetës së thjeshtë, por që për të janë më të mëdhatë. Sado lart të ngjitet profesionalisht, ajo do të mbetet gjithmonë një njeri i thjeshtë dhe i dashur. Mes shumë ndryshimeve të mëdha që ka bërë në jetë, kjo është një ndër zgjedhjet e pandryshueshme. Edhe pse një aktore e vlerësuar ndërkombëtarisht, ajo do të mbetet përulësisht Luli.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor