Orakulli i kuzhinës 5 Tetor 2019

Ashton Kutcher përfundoi në spital kur ndoqi regjimin ushqimor të Steve Jobs; Ja dieta që mjekët e ndalojnë kategorikisht

Orakulli i kuzhinës

A ËSHTË REGJIMI FRUTARIAN I SIGURT DHE I SHËNDETSHËM, DUKE QENË SE BAZOHET VETËM NË FRUTA, TË CILAT KANË PËRMBAJTJE TË LARTË SHEQERI DHE MUNGESA TË TJERA LËNDËSH USHQYESE?

Shpeshherë, secili nga ne diskuton me miqtë dhe të afërmit për sa i përket regjimit ushqimor, dhe pa dyshim, nëse përmendim frutat, të gjithë bien dakord se janë të shëndetshme. Disa duan të dinë më shumë për regjimin vegjetarian dhe veganizmin, disa të tjerë për regjimin me shumë pak karbohidrate ose vetëm me proteina, por ka edhe nga ata që janë të interesuar për regjimin vetëm me fruta. Që nga Steve Jobs-i, vlogerë veganë, gurutë e mirëqenies në Instagram dhe deri te badibillderët e shumë njerëz të dhënë pas mirëqenies dhe shëndetit, të gjithë kanë përshtypjen se nëse hanë vetëm fruta të papërpunuara, ky lloj regjimi do të ndryshojë jetën e tyre. Ky quhet regjimi frutarian dhe përfshin kryesisht konsumimin e frutave të papërpunuara, dhe nganjëherë të frutave të thata dhe farave. Përkrahësit e këtij regjimi pohojnë se ai ndihmon në tretje, të mban të hidratuar, thjeshton përgatitjen e vakteve, të jep më shumë energji dhe natyrisht, pastron trupin. Regjimi frutarian ose frutarizmi tingëllon si një term ekstrem dhe në fakt është i tillë. Megjithatë, si shumë tendenca të shëndetit që bëhen virale në internet, edhe për frutarizmin, i cili fshihet pas imazheve të smoothie-ve plot ngjyra dhe tasave plot me fruta, ka shumë të pathëna. Regjimi me fruta është shumë i kufizuar, rreziku i kequshqyerjes është më i lartë, ndaj dhe nuk është i rekomandueshëm. Duhet të këshilloheni gjithmonë me mjekun ose dietologun para se të nisni një regjim të tillë. Më poshtë do të gjeni disa fakte për të.

ÇFARË DO TË THOTË TË JENI FRUTARIAN?
Nëse doni të ndiqni një regjim frutarian, do të thotë se do të konsumoni vetëm fruta, por ato nuk duhet të përbëjnë më shumë se 75 % të ushqimit që konsumoni. Për të shmangur çekuilibrin ushqimor, mjekët këshillojnë që të zënë jo më shumë se 50 % të regjimit ushqimor.

REGJIMI ME FRUTA
Nëse vendosni të filloni një regjim të tillë, duhet ta nisni ngadalë dhe të përfshini një shumëllojshmëri frutash. Gjithashtu, duhet të përfshini patjetër fruta të thata, fara dhe perime, të cilat do t’ju sigurojnë sasinë e yndyrës dhe proteinave për të cilat ka nevojë organizmi. Ato luajnë një rol kyç, pasi ekuilibrojnë sasinë e sheqerit që do të merrni nga konsumimi i frutave.

ËSHTË KUFIZUESE
Kur vjen puna te ndryshimet dietike të çdo lloji, duhet të mendoni për një regjim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Kalimi nga ngrënia e një shumëllojshmërie ushqimesh, në vetëm një lloj ushqimi, do të ishte i tmerrshëm për shumicën e njerëzve. Çdo kalim në një stil të ri jetese, që ndodh “brenda natës” dhe bën një ndryshim gjithëpërfshirës, zakonisht nuk është diçka që zgjat. Mos harroni se regjimet e shëndetshme përfshijnë 2 vakte dhe 2 zëmra me fruta gjatë ditës. Janë të domosdoshme frutat e pasura me yndyra të mira, si: avokadoja, arra e kokosit ose bananet.

RREZIQET

Regjimi me bazë frutash është shumë i kufizuar dhe mund të shkaktojë disa probleme si:
Pesha: frutat janë të pasura me sheqerna natyrale, ndaj ekziston rreziku që të merrni peshë për shkak të tyre.

Diabeti: për diabetikët ose paradiabetikët, regjimi i frutave mund të jetë i rrezikshëm. Frutat përmbajnë aq shumë sheqer, saqë nëse konsumohen me shumicë mund të ndikojnë negativisht në nivelin e sheqerit në gjak. Një regjim me fruta mund të jetë gjithashtu i rrezikshëm për njerëzit me probleme në pankreas dhe veshka. Në vitin 2013, kur aktori Ashton Kutcher po xhironte filmin biografik të Steve Jobs-it, u përpoq të ndiqte regjimin e këtij të fundit për të qenë sa më i vërtetë në karakter dhe në rol, por përfundoi në spital për shkak të niveleve të ulëta të sekretimeve të pankreasit. Ai është organi përgjegjës për shpërbërjen e ushqimit, prodhimin e insulinës dhe kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, kështu që pa të, trupi nuk mund ta përpunojë sheqerin. Pra, nëse jeni akoma të intriguer nga regjimi që përfshin vetëm fruta, pyesni mjekun. Me gjasë, ai do t’i qëndrojë besnik shprehjes “një mollë në ditë, mban mjekun larg” dhe do t’ju këshillojë një shumëllojshmëri ushqimesh.

Prishja e dhëmbëve: përmbajtja e lartë e sheqerit të frutave rrezikon shëndetin oral. Për shembull, mollët kanë aftësi gërryese, njësoj si karamelet ose pijet e gazuara. Disa fruta, si për shembull portokalli, që janë shumë acide mund të dëmtojnë smaltin e dhëmbëve.

Kequshqyerja: shpesh, frutarianët kanë nivele të ulëta të vitaminës B12, kalcium, vitaminë D, jod dhe acide yndyrore omega-3, të cilat mund të çojnë në anemi, lodhje, letargji dhe mosfunksionim të sistemit imunitar. Gjithashtu, niveli i ulët i kalciumit mund të shkaktojë osteoporozën. Suplementet ushqimore që përmbushin këto mangësi shpesh përftohen nga burime ushqimore si bulmeti dhe nënproduktet e qumështit ose proteinat e sojës, të cilat përjashtohen në regjimin frutarian.

Nepsi: kufizimi i produkteve mund të sjellë neps apo obsesione ushqimore, të cilat lënë pasoja në shëndetin psikologjik si dhe mund të dëmtojnë marrëdhënien tuaj të përgjithshme me ushqimin.

Rezervat: nëse ushqeheni kryesisht me fruta, pra, po privoni veten nga vitaminat, yndyrat dhe proteinat e nevojshme  me gjasë po e shtyni trupin të akumulojë rezerva. Nëse trupi ndien se nuk merr furnizimin e nevojshëm me lëndë ushqyese, do të sjellë ngadalësim të metabolizmit, për të kursyer energji për funksionet jetësore. Nga Mirela Andoni

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor