Dekorime 3 Tetor 2019

Një shtëpi ku ndërthuren bukur stili, komoditeti, dizajni dhe funksionaliteti

Dekorime

NGA: MATILDA TËRPOLLARI/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

TË GJITHË E DIMË QË NË TIRANËN TONË DINAMIKE NUK ËSHTË E LEHTË TË GJENDEN AMBIENTE PËR TË JETUAR, KU TË JENË NDËRTHURUR MIRË DHE NË HARMONI ELEMENTE URBANE, ARKITEKTURA, FUNKSIONI, STILI... THUAJSE GJITHNJË BËHET KOMPROMIS PËR NJË PREJ TYRE.

Në rastin konkret, mendoj se është bërë një përjashtim. Vila në fjalë ndodhet në një kompleks rezidencial të përbërë nga jo më shumë se 20 shtëpi të tilla, të pozicionuara të gjitha me fasadat kryesore nga pishina që ndodhet në qendër të kompleksit. Pa bare apo ambiente të tjera shërbimi të përfshira, me një privatësi për t’u pasur zili, arkitekturë me dimensione njerëzore dhe gjelbërim pa fund, ky kompleks është sa pranë, aq edhe larg ritmit dhe zhurmës urbane. Kjo ishte telajoja mbi të cilën duhej të punoja.

Kati përdhes është tejet funksional, me një dalje në oborr, i cili e rrethon këtë vilë në të katër anët. Hyrja pasohet nga një korridor i gjatë, i cili të çon në ambientin e gatimit, ndenjjes, ngrënies dhe ambientet ndihmëse. Një rëndësi e veçantë i është dhënë dizajnit me mermer të pjesës së parë të korridorit, i cili është përshtatur me dizajnin e vetrazhit në të dyja anët e hyrjes kryesore. Përballë me shkallët që të çojnë lart, me të cilat është treguar vëmendje e veçantë si në dizajnin e parmakëve, ashtu edhe të kangjellave e korimanos, është pozicionuar një pasqyrë e madhe e stilit neoklasik. Qershia mbi tortë në këtë ambient, është një kredencë dhe suveniret eklektike mbi të.

AMBIENTI I NDENJJES ka disa pika të forta: i pari është oxhaku, i pozicionuar jo në mes të një faqeje muri të rëndësishme, siç jemi mësuar të shohim, por në cep.

Ai rri mjaft mirë në raport me mobiliet e tjera (kolltukë, tavolinë mesi, televizor) madje mund të themi që e kompleton më së miri kompozimin, i cili vuloset me një kolltuk ngjyrë kamel konjak! Një pikë tjetër e rëndësishme, si për nga funksioni, ashtu edhe nga ana vizuale, është trapezaria. Ajo është përzgjedhur me shumë kujdes që të ketë gati nivel instalacioni dhe është përforcuar nga dy kredenca dhe dy abazhurë me të njëjtin material si këmbët e tavolinës

Pas kësaj, kalojmë në kuzhinë, e cila nuk është neglizhuar aspak! Këtu bien në sy materialet eklektike, mermer dhe dru për raftet, të kombinuara mrekullisht me pajisjet e teknologjisë së fundit dhe sigurisht me detajet e të zotëve të shtëpisë. Ambienti i gatimit lidhet denjësisht me pjesën tjetër të katit përdhes

NË KATIN E PARË është zona e natës, një dhomë martesore dhe dy dhoma gjumi për dy vajza. Në dhomën martesore është aplikuar një filozofi përzgjedhjeje dhe rifiniture elegante dhe shik. Kjo vihet re që te krevati, i cili qëndron sa madhështor, aq edhe elegant në mes të dhomës, duke vazhduar me një kënd me dy kolltukë dhe një tavolinë për çastet e qetësisë; edhe ky kënd është po kaq shik dhe elegant sa pjesa tjetër! Dhoma martesore ka edhe gardërobën dhe tualetin, të dizajnuar gjithashtu me shumë kujdes.

PËR DIZAJNIN e kësaj shtëpie janë huazuar dhe përzgjedhur me shumë kujdes disa elemente të stilit klasik, të cilat janë implementuar në tavan, në dizajnin e oxhakut, në mure dhe sidomos te dyert e ambientit të ndenjjes dhe gatimit, madje këto dy dyer lidhen me një bibliotekë të po këtij stili në vazhdimësi.

Pjesa më e mirë e dizajnit, sidomos e elementeve të veçanta të arredimit, i përket stilit modern bashkëkohor, por vihen re edhe elemente të stilit retro shik dhe glamur. Shumë stile, apo jo? Por nuk mbaron me kaq. Një ndër gjërat për të cilat ramë dakord që në fillim me të zotët e shtëpisë ishte përdorimi i ngjyrave, që siç shihet nuk mungojnë

PAPAFINGO

KJO SHTËPI KA EDHE NJË PAPAFINGO, E CILA SHFRYTËZOHET SI AMBIENT REKREATIV NGA E GJITHË FAMILJA

TE DHOMAT E VAJZAVE ritmi i elegancës ndalet pak, me vetëdije, sepse jemi me chabby! Duke pasur parasysh moshën e tyre, në thelb të stilizimit të dhomave qëndrojnë ngjyrat rozë e lejla pastel, por edhe pana luan në kompozimin e këtyre dhomave, për t’iu bashkuar stilit elegant dhe shik, por të moderuar

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor