Dijonisi “thumbon” Valerin: Je shumë sensual
Roberti ka ndarë me Dijonisin dhe Gledisin se ka “mision” të stresojë një nga fermerët. Djemtë po bisedonin në...
Elena kishte qenë e lumtur pothuajse gjatë gjithë jetës së saj. Miqtë dhe të afërmit e thërrisnin gjithmonë “shpirti i festës”. Ajo dinte si t’i ngushëllonte ata që ishin të mërzitur dhe ishte pikërisht ajo që e bënte të funksiononte martesën e saj. Çdo mëngjes zgjohej plot energji dhe kishte shumë qejf të organizonte fundjavat, pushimet e radhës dhe përvjetorët e ditëlindjeve të tri vajzave të saj. Ajo e donte jetën dhe ishte mirënjohëse për këtë dhuratë të çmuar. Mendonte se jeta e saj ishte e përkryer.
Por, në moshën 44-vjeçare, kur Elena u kthye në shtëpi nga pushimet me familjen, filloi të kishte ca ndjesi të çuditshme. Nuk e shpjegonte dot, por i dukej sikur kishte një boshllëk të madh. Përveç ndjenjës së lodhjes, kishte humbur pasionin dhe dashurinë për jetën dhe kishte filluar ta kaplonte trishtimi.
Fillimisht, Elena e mendoi si gjendje kalimtare pas pushimeve. Gjatë muajve në vazhdim, situata e saj herë përmirësohej, e herë përkeqësohej, aq sa nuk po e njihte më veten. Bashkëshorti i saj, Tomi, shqetësohej çdo ditë e më shumë. “Më mungon buzëqeshja jote”, - i thoshte ai.
Shkëlqimi i saj i dikurshëm sa vinte e venitej.
Elena la takim me mjekun e saj, i cili e vizitoi dhe i bëri një analizë të plotë hormonale. Balanca hormonale ishte normale, prandaj doli në përfundimin se ajo vuante nga depresioni, dhe i dha një recetë me antidepresivë. “Shiko nëse këto ilaçe të qetësojnë,” - i tha.
Kur doli nga vizita, Elena u ndje më e plogësht se ditët e para pas pushimeve. Diagnoza dhe ilaçet i dukeshin aq të pakuptimta. Kur e ndau këtë lajm me familjen, të njëjtin reagim patën edhe ata. Ajo filloi të pinte antidepresivë, por duke mos e ditur se nga i buronte plogështia apo sa do të zgjaste, ndihej si e burgosur.
Vendosi që të konsultohej me një profesionist. Psikologu ishte i bindur se bëhej fjalë për ndrydhje të emocioneve dhe të dy së bashku filluan të rrëmonin në të kaluarën e saj. Procesi dukej frytdhënës dhe i dha një lloj mbështetjeje Elenës, që e ndihmoi të mos mbytej gjatë depresionit, i cili vazhdonte të ishte po aty.
Një vit pas shfaqjes së problemit, Tomi vendosi që ta çonte gruan e tij me pushime, me shpresën se do ta ndihmonte ta kalonte atë gjendje. Pas dhjetë ditësh pushim Elena sikur filloi të ndihej më mirë. Bisedonte sërish me vajzat e saj, ideonte kostume për dramat që do të luanin në teatrin e shkollës dhe ngrihej herët në mëngjes. Nuk ishte ende vetvetja, por ndiente 50 për qind përmirësim. Në sallën e pritjes në aeroport, përpara se të ktheheshin në shtëpi, Elena i tha Tomit se kishte bërë gjënë e duhur që e kishte çuar me pushime.
Megjithatë, sapo filloi të nxirrte plaçkat nga valixhja vetëm pak orë nga kthimi, ajo u plandos sërish. U kruspullos në shtrat dhe ndjeu se depresioni e pushtoi më fuqishëm se më parë. Ajo ndjenjë e shoqëroi edhe në ditët në vazhdim dhe i dukej se nuk do të shpëtonte dot kurrë prej saj. Qante për hiçmosgjë, kur lante dhëmbët, lidhte këpucët ose kur zgjohej në mëngjes. Nuk kishte më fuqi të qëndronte në dhomën e ndenjjes me Tomin dhe vajzat për të parë shfaqjen e tyre të preferuar të dielave mbrëma.
I pazoti për ta nxjerrë Elenën nga ai hendek, psikologu i saj i sugjeroi që të linte një takim me mua. Që në fillim të komunikimit me të, Shpirti dalloi nivele të larta insekticidesh dhe herbicidesh në organizmin e saj. Sapo ia thashë këtë, Elena sikur u shqetësua.
- Je mirë? - e pyeta.
Ajo filloi të më shpjegonte se si i shoqi e dezinfektonte periodikisht shtëpinë dhe kopshtin, ndaj e pyeta se në ç’periudhë të vitit e bënte. Më tha se e bënte sa herë që familja largohej për ndonjë fundjavë te vjehrra e saj ose kur merrnin pushimet verore. Komshiu i saj sigurohej që kopshti të spërkatej me shfarosës insektesh dhe një herë në muaj, vinte një kompani që e trajtonte kopshtin e tyre me herbicide.
Unë këmbëngula që Elena, Tomi dhe vajzat të lëviznin menjëherë nga shtëpia, për të parë nëse Elena do të kishte përmirësim. Familja u shpërngul përkohësisht në shtëpinë e mamasë së Elenës. Ajo filloi një regjim ushqimor detoksikues, me bazë ushqimesh dhe përbërësish ushqimorë që favorizonin largimin e substancave kimike dhe metaleve të rënda nga organizmi, fajtore për depresionin e saj. Të njëjtën gjë bëri edhe Tomi. Po ashtu, modifikuam paksa regjimin në mënyrë që të ndihmonim edhe vajzat e tyre të pastroheshin nga toksinat.
Elena iu rikthye jetës së mëparshme. Zgjidhja e misterit të sëmundjes së saj, vendosja e një regjimi, rikthimi i vetëbesimit, mosekspozimi ndaj pesticideve dhe ndjenjat pozitive, bënë që Elena të ndihej më mirë se kurrë më parë. Ajo dhe Tomi vendosën që ta nxirrnin shtëpinë në shitje, për të blerë një të re.
Shkëputur nga libri Medical Medium nga autori Anthony William
Librin mund ta blini online në këtë LINK
Roberti ka ndarë me Dijonisin dhe Gledisin se ka “mision” të stresojë një nga fermerët. Djemtë po bisedonin në...
Nga: Kostandin Feshti Pierpaolo ( Piccioli ) largohet e Alessandro ( Michele ) vjen. Kjo është marrëveshja e re e shtëpisë së m...
Muaji i bekuar dhe i shenjtë i Ramazanit për besimtarët muslimanë ka shumë vlera. Ashtu sikurse njerëzit e thjeshtë që...