Orakulli i kuzhinës 19 Shtator 2019

Zonjat përmetare ndajnë sekretet e glikove të shijshme; Nga patëllxhani deri tek arra, ja si t'i përgatisni

Orakulli i kuzhinës

Përmeti është i famshëm për glikotë e tij, të llojeve të ndryshme, shpesh nga më të çuditshmet, si p.sh. ai i patëllxhanit apo portokallit. Në fund të vjeshtës, këtu bëhet dhe glikoja e gështenjës, e cila është më e vështira për t’u arrirë, por edhe ajo me shijen më të veçantë. Erëza tipike për të aromatizuar glikotë e Përmetit është barbarosa.

*shalqiri: Lëkurët pastrohen dhe priten në copa. Futen në ujë me gëlqere, ku lihen për të paktën një orë e gjysmë. Paskëtaj, i pastrojmë në ujë të rrjedhshëm dhe u japim një valë. Me anë të një kruajtëseje dhëmbësh i provojmë herë pas here nëse kanë zier mjaftueshëm dhe janë zbutur. Pasi hiqen nga zjarri dhe shpëlahen mirë e mirë me ujë, vihen dhe një herë të ziejnë me ujë me sheqer (sherbet) dhe pesë minutat e fundit që marrin valë, u shtohet limontoz dhe barbaros.

*fiku: Futet në gëlqere për një orë e gjysmë, që të forcohet. Shpëlahet me ujë të bollshëm dhe sherbetoset.

*arra : kokrrat e arrës të pabëra, pastrohen dhe pastaj lihen në ujë të ftohtë për një javë rresht, duke ua ndërruar ujin tre here në ditë. Më pas, u heqim lëkurën dhe i lëmë në gëlqere për dy orë. I shpëlajmë dhe i ziejmë bashkë ujin e sheqerin, për t’i ëmbëlsuar. Në fund, u shtojmë barbaros.

*patëllxhani: njësoj si më shalqirin, edhe lëkurët e patëllxhanit pastrohen, priten në copa dhe forcohen në ujë me gëlqere, për të paktën një orë e gjysmë. Shpëlahen dhe vendosen në zjarr për të zier. Kontrollohen derisa të jenë zbutur mjaftueshëm, sherbetosen dhe u shtohen erëza, si barbarosa.

*portokalli: Një kilogram portokallk ka nevojë për një kilogram e gjysmë sheqer për t’u ëmbëlsuar. Lëkura e portokallit kruhet me rende të imët, derisa t’i jetë hequr plotësisht ngjyra portokalli e të ketë dale e bardha. Pritet në copa me gjithë tul dhe paloset më dysh. Futet në gëlqere për një orë e gjysmë, pastaj shpëlahet dhe i jepet një valë, që të zbutet disi lëkura. Sherbetoset dhe aromatizohet me barbaros.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor