Personazh 17 Shtator 2019

Deborah Keçi, përgjithmonë “e varur” nga sporti "Njeriu duhet të jetë më i mirë seç ishte dje, jo më i mirë se tjetri"

Personazh

NGA Elona Jaçellari | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj

Ajo ka arritur rekorde të larta në sportin, të cilin e ka ushtruar nga fëmijëria deri në rininë e saj të hershme. Deborah ka marrë pjesë në kampionate botërore dhe ballkaniada që e vogël. Por, pika më e lartë në karrierën e saj si notare ishte në moshën 17-vjeçare, kur Deborah përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Notit në Romë, në vitin 2009. Aty u shpall Notarja më e Mirë për të Reja dhe të Rritura. Po atë vit, ajo fitoi edhe Kupën e Republikës, në Kampionatin Kombëtar të Notit. Edhe pse pak kohë më parë mori vendimin për ta lënë sportin, Deborah nuk hoqi dorë së qëni garuese në aktivitete të ndryshme. Në vitin 2016, më 7 tetor, e reja fitoi maratonën e Tiranës në garën 10 km. Më 2 shtator, fitoi vendin e parë në Triathlone-n e zhvilluar në Shkodër. Në maj të 2017-ës, mori pjesë në disa gara, siç ishte gjysmëmaratona në Shkup, ku u rendit e 8-ta mes shumë shteteve garuese dhe po në maj të 2017-ës vrapoi në gjysmëmaratonën e Beratit, ku zuri vendin e dytë.

DEBORAH KEÇI është nga ato vajza, së cilës e ke të pamundur të mos i kushtosh vëmendje kur të kalon pranë. Plot hijeshi, estetikë, elegancë në sjellje dhe formë fizike të përkryer, Deborah është vajza, e cila ka shumë për të dhënë me modelin e saj. Është 27 vjeçe, por arritjet e saj dhe karakteri i plotëformuar, të japin përshtypjen e një njeriu që i ka jetuar disa dekada të mira. Megjithatë, nëse e ndan me Deborah-n këtë përshtypje, ajo modestisht do të thotë: “E kam nga regjimi i sportit”. Dhe më pëlqen vërtet të besoj se sporti skalit mrekullisht jo vetëm fizikun, por edhe karakterin. Modeli i ish-sportistes/ kampiones, e cila edhe pse ka marrë një kthesë 180-gradëshe në jetën e saj, nuk i ka shpëtuar dot “varësisë” që ka ndaj sportit, ma provon këtë. Prej më se një viti, 27-vjeçaren nga Durrësi të rastis shpesh ta ndeshësh në mjediset e bashkisë së Tiranës. Pak vite më parë, ajo bëri një kapërcim të fortë, duke lënë pas karrierën si notare, për të nisur studimet universitare për Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin e Bocconit, Milano. “Mbaj mend që kur shkova të studioja në Milano në vitin 2010, - thotë Deborah, - isha me mendjen të bëja shkollën e të vazhdoja edhe sportin. Doja të kapja Lojërat Olimpike në Londër 2014. I thosha vetes: ‘Do të bëj stërvitje, do të angazhohem me një ekip italian’. Por, ishte e pamundur. Unë kam vullnet të hekurt, por e pashë që nuk mund të bëja dot dhe shkollën, edhe sportin. Jetoja vetëm, isha 17 vjeçe, largohesha nga familja për herë të parë, orët e mësimit ishin të shpërndara në kohë të ndryshme të ditës, më duhej të merrja 4 metro për të shkuar në stërvitje dhe kur kthehesha në shtëpi në darkë, kisha detyra për të bërë. Mbaj mend që një natë e mora babin në telefon duke qarë dhe i thashë që s’mundesha më. Ai ka qenë gjithnjë mbështetësi im më i madh në sport, por më tha të bëja atë që ndieja. U mërzita aq shumë sa, për gati gjashtë muaj nuk shkova në pishinë as për qejf. Lashë palestrën e çdo aktivitet tjetër. Por, ndodhi që fillova të shëndoshesha, sepse isha një njeri që gjithë jetën isha marrë me sport, stërvitesha 4 orë çdo ditë. Pastaj, i thashë vetes: ‘More një vendim, nuk do të garosh më, por mos hiq dorë nga aktivitetet sportive. Fillova pak nga pak palestrën, sepse shkolla më merrte shumë kohë. Por, dua të them se përjetova një kënaqësi shumë të madhe kur u diplomova, sepse Bocconi është një universitet shumë i vështirë”,- përfundon Deborah.

Dhe merita, siç thotë ajo, edhe për këtë sukses buron nga sporti, sepse të ushtrohesh në një disiplinë që në moshë të vogël, të forcon vullnetin dhe të përgatit për të mbërritur me sukses në një finish, cilido qoftë ai në jetë. Deborah ishte 11 vjeçe kur filloi notin. Një moshë relativisht e madhe për të nisur karrierën si sportiste, por arsyet e përfshirjes së saj në not ishin për qëllime të tjera. Kishte një problem me shtyllën kurrizore dhe mjeku i tha që noti mund ta ndihmonte për korrigjimin e defektit. Nga ana tjetër, duke qenë fëmijë pak buçko, prindërit vendosën ta fusnin në sport.

“Nuk kisha aspiratë të bëhesha sportiste, - tregon Deborah. - Nisa stërvitjen, mirëpo trajneri më pa dhe tha se kisha për t’u bërë shumë e mirë. I kërkoi babit që të federohesha. Në klasë të pestë unë nisa karrierën, që është moshë relativisht e madhe për të filluar sportin, sepse profesionistët e nisin në moshë fare të vogël.

Por, unë isha natyrë shumë kërkuese ndaj vetes, me ego, me ambicie dhe fillova të shkoja në stërvitje me qejf të madh. Babi më ndiqte çdo ditë dhe rrinte aty, më maste kohën, ndërsa mami, nga ana tjetër,  më thoshte: ‘Bëje për pasion, se nuk ke për t’u bërë ndonjëherë sportiste’. Gjithmonë parësore për mua ka qenë shkolla, sepse kam qenë edhe nxënëse shumë e mirë. Kam pasur idenë që do ta bëja shkollën jashtë e aty do të investohesha. Unë isha në kolegj privat atëherë dhe nga ora 8:00 deri në orën 16.00 isha në shkollë. Kur shkoja në shtëpi, nga ora 16.00 deri në orën 18:00 bëja detyrat dhe nga ora 19:00 deri në 21:00 shkoja çdo ditë në stërvitje. Kishte raste që kthehesha në shtëpi e më zinte gjumi sipër librave. Pra, nga klasa e pestë e deri në vitin e fundit të gjimnazit, më ka shoqëruar sporti dhe ai ka qenë investimi më i mirë që kam bërë për veten. I mbaj mend ato vite si më të bukurat dhe i kujtoj me nostalgji. Atë që më ka mësuar sporti, nuk ma ka mësuar as shkolla dhe asgjë në jetë. Të krijon fokus, disiplinë, vullnet edhe pasion,” - përfundon Deborah. Nëse pyet dikë se çfarë e karakterizon Deborah-n, përgjigjja është “vullneti”. Sepse çdo gjë që ajo ka arritur, e ka arritur duke punuar shumë. Për të, nëse do të arrish diçka, duhet të punosh. Madje thotë se, ndonjëherë vullneti e mund edhe talentin. “Edhe në punë jam njeri që bëj shumë gjëra në të njëjtën kohë. Që e vogël u mësova të bëja shumë gjëra njëkohësisht. Përveç sportit, merrja pjesë nëpër aktivitete artistike në shkollë, konkurse e olimpiada matematike, edhe pse sporti ishte ai që më merrte gjithë vëmendjen. Kur m’u desh ta lija, me mbarimin e gjimnazit, ka qenë një nga zgjedhjet më të vështira që kam bërë,” – rrëfen Deborah. Por, edhe pse nuk është më sportiste profesioniste, 27-vjeçarja sportin e ka kthyer në stil jete.

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor