Shtatzania 16 Shtator 2019

Përse gjatë shtatzënisë gratë janë më të prirura të preken nga infeksionet urinare; Ja masat parandaluese

Shtatzania

Shumë nga ndryshimet karakteristike të shtatzënisë, rrezikojnë shfaqjen e infeksioneve në kanalin urinar, në fshikëzën e urinës, veshka ose ureter. Është shumë e rëndësishme që t’i pikasni dhe t’i mjekoni në kohë këto infeksione, pasi mund të shkaktojnë edhe lindje të parakohshme. Përveç kësaj, gjatë shtatzënisë këto infeksione janë më të rënda. Për shembull, në rast se keni infeksion në fshikëzën e urinës dhe e lini pa mjekuar, ai mund të shkaktojë edhe infeksion në veshka. Megjithatë, edhe pas lindjes jeni të rrezikuara nga infeksionet në kanalin urinar, pasi për njëfarë kohe, nuk do të jeni në gjendje ta zbrazni plotësisht fshikëzën. Urina e grumbulluar krijon një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e baktereve. Po qe se keni infeksion në kanalin urinar, do të ndieni dhimbje ose djegie gjatë urinimit. Shpeshherë mund të keni një ndjesi urgjente për të urinuar, edhe pse sapo keni qenë. Ndër shenjat dhe simptomat e tjera mund të përmendim gjakun në urinë, urinë me erë të rëndë dhe temperaturë jo shumë të lartë. Dhimbja e barkut dhe e shpinës mund të jenë gjithashtu shenja të një infeksioni.

Parandalimi dhe kujdesi: ekzistojnë një sërë mënyrash për të shmangur dhe parandaluar infeksionet në kanalin urinar:

* pini shumë lëngje, veçanërisht ujë;

* urinoni sa më shpesh, mos e mbani ose mos prisni shumë para se të shkoni në tualet. Duke e mbajtur urinën, mund të mos e zbrazni plotësisht fshikëzën, duke krijuar mundësinë e zhvillimit të infeksioneve në kanalin urinar. Urinimi i shpeshtë ndihmon në pastrimin e këtyre infeksioneve;

* kur të urinoni përkuluni përpara, që ta zbrazni plotësisht fshikëzën e urinës;

*urinoni gjithmonë pas marrëdhënieve seksuale;

* pas urinimit, për t’u fshirë, kalojeni pecetën nga pjesa e përparme në atë të pasme.

Kujdesi mjekësor: infeksioni në kanalin urinar mund të konstatohet duke analizuar një kampion urine dhe mund të kurohet me antibiotikë. Nëse ai nuk është luftuar plotësisht, mjeku mund t’ju rekomandojë që ta vazhdoni mjekimin me antibiotikë edhe pasi të keni mbaruar kurën e parë, që infeksioni të mos përsëritet më.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor