Dekorime 14 Shtator 2019

Një shtëpi e pastër në linja dhe volume

Dekorime

NGA: MATILDA TËRPOLLARI; FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

INGRID MARTINI është një arkitekte dhe dizajnuese interieri, e specializuar në ndërtimin e arkitekturës së brendshme të objektit, me një eksperience 17-vjeçare në fushën e interierit e me një larmi punësh që spikasin për shumëllojshmërinë dhe larminë e tyre. Në panoramën e gjerë të arkitektëve të brendshëm, Ingridi është pa dyshim një zë i spikatur e me shumë stil. Kur merr një objekt të ri, Ingridi së pari studion hapësirën. Në një projekt interieri, plani i shfrytëzimit dhe dinamika e lëvizjeve nëpër ambiente është thelbësor për të. Përballja e parë është ajo me strukturën arkitektonike; një ndërtesë e re, me parametra bashkëkohorë dhe me një nivel të lartë rifiniture.

Plani i shfrytëzimit të apartamentit në fjalë, nuk përputhej me stilin e jetesës dhe kërkesat e banorëve të rinj, ndaj u desh të riformatohej, që zona e natës dhe ajo e ditës të ishin të ndara nga njëra-tjetra. Një nga kërkesat e banorëve të apartamentit ishte që ambienti i gatimit të qëndronte i veçuar nga zona e sallonit dhe të ishte i ndarë me derë, por kjo do ta bënte zonën e ditës jo vetëm të dukej më e vogël, por edhe personin që do të gatuante, të ndihej i izoluar nga pjesa tjetër. Për këtë arsye, u vendos që muri i cili konturonte ambientin e gatimit në planin fillestar, të zëvendësohej nga një i ri, por këtë herë prej xhami. Bëhet fjalë për një faqe të madhe e në përmasa të pazakonta për një apartament: plot 3 metra gjatësi. Kjo i dha menjëherë një frymëmarrje të re të gjithë zonës së ditës.

HAPËSIRA E PARË PREZANTUESE E APARTAMENTIT ËSHTË KORRIDORI, me përmasa të reduktuara, por duke qenë se nuk ka konture, perceptohet më i madh nga sa është në të vërtetë. Kësaj i vjen në ndihmë edhe një faqe e tërë me kanate pasqyrë, pas të cilave fshihet një dollap xhaketash e këpucësh. Ndriçimi i duhur dhe paleta kromatike e zgjedhur kanë ndihmuar që kjo hapësirë të jetë mjaft e këndshme.

MË PAS KALOHET NË SALLON, ku në shpinën e divanit të madh qëndron faqja e madhe e xhamit, e cila kufizohet me ambientin e gatimit, duke bërë që hapësirat të shkrihen me njëra-tjetrën dhe ndjesia e kubaturës të jetë më e madhe nga ç’është në të vërtetë. Zona e ndenjjes është kompakte, por edhe e lirshme, e studiuar për të pasur komoditetin, i cili është primar, por edhe rrjedhshmërinë e lëvizjes, pasi kjo hapësirë është zemra e shtëpisë.

NË ZGJATIM TË SALLONIT, ME KONTURE TË PANDËRPRERA, VJEN ZONA E NGRËNIES DHE NJË BIBLIOTEKË E VOGËL.

Zona e gatimit ka akses shumë të lehtë, si nga zona e ditës, ashtu edhe nga hyrja kryesore e shtëpisë. Për të është zgjedhur një dizajn modern, pothuajse minimalist, shumë i pastër në linja e në volume, e me një ritëm rigoroz të dimensionit të kanateve. Ngjyra e rërës unifikon materialet dhe i jep një ndjesi të lehtë e transparente, pothuajse sikur qëndron pezull.

TRI DHOMAT E GJUMIT kanë një format drejtkëndor, me përmasa të plota, gjë që i bën shumë komode. E veçanta e tyre qëndron në trajtimin për t’i dhënë një atmosferë të ngrohtë e të ëmbël në finiturë, materiale dhe ngjyrë.

Ngjyrat janë një element dallues i arkitektes, e cila shquhet për përzgjedhjen e guximshme e të pazakontë të tyre. Loja e ngjyrave është e dukshme në të tria dhomat dhe shoqërohet me tone shumë elegante të ngjyrave pastel. Kësaj i shtohet edhe ndjeshmëria e lartë në zgjedhjen e pëlhurave e tapicerive dhe ndriçimi i shtresëzuar, i cili gjeneron ekuilibër, por edhe shumë ngrohtësi.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor