Personazh 11 Shtator 2019

Kur Xheraldina i vë VULËN; Intervistë ekskluzive për Living

Personazh

NGA: ZHAKLIN LEKATARI; FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

NJË GRUA FRYMËZUESE, ENERGJIKE, E PËRGATITUR, AMBICIOZE DHE ME SHUMË, SHUMË DASHURI PËR TË FALUR. Kjo është shija që më la takimi i parë me Xheraldina Vulën, në shtëpinë e saj në Prishtinë. Nuk e di nëse është e tepërt të thuash që mikpritja ishte aq e jashtëzakonshme, sa të bënte të ndiheshe keq dhe sikur kishe bërë ndonjë gabim. Gjithë kohën që kaluam bashkë ishte tejet e dashur dhe e gatshme karshi nesh. Xheraldina Vula, e cila nga më të rinjtë njihet si nëna e këngëtarit Ledri Vula, është një zonjë që suksesin dhe punën e lodhshme i ka prekur shumë vite më parë.

Me një nënë ulqinake dhe baba kosovar, ndonëse ka lindur në Prishtinë, një pjesë të mirë të vegjëlisë dhe rinisë, i ka kaluar në shtëpinë në Ulqin. Pikërisht në Stoj, ku 38 vite më parë është njohur dhe me bashkëshortin e saj; ai, Agroni peshkonte në Bunë, ndërsa ajo, Xheri, rrezitej me të ëmën. Aty lindi një simpati, një dashuri dhe miqësi aq e fortë, sa vazhdon edhe sot, njësoj si 38 vjet më parë. Xheraldina, që mbart një emër mbretëreshe, ka mbaruar studimet për letërsi dhe nuk është e habitshme të dëgjosh që numëron disa libra me poezi, si: “Megjithatë sillet”, “Me bisht syri”, “Ritual me pantallona” etj., tekste të cilat janë përkthyer dhe në shumë gjuhë të huaja. Por aktiviteti i saj letrar nuk ka përfunduar me kaq, sepse ajo po përgatit një krijim tjetër, i cili përveçse në formë të shkruar do të vijë edhe në audio dhe video. Teksa përgatit një smoothie në banakun ishull në mes të kuzhinës, e cila ngjan me ato që shohim vetëm nëpër revista, ajo na flet për fillesat e saj, për dashurinë për librin, letërsinë e shkruar nga grate dhe studimin në përgjithësi. Sot, Xheri (siç e quajnë miqtë) është moderatore dhe gazetare e emisionit më të ndjekur në Kosovë “Diçka po zihet”, të cilin jo vetëm e ka krijuar dhe prodhuar vetë, por tërheq më shumë se 60 % të shikuesve në Kosovë. Udhëtimi i saj në gazetari ka nisur shumë herët, që përpara luftës, me bashkëthemelimin e Media Projektit ose të qendrës së trajnimit për femra në gazetari dhe menaxhim të konflikteve. Viti 1997 e gjeti si themeluese të revistës për femra “Sfinga”, dhe më pas të revistës mujore, gjithashtu për femra, “Eritrea”. Në vitin 1998, falë një projekti të fituar në institucionet ndërkombëtare, ajo u bë bashkëthemeluese e radios së parë shqiptare dhe europiane në internet: Radio 21, dhe e Televizionit 21, media më e madhe dhe e njohur në Kosovë. Sa më shumë njihesh me Xherin, e pyet për ndonjë suvenir apo arredim specific në shtëpi, aq më shumë zbulon nga jeta e saj. Duket sikur çdo element i shtëpisë mbart në vetvete një udhëtim, një ngjarje, një aventurë. Një mikeshë e re në Amerikë, një takim i rëndësishëm në Kinë, një udhëtim familjar në Guatemalë... historitë nuk kanë të sosur. Megjithatë, dashurinë time pa kushte ajo e fitoi kur u njoha me angazhimin e saj të gjatë dhe të palodhshëm në luftën për barazinë gjinore, fuqizimin dhe edukimin e gruas, sidomos asaj kosovare. Ishte viti i largët 1995 kur ajo mori pjesë në Konferencën e Pestë Botërore të Grave në Kinë, për të vazhduar si këshilltare dhe anëtare e bordit të “Star Network of World Learning” (1999-2002), anëtare e “Women Waging Peace” (nga viti 1999), anëtare e bordit e NEWW (2001 – 2003), anëtare e Lobit të Grave Kosovare (nga viti 2004), anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (1999-2007), anëtare e bordit të drejtorëve të “Center for Women Studies” (2007- vazhdon), kryetare e bordit të drejtorëve në OJQnë e grave SHE-ERA (nga viti 2004), kryetare e bordit të drejtorëve të KCSF-së (nga viti 2007).

Kur e pyet Xherin se si filloi dëshira për t’u angazhuar në këtë lëvizje apo se cili është frymëzimi i saj, përgjigjet me një shpejtësi rrufe: prindërit. Një çift zotërinjsh intelektualë, të cilët i kanë dedikuar 60 vjet studimit, leximit, letërsisë dhe edukimit të vajzave dhe grave. Në fakt, kur mbërritëm, babai i saj na puthi dorën, një gjest elegant dhe me klas, dëshmi e edukimit dhe kulturës së rafinuar që ka kjo familje. Letërsia feministe, siç e quan ajo, ama edhe librat në përgjithësi, janë jo vetëm pjesë e pandashme e familjes, por kanë pushtuar një faqe të madhe muri në shtëpinë e saj, aq sa duhet një shkallë e gjatë rrëshqitëse për të patur qasje në gjithë bibliotekën. Nga ana tjetër, në shtëpi ka tre kënde të ndryshme leximi, ku një u është dedikuar vetëm prindërve, me piktura të blera në ankande apo të dhuruara ndër vite, të vlefshme si nga ana monetare dhe ajo emocionale, si për shembull një nudo e piktorit Ali Shima e viteve ’80, kur Shqipëria ishte ende në diktaturë. Kudo të zë syri suvenire nga udhëtimet ndër vite: lule, ngjyra, muzikë, dashuri. Janë aq shumë për të shijuar, sa harron që je mysafir dhe duhet të largohesh. Nuk dua ta shndërroj jetën e kësaj gruaje në një përrallë, por duhet thënë që ka luftuar dhe ka sakrifikuar shumë për të arritur deri këtu. Agroni, bashkëshorti i saj, më shpjegoi që në vitet e para të martesës apo gjatë përplasjeve të para me komunitetin serb, ata kanë jetuar edhe të ndarë. Ai, një kineast i njohur në Kosovë, por edhe në Shqipëri si një nga regjisorët e Këngës Magjike, ka qenë në Gjermani dhe më pas në Tiranë, për të punuar fillimisht për “Deutsche Welle” dhe më pas në TVSH. Në ato vite, Ledri ishte fare i vogël dhe Xheraldina një grua dhe nënë e re. Agroni na thotë se Xheraldina është shtylla e shtëpisë dhe se ka aq energji, saqë shpesh ai dhe i biri e qetësojnë duke ulur disi tempizmin e saj.

Është fantastike se si disa njerëz menaxhojnë dhe kanalizojnë aq mirë jetën, problemet  dhe vështirësitë e saj, duke i përdorur si një mjet për t’u fuqizuar dhe zhvilluar  më tej. Është bukur dhe frymëzuese kur sheh një çift që organizon kaq mirë oraret, angazhimet, punën, miqësinë dhe kohën për njëri-tjetrin. Xheraldina thotë se jeta e saj është kaq e vrullshme, sa koha e vetme që ka për bashkëshortin dhe që e ruan me fanatizëm, janë dy orët e mëngjesit, kur ata shijojnë kafenë së bashku dhe flasin për punët që kanë lënë pas ose ato me të cilat do të përballen. Më pas, siç thotë ajo, “bashkëshorti i saj është i lirë të eksplorojë botën dhe bota atë.” Pasditja nuk e gjen në shtëpi, por te “Nana Fashion Store”, një bar- restorant që funksionon si një hapësirë ku hahet, pihet, por edhe bëhet shopping me veshje të përdorura. Edhe këtu, si në shtëpi, duket dora dhe stili i saj: një përzierje stilesh, i vjetër dhe modern, të cilat janë në simbiozë perfekte me njëritjetrin. Është e pamundur që një grua kaq rrëzëlluese të lejonte dikë tjetër të përcaktonte hapësirat e saj vepruese. Menuja, sidomos e mëngjesit të vonë të së shtunës, është konceptuar tërësisht nga ajo. Xheri jo vetëm gatuan shumë mirë, por tanimë prej vitesh drejton programe gatimi, si për shembull “Master Chef Junior”, i cili organizohet në Shqipëri. Talentin për gatimin e mishit apo brumërave ajo e shfaq në darkat e shpeshta dhe të bollshme që organizon për familjen e madhe (sepse Xheraldina jeton bashkë me prindërit e saj) dhe për miqtë. Zakonisht, në darkat e familjes Vula ka rreth 30 të ftuar, të cilët janë miq të çiftit, të Ledrit, e tanimë mes tyre u shtuam edhe ne. Për një grua të tillë, të jashtëzakonshme, nuk mjaftojnë asnjëherë lavdërimet dhe fjalët e bukura. Si ia del kjo grua t’u kushtojë kohë të gjithave: shtëpisë, kafshëve shtëpiake (disa prej të cilave jetojnë në këtë familje prej më shumë se një dekade), prindërve, familjes dhe miqve? Tanimë Ledri ka një konkurrente shumë të fortë. Vajzat nuk i shkulin flokët vetëm për të, por edhe për mamin e tij, me një dashuri të jashtëzakonshme për çdo gjë që ka jetë dhe që sjell inovacion.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor