Personazh 9 Shtator 2019

Njihuni me Nikon, kampionin absolut të kërcimeve latine; Intervista e 24-vjeçarit që do ju fiksojë me një hobi të ri

Personazh

NGA: ELONA JAÇELLARI; FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Është 24 vjeç dhe rrugëtimin me kërcimin e nisi në moshën pesëvjeçare, me dansin sportiv. Është shpallur tetë herë kampion vendi, dy herë kampion Ballkani dhe një herë kampion Europe. Shtatëmbëdhjetë vjeç, Niko hapi palestrën e parë të zumbës dhe sot është ndër trajnerët më të talentuar të salsës dhe baçatës në vend. Talenti i tij ka bërë për vete shumë personazhe të njohur të muzikës. Anxhela Peristeri e ka bërë pjesë të videoklipit të saj më të fundit, ku më shumë se personazh, Niko është instruktori i hapave të këngëtares. Gjithashtu, është ngjitur disa herë në skenën e Këngës Magjike, me Laura Nezhën dhe Stinen. Nxënëse të tij janë edhe Armina Mevlani e Ronela Hajati.

“Me Laurën kam përjetuar një nga eksperiencat më të forta, më të bukura dhe më emocionuese. Në gjysmëfinale duhej të interpretonim ndërkohë që Laura do të këndonte lajv. Mikrofoni mizë nuk punonte dhe na u desh të stërviteshim dy javë, të bënim prova se si Laura do të kalonte mikrofonin nga njëra dorë në tjetrën. E gjithë puna ishte tek unë, sepse nëse e ulja Laurën më shumë apo më shpejt seç duhej, asaj i ikte zëri.” Talenti i madh i këtij të riu, ka bërë që ai ta identifikojë veten dhe sot të jetë një ndër emrat më të kërkuar në vend, por edhe jashtë tij. “Prej tri vitesh radhazi marr oferta nga ishujt Tenerife, për të shkuar dhe për të punuar atje si animator kërcimesh latine në resorte të ndryshme. Nuk e di se nga ma kanë gjetur kontaktin, por besoj se kanë parë videot e mia dhe më kanë studiuar. Më kanë ardhur oferta nga Nju Jorku, për të punuar në palestër për mësime kërcimi në grup, por dhe individuale; një nga kroçerat më të mëdha në botë, që bën turneun Amerikë- Zelandë e Re-Australi, më ka ftuar t’i bashkohem, por ende nuk kam vendosur të konsideroj ndonjë prej këtyre ofertave. Këtu kam familjen, të dashurën.

Nuk dua të mendoj për fitimet kur e di që do të më mungojë një gjë më e madhe sesa paratë”, - ndan instruktori i kërcimeve latine. Ai është nga ata të rinj që i është përkushtuar me mish e me shpirt pasionit të tij, kërcimit, i cili prej shtatë vitesh është kthyer në profesionin e tij. Ndërsa shumë djem të moshës së tij ende nuk e kanë një orientim për jetën, Niko i kalon ditët nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë duke dhënë mësim. Nxënësit e tij janë fëmijë e të rritur. Punon shumë, është jashtëzakonisht i sjellshëm, por ajo që e bën të fitojë respektin e të gjithëve pavarësisht nga mosha, është talenti dhe përkushtimi i tij. “Ka momente kur lodhem dhe mund të mërzitem, por nuk e çoj kurrë nëpër mend që të heq dorë nga kërcimi dhe puna që bëj. Ditën e diel, që jam pushim, mërzitem duke ndenjur. Kërcimi më është kthyer në një lloj rutine dhe vetë trupi im kërkon të lëvizë. Mendoj që edhe tetëdhjetë vjeç do të jem duke kërcyer”, - shprehet Niko, i cili ëndrrën për kërcimet latine e nisi në Greqi, aty ku edhe ka lindur, dhe po e vijon në token e origjinës së tij.

Ka tërhequr vëmendjen e medieve greke që në moshën 4-vjeçare, duke bërë fotomodelin. Kur ishte tetë vjeç, familja e tij u kthye në vendlindje dhe këtu djaloshi i talentuar u regjistrua në Federatën e Dansit Sportiv, ku edhe triumfoi 11 herë me çmime të para në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare. Shtatëmbëdhjetë vjeç përjashtohet nga federata dhe e vetmja rrugë që Niko të mos digjte ëndrrën e tij, ishte të hapte palestrën e tij. Në fillim, ajo ishte një sallë e vogël, që nuk zinte më shumë se tetë persona, ndërsa sot ai drejton një nga sallat më të frekuentuara të kërcimeve latine në Tiranë. “Nuk e kam pasur kurrë në mendje që ta vazhdoja këtë rrugë. E kisha menduar si një dritare të dytë, sepse jam diplomuar për administrim-biznes. Premisat për mua kanë qenë që të merresha me biznesin e babait, por kërcimi është pasion dhe sapo dëgjoj një këngë latine, nis të kërcej. U mërzita shumë kur u largova nga federata dhe si një dëshmi timen ndaj pasionit prej të cilit nuk do të hiqja dorë kurrë, hapa palestrën dhe ja ku jam sot, pas shtatë vitesh.” Niko Spiro është nga ata të rinj që ka shumë besim te vetja. Arritjet e sotme kanë qenë gjithmonë një vizion i qartë

në të shkuarën, ashtu siç edhe qartazi e shikon që pas dy-tri vitesh do të jetë në një projekt edhe më të madh. Për të, kërcimi është jetë, është instrumenti që e shkëput nga çdolloj realiteti i trazuar dhe e çon mendërisht në vendet më të bukura të botës. ADN-ja e tij është 100 % shqiptare, por talenti dhe pasioni i tij e bën atë një shpirt latin të lindur. Hapat e tij flasin gjuhën “më të nxehtë të botës”.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor