Personazh 7 Shtator 2019

Njihuni me Darion, djalin që grimohet më mirë se gjysma e vajzave që njihni; Talenti i 22-vjeçarit po merr 'dhenë'

Personazh

Nga Zhaklin Lekatari

Jemi mësuar që në industrinë e makijazhit të udhëhiqemi nga figura të njohura femërore, por harrojmë se meshkujt janë më krijues. Artistët e makijazhit nëpër botë janë meshkuj që bëjnë çudira dhe ky trend botëror ka përfaqësuesin e tij edhe në Shqipëri. Emri i tij është Dario Doka, është vetëm 22 vjeç, por jam e sigurt që shumë shpejt do të pushtojë botën e së bukurës në Tiranë.

Dario, plot pasione që lidhen me botën e artit, ka më se një vit që ka zbuluar dashurinë për makeup- in ose e thënë shqip, makijazhin. Ai ka mbaruar shkollën për hoteleri-turizëm, degë që nuk ka asnjë lidhje me buzëkuqin, lapsin apo pudrën, por gjithmonë ka qenë i talentuar në pikturë. Provat e para i ka bërë në dorë, duke përdorur produktet e motrës, kushërirës, së ëmës apo shoqeve. Shumë shpejt, kombinimet e ngjyrave nisi t’i provonte në fytyrë, për t’u stërvitur dhe për të kuptuar më mirë ekuilibrin e tyre mbi tipare.

Dario numëron më shumë se 20 mijë ndjekës në faqen e tij në Instagram dhe thotë se pikërisht nëpërmjet këtij rrjeti social ka filluar jo vetëm të pranojë si dhuratë produktet e para, por dhe të guxojë për angazhimet fillestare. Ajo çka e bën atë të veçantë dhe të jashtëzakonshëm, është fakti që të gjitha mënyrat apo kombinimet e reja që propozon, i krijon dhe i provon si fillim në fytyrën e tij. Ai kujdeset që për ndjekësit e tij të sjellë çdo javë një pamje të re, dramatike apo origjinale, e cila shpeshherë frymëzohet nga ngjarjet apo festat e ndryshme. Xixat, puplat, perlat, gurët dhe ngjyrat, ndërthuren aq bukur me njëra-tjetrën, sa të tërheqin vëmendjen dhe të bëjnë të ndalesh mes qindra profileve në Instagram. Në faqen e Darios mund të shihni dhe bashkëpunime me personazhe të njohura në vendin tonë. Kur e pyes sa e pasur është tryeza e tij e makijazhit, thotë se ka më shumë produkte, sesa një vajzë. Ato janë të organizuara në dy tryeza dhe janë të hapura si “për të ngopur syrin”. Megjithatë, ai ka nevojë për ngjyra, kompani dhe produkte të tjera, për më shumë kombinime inovatore dhe të çmendura. Klientet e para të Darios ishin shoqet dhe kushërirat, të cilat guxuan të besonin tek ai për një pamje si kurrë më parë. Pastaj, ishin pikërisht ndjekësit, miqtë, por edhe familja që e nxitën të dilte nga guaska dhe t’i jepte jetë pasionit të tij. Dario thotë që një makijazh profesional merr rreth dy orë kohë. Ndërkohë, ai vazhdon të shohë video makijazhi në “YouTube” apo të ndjekë artistë të tjerë të famshëm në botë, ndërsa dy mentorët e tij janë Jeffree Star dhe James Charles, dy guru të makijazhit dhe yje të “YouTube”-it në Amerikë. Të themi të drejtën, edhe Dario mund të merret fare lehtë si një i huaj. Ka veshje moderne, flokë me prerje asimetrike në ngjyrë platini dhe syze optike moderne; shkurt, një pamje që të bën të kthesh kokën. Si për të vulosur faktin që ka lindur për të qenë mes së bukurës, Dario punon edhe si model. Kënga, kërcimi, veshjet dhe çdo element që lidhet dhe promovon të bukurën dhe estetikën është pjesë e botës së tij.

Kur e pyes nëse paragjykohet për punën që bën, thotë që në Shqipëri është normale, por forca e pasionit të tij dhe mbështetja nga familja dhe nga ndjekësit, kanë aq vlerë, saqë ai i hedh pas shpine të gjitha komentet negative dhe provokuese. Dario thotë që të gjitha këto komente e shtyjnë të bëjë më shumë dhe të vazhdojë pa frikë drejt ëndrrës së tij. Ndonëse është ende në fillimet e veta, ka shumë plane për të ardhmen. Si shumë të rinj shqiptarë, edhe ai do që të largohet jashtë vendit për më shumë mundësi, për t’u plotësuar, por edhe për më tepër sukses. Ndaj, ju këshilloj që për sa kohë është ende në vendin tonë, dhe për t’u dukur si një divë e vërtetë apo yll botëror si Kim Kardashian apo Kylie Jenner, mos ngurroni: guxoni për një makijazh “alla Dario”.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor