Letra 5 Shtator 2019

''Më quanin të çmendur, por unë e ndjeja se ai kishte diçka" përballja e pabesueshme e mamasë 42 vjeçare me autizmin

Letra

‘’Të gjithë kujtonin se isha paranojake. Arritën deri në atë pikë sa të më quanin të çmendur dhe dëshironin të më ndanin nga djali im, por zemra e një nëne nuk gënjen kurrë.’’-kështu e nis rrëfimin e saj Marie Hélène Benedetti, gruaja 42 vjeçare nga Chieti. Mamaja e dy fëmijëve ka rrëfyer së fundmi për prestigjiozen italiane ‘’Corriere della sera” gjithë epopenë e vuajtjeve që i është dashur të kalojë, derisa më në fund familja dhe mjekët pranuar se djali i saj i vogël Thomas Ninni, ishte autik.

Gjithçka nisi kur vogëlushi ishte vetëm 10 muajsh. Në ndryshim nga eksperienca me djalin e parë, Thomas nuk reagonte ndaj asgjëje dhe kjo gjë e shqetësoi mamanë e tij. ‘’Mbaj mend që isha ftuar në një festë datëlindjeje dhe  së bashku me mua isha edhe disa nëna që kishin fëmijët në moshën e Thomas-it. Përpiqeshin të më ngushëllonin duke më thënë se fëmijët nuk reagojnë të gjithë njëlloj, dhe se Thomas ishte vetëm pak dembel. Por unë e ndjeja se kishte diçka që nuk shkonte tek ai. Kur isha në shtëpi bëja zhurma të ndryshme për të tërhequr vëmendjen e tij, por ai nuk reagonte. E thërrisja disa herë, por përplasesha me shikimin e tij të përhumbur diku në një pikë boshe. Shprehitë e tij ishin të pandryshueshme, ndërkohë që unë nuk mund të lëvizja askund pasi qante aq shumë derisa villte’’-tregon ajo.

Në këtë moment për nënë e bir do të fillonte edhe makthi mes refuzimit dhe mohimit të familjes, por edhe neglizhencës së instancave shëndetësore. ‘’Mjeku pediatër nuk më besonte, mendonte se po ekzagjeroja dhe se gjithçka ishte në rregull. Nga ana tjetër familjarët e mi filluan të shqetësoheshin për shëndetin tim mendor dhe më quanin të paaftë për të rritur djalin tim. Në momentin që mendova se kisha prekur fundin dhe se ndoshta isha e çmendur, kjo falë edhe qetësuesve të shumtë që po merrja, u bëra pjesë e një grupi mamash në Facebook dhe aty u binda se duhet të shkoja tek një neuropsikiatër. Ditët kalonin dhe Thomas tashmë as nuk përqendrohej si më parë. Ishte  data 5 dhjetor 2018, kur mjeku më konfirmoi atë që kisha dyshuar gjithmonë: Thomas vuante nga çrregullime të spektrit autik. Ishte lajmi më i kobshëm që mund të merrja, por të paktën kështu mund ta ndihmoja më mirë me nevojat e tij.

Lashë takim edhe me një mjek nutricionist  dhe duhet ta pranoj që ngela e habitur kur shihja Thomas-in më të qetë pas çdo vakti.  Bëj gati 100 km në ditë që ai të ndjekë seancat e terapisë të programit Denver. Lufta jonë sapo ka nisur, por së bashku do ia dalim që im bir të ketë një jetë më të qetë.''-mbyll rrëfemin e saj ajo./Burimi ''Vita da mamma"

SHËNIM: Terapia Denver kyhet me terapistë-psikologë ose logopedë, vetëm për vetëm me një fëmijë. Zakonisht bëhet në një mjedis të qetë pa stimuj shpërqëndrues, pamore ose dëgjimore, në tavolinë, me mjete të shumta  mësimore dhe mjete përforcuese.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor