Pjata kryesore 2 Shtator 2019

Humus me panxhar, receta persiane për të lëpirë gishtat

Pjata kryesore

Nga Linda Fishta/ Fotografia Armand Habazaj

Këtë recetë e provova në udhëtimin e fundit në Stamboll, në një restorant persian. Është një gatim i ftohtë, që mund të shërbehet shumë mirë si antipastë e të shoqërohet me një birrë. Më pëlqeu shumë, ndaj po e sjell edhe për ju!

KOHA E PËRGATITJES - 10 minuta (nëse panxhari është i zier)
PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 500 g panxhar i kuq i zier ose 700 g i pazier, 2 hurma të mëdha arabie ose 3 të vogla (i zbusim për pak minuta në ujë të ngrohtë, pasi t’u heqim bërthamën), 1 thelb hudhër, 4 lugë kos i bardhë, i trashë (kos grek), 4 lugë vaj ulliri, 1 tufë kopër, 2 lugë uthull verë të kuqe, 1 majë luge kripë, 100 g djathë i bardhë, 1 grusht arra të qëruara, të grira me dorë në thërrime të mëdha.

PËRGATITJA: Humusi me panxhar: ziejmë panxharët në një tenxhere të mbuluar me ujë dhe i lëmë për rreth 40 minuta ose derisa maja e thikës të
futet lehtësisht. I kullojmë, u heqim lëkurën dhe i presim në copa. Në mikser hedhim copat e panxharit, vajin e ullirit, hurmat e Arabisë pasi t’u kullojmë lëngun, dhenjë majë thike kripë. I grijmë derisa të përftojmë një masë si pure. E hedhim purenë në një tas, shtojmë më shumë se gjysmën e tufës së koprës të grirë me thikë, hudhrën të grirë imët, kosin, uthullën dhe pak kripë, nëse është nevoja. Përpara se ta konsumojmë, shtojmë arrat dhe djathin e bardhë të copëtuar me dorë dhe koprën që na ka mbetur.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor