Personazh 30 Gusht 2019

“Jeta do të ishte e mërzitshme po të kisha vetëm komente pozitive dhe pëlqime” Angela Martini rrëfen lidhjen me fansat e rrjetet sociale

Personazh

Nga Frensis LLoji

ÇMENDURI, SEKSI DHE I PAPARË; kështu e përshkruan Angela Martini Instagramin e saj, por unë do të thosha që profili i topmodeles është një nga më të rrallët, që nuk gjendet shpesh në rrjetet sociale. Angela vjen aq origjinale në këtë hapësirë virtuale, aty ku çdokush përpiqet ta shtrembërojë sadopak realitetin, saqë është e pamundur të mos e veçosh nga të tjerat.

Topmodelja nuk mban “axhendë” postimesh dhe as shqetësohet për pikun e trafikut të klikimeve apo pëlqimeve. Ajo nuk vuan për këto të fundit, ndaj nuk e ka çuar ndonjëherë nëpër mend të blejë ndjekës, pëlqime apo komente. Ajo është spontane dhe thotë se nuk harxhon më shumë se gjysmë ore në ditë duke kontrolluar në Instagram! Për të, ky rrjet social është kryesisht qejf dhe argëtim. “Nuk është se e marr shumë seriozisht. Nuk kam filozofi”, - thotë Angela. Postimi i fotove të përditshme, nuk është prioritet për të, e kur kjo ndodh, përpiqet që fotot të jenë një pasqyrim i jetës së saj, stilit e ndoshta më pak i aktiviteteve të saj! Angela nuk u druhet komenteve negative, madje nuk do që profile i saj të jetë i sheqerosur, si i shumë njerëzve të njohur.

Ndonëse është e vështirë të pikasësh fjalë jo dhe aq të këndshme për të, ajo nuk shqetësohet t’i fshijë si për të pastruar imazhin e saj qelibar. I lë aty komentet negative dhe fshin vetëm ato që kalojnë çdo kufi mirësjelljeje. “Mendoj se jeta do të ishte e mërzitshme po të kishim vetëm komente pozitive. Njeriu ka nevojë për ekuilibër”, - shprehet ajo. E pikërisht këtë përpiqet të mbajë Angela: një ekuilibër në profilin e saj, për të mos zbuluar gjithçka nga jeta personale, por dhe të postojë aq sa t’ju mbajë mbërthyer në Instagramin e saj. “Jam e lumtur dhe mirënjohëse që kam ndjekës të shumtë, dhe mbi të gjitha, të vërtetë. Ata janë të këndshëm dhe krijues!” Dhe ne jemi të lumtur që e kemi Angela-n në Instagram dhe që mbi të gjitha është E VËRTETË!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor