Ëmbëlsira 14 Gusht 2019

Receta më e shpejtë dhe e shijshme e biskotave me mjaltë

Ëmbëlsira

Koha e përgatitjes - 30 minuta bashkë me pjekjen

Nga Linda Fishta/ Fotografia Armand Habazaj
PËRBËRËSIT:

»» 120 g miell orizi
»» 30 g miell misri i bluar imët
»» 80 g gjalpë i butë në temperaturë ambienti
»» 100 g arra të qëruara, të grira në thërrime ose lajthi
»» 50 g bajame të qëruara
»» 40 g mjaltë
»» 1 vezë
»» 70 g sheqer kaf
»» 1 limon organik
»» 1 lugë e vogël sodë për ëmbëlsira
»» një majë thike kripë

PËRGATITJA:

1.Grijmë në mikser arrat me një lugë miell orizi, derisa të bëhen thërrime.

2.Në një tas, përziejmë me lugë druri miellin e orizit që na ka mbetur, me miellin e misrit, sodën që e hedhim me sitë, arrat e grira, sheqerin, gjalpin, mjaltin, vezën të rrahur më parë me pirun, lëkurën e grirë të limonit dhe një majë thike kripë. I përziejmë më pas me dorë, derisa të përftojmë një brumë që nuk ngjit. E mbështjellim me plastmasë kuzhine dhe e lëmë në frigorifer për 30 minuta.

3.Pas kësaj kohe nxjerrim brumin nga frigoriferi dhe me dorë bëjmë topa të vegjël sa një kokërr arre. I vendosim në tavë me letër furre dhe me duar të lagura i shtypim, për t’i bërë më të sheshta. Sipër u vendosim nga një bajame sipas dëshirës. I pjekim për rreth 15 minuta në furrën e ngrohur më parë në 180° C ose derisa të shohim që kanë marrë ngjyrë të artë. Kur janë të nxehta, janë shumë delikate, prandaj, kur të jenë ftohur, i heqim nga tava me ndihmën e një aksesori të sheshtë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor