Showbiz 13 Gusht 2019

''Lamtumirë Nadia Toffa", ndahet nga jeta gazetarja e famshme italiane pas betejës së gjatë me kancerin

Showbiz

‘’Nuk kam pse të më vijë zor nga ajo që kam kaluar, as për faktin që mbaj paruke, këta nuk janë flokët e mi. Nuk kam pse e fsheh që kam kaluar momente të vështira. Gjatë gjithë këtyre muajve kam qenë nën vëzhgimin e mjekëve. Kam bërë cikle të gjata kimioterapie dhe radioterapie. Mjekët  arritën të më hiqnin tumorin që me ndërhyrjen e parë, por ai është më i fortë se unë dhe është kthyer sërish.”-janë këto fjalët e fundit që Nadia Toffa, gazetarja e njohur e emisionit investigativ ‘’Le Iene” do të pranonte shkurtin e shkuar, në një rikthim ekskluziv në studion e ‘’Mediaset”, pa ditur se kjo do të ishte hera e fundit që do të shfaqej në ekran.

Ka qenë pikërisht redaksia e ‘’Le Iene”, emisioni që e rriti dhe afirmoi në shtypin italian, që ka ndarë i pari lajmin e ndarjes nga jeta të gazetares 40 vjeçare. ‘’Luftoi gjithmonë me kokën lart, me buzëqeshjen e saj karakteristike, me dinjitet dhe duke mos reshtur kurrë së luftuari deri në fund, deri më sot”- shkruhet në postimin e tyre rrëqethës në Facebook.

Edhe pse gjatë kësaj kohe Nadia nuk ishte prezente në ekran, ajo ruante komunikimin me fansat në llogarinë e saj në Instagram, ku tregonte për sëmundjen e saj duke u kthyer në një simbol force dhe durimi për shumë njerëz. Postimi i fundit në rrjetet sociale është në 1 korrik, përpara se të përkeqësohej. Nadia Toffa lindi në Brescia në 10 qershor 1979. Është vlerësuar dy herë me çmime në gazetari.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor