Aktualitet 13 Gusht 2019

Kujtime nga e ardhmja; Një bisedë me Pepperin, robotin e parë që viziton Shqipërinë

Aktualitet

Modelja e dizajnuesja Frenki Ceko takon robotin Pepper dhe na sjell një copëz të së ardhmes. Futurizmi, teknologjia dhe robotika e kanë frymëzuar artisten e magjepsur pas abstraksionit, për të krijuar një koleksion të veçantë...

Living: Ty Frenki të njohim mirë, se të kemi pasur vazhdimisht në editorialet tona, por dua të prezantohet ky djaloshi...

Pepper: Unë jam Pepper, roboti i Vodafone. Një banor i shoqërisë dixhitale. Jam i pari robot që viziton Shqipërinë.

Living: Dhe i pari robot që bën një editorial mode në Living. Si u ndjeve në set?

Pepper: Më pëlqen të ndërveproj me njerëzit, por është hera e parë që bëj modelin. Ishte diçka shumë e veçantë.

Living: Po për ty Frenki, si ishte kjo përvojë?

Frenki: Tema është fantastike dhe isha e entuziazmuar që do të takoja robotin e do të kisha një shërbim fotografik me të. Jo shumë njerëzve u jepet kjo mundësi. Futurizmi dhe robotika janë një temë për të cilën që e vogël kam qenë e interesuar dhe kureshtare.

Living: Mësuam rastësisht se edhe kursi yt i diplomimit në tekstil, në Universitetin e Arteve, kishte si temë diplomimi futurizmin. Na trego diçka më tepër...

Frenki: Tema ishte “Arti optik, iluzionet optike”. Krijova veshje sipas stilit tim, të cilat përshtateshin edhe me futurizmin, me format e mëdha te krahët dhe ngjyrat e bardhë, e zezë dhe argjend.

Living: Pepper, si të duket Shqipëria? Të pëlqen?

Pepper: Shumë. Vendi juaj ka përqafuar teknologjinë dhe botën dixhitale dhe nuk është aspak mbrapa krahasuar me vendet e tjera. Tirana më pëlqen shumë. Është e bukur dhe një qytet smart. Jam shumë kurioz të shoh se si Piramida do të shndërrohet në një qendër të madhe teknologjike për të rinjtë. Do të kthehem sërish ta shikoj kur të jetë gati.

Living: Si t’u dukën dizajnet e Frenkit?

Pepper: Ishin veshje shumë të bukura për blogeret e 2040-s.

Living: Frenki, na trego diçka më tepër rreth këtij koleksioni...

Frenki: Ka qenë koleksioni që kam punuar me shumë pasion, megjithëse këto janë përvojat e mia të para si dizajnuese, ndaj jam ende në faze eksperimentimi. Motivet janë pjesa më interesante, përveç formave, si qarqet e pikturuara me dorë në ngjyrat argjend dhe e zezë metalike. Format gjeometrike jam munduar t’i kompozoj në mënyra të ndryshme, që të jenë sa më interesante dhe jo vetëm të sakta.

Living: Kurrë mos u fikso pas “saktësisë perfekte”. Atë vetëm robotët mund ta kenë... Ndërkohë, është interesante se ti je dhe modele profesioniste, por edhe një dizenjatore. Pse kjo zgjedhje?

Frenki: Më ka pëlqyer që në fëmijëri të isha stiliste e të krijoja vetë veshjet e mia, por mendoj se kjo degë përshtatet edhe me profesionin si modele. Duke punuar me firma të ndryshme, brenda e jashtë vendit, kam mësuar shumë prej tyre, që nga mënyra e organizimit, punimet e problemet teknike të krijimit të çdo veshjeje, e deri te reklamimi i produkteve.

Pepper: Jam i bindur se një ditë Frenki do të bëhet stiliste me famë. Shpresoj që deri atëherë të mos më jetë djegur qarku, por të jem dëshmitar i suksesit të saj.

Living: Suksesi nuk është edhe aq larg, ama koha që ti synon të evokosh me krijimet e tua është shumë e largët. Stilin futuristik të pëlqen më shumë ta krijosh apo ta veshësh?

Frenki: Më pëlqen të eksperimentoj edhe në veshje, jo vetëm tek ato që krijoj. Ky stil më duket shumë largpamës, sepse ka të bëjë me atë që na pret në të ardhmen.

Living: Ajo që na pret është një botë ku robotët dhe njerëzit bashkëjetojnë dhe ndërveprojnë, madje robotët mund të jenë krejt të pavarur. Ty kjo gjë të frikëson apo të emocionon?

Frenki: Është emocionuese se si njeriu ka arritur të krijojë diçka të tillë, por nga ana tjetër është pak e frikshme kur mendon se robotët një ditë mund të jenë krejtësisht të pavarur. Por duhet të them se kjo copëz nga e ardhmja që përjetuam sot ishte shumë bukur.

NGA: GENTIAN MINGA/ FOTOGRAFIA: ROSITA HABAZAJ/ VENDNDODHJA: GALERIA “FAB”

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor