Pjata kryesore 11 Gusht 2019

Gjoks pule me salcë kremoze, hudhër e limon/pasi ta provoni do e gatuani gjithë verën

Pjata kryesore

Nga LINDA FISHTA/Fotografia ARMAND HABAZAJ

Receta e sotme është një nga ato pjata që pasi t'i provoni një herë, nuk do t'u ndahet shpirti prej saj. Është aq e thjeshtë dhe e shpejtë për t'u përgatitur, për shijen nuk po flasim se do e provoni vetë, do të lëpini gishtat pasi ta provoni.

PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 4 gjokse pule, 3 lugë vaj ulliri ose gjalpë, 1 qepë e vogël e grirë imët, kripë e piper, 250 ml lëng pule i valuar, 3-4 lugë lëng limoni i saposhtrydhur, 4 thelpinj hudhër, 1 lugë e vogël spec i kuq pluhur,  150 g pana për kuzhinë mundësisht me yndyrë, 2 lugë majdanoz i grirë, 1-2 lugë të vogla niseshte misri për të trashur salcën, ½ limon i prerë në feta të holla.


PËRGATITJA: Në një tigan hedhim vajin dhe skuqim gjoksin e pulës nga të dyja anët, me zjarr të fortë. I heqim nga zjarri dhe i vendosim mënjanë në një pjatë. Skuqim qepën në tigan derisa të bëhet si transparente, shtojmë hudhrën dhe specin pluhur. I përziejmë me lugë druri me shpejtësi, i rregullojmë për kripë e piper. Vendosim mishin përsëri në tigan bashkë me lëngun e limonit dhe lëngun e pulës.

I lëmë në zjarr për 10 minuta me kapak gjysmë të mbyllur dhe më pas e heqim, që salca e krijuar të trashet pak. Shtojmë panën, majdanozin dhe vendosim nga një fetë limoni mbi secilin gjoks të pulës. E lëmë tiganin për 5 minuta në zjarr të avashtë. Nëse dëshironi një salcë të trashë, tretni niseshte me pak ujë të ftohtë, shtojeni në tigan dhe pas 2 minutash hiqeni nga zjarri. E shërbejmë me oriz të bardhë ose thjesht me feta buke.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor