Showbiz 8 Gusht 2019

“Dua të gjej ekuilibrin e t’i vendos gjërat aty ku duhet të jenë” Vesa rrëfen vështirësitë që po kalon e mesazhi i saj na preku

Showbiz

Vesa Luma është një nga artistet më të dashura të publikut shqiptar, muzika e së cilës nuk ngjason rëndomë me atë të këngëtarëve të tjerë. E dashuruar dhe e martuar gjithashtu me një njeri që nuk jeton dot pa muzikë, Big Basta, 33-vjeçarja nënë edhe e një djali 3 vjeç, dukej sikur kishte gjithçka që e përmbushte në Tiranë e Prishtinë. Megjithatë atëherë kur të gjithë prisnim që çifti të rikthehej në muzikë me ndonjë projekt të ri, ata vendosën të ndërtojnë jetën plot me surpriza dhe aventura në një vend shumë larg nga Evropa, në Zelandën e Re. Shpërngulja nuk është e lehtë dhe të jetuarit aq larg njerëzve të dashur, madje për një kohë edhe larg bashkëshortit,bënë që Vesa të largohej pak nga muzika.

Vesa Luma gjithnjë është treguar e vërtetë dhe e hapur në rrjetet sociale, ndaj mesazhi që shpërndau së fundmi në Instagram nuk na habiti. Ajo u ka kërkuar ndjesë të gjithë dashamirësve dhe fansave të muzikës së saj për mungesën!  “Dua t’jua kërkoj falje të gjithë juve që më shkruani e pritni te lançoj projektet e premtuara, por t’ju them të drejtën dhe të tregohem shumë e sinqertë nuk më vjen frymëzim në asnjë moment. Besoj janë shumë faktorë që po ndikojnë në këtë gjendje time. Nga fillimi i jetës së re për të cilën jeni në dijeni, e deri tek mundimi i madh për të kuptuar tendencat e çuditshme shqiptare që të japin një presion për të nxjerrë nga 10 këngë në vit, investime të cilat barazohen me 0, ngaqë sipas 98% të rasteve as që do të mbahen në mend vitin tjetër”, shkruan Vesa.

Artistja shkruan se nuk dëshiron të përsërisë veten apo të tjerët dhe po përpiqet fort që të gjejë një ekuilibër në jetën e saj.

“Unë gjithë jetën kam jetuar e frymëzuar me muzikë, por kësaj here nuk dua të më marrë përpara euforia e të jem përsëritëse e gjërave që kam bërë der tash. Dua të gjej një ekuilibër mes gjithë këtyre gjërave, gjë që nuk është e lehtë për mua, por është tepër e rëndësishme të gjej drejtimin e duhur për t’i vënë gjërat aty ku duhet të jenë, me profesionalizëm e dashni. Faleminderit që shtoheni çdo ditë e më shumë pavarësisht “hallakatjeve” të mendjes sime për momentin. Do të mundohem të mos ju zhgënjej, ju dua shumë”, përfundon Vesa.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor