Aktualitet 7 Gusht 2019

Njihuni me GRACE MEDINA amerikania që dokumentoi Shqipërinë nëpërmjet kostumeve kombëtare

Aktualitet

KUSH ËSHTË KUSH?Jo rrallëherë një i huaj ka krijuar lidhje të ngushtë me vendin tonë. Historia ka treguar që shumë prej atyre që e kanë vizituar Shqipërinë, kanë arritur ta eksplorojnë e ta njohin më shumë sesa vetë ne. Habitemi kur ata zbulojnë një vend para nesh e kur krijojnë një marrëdhënie shumë më të fortë me vendin tonë. Kjo, sepse sipas tyre, bukuria e kësaj toke është tërheqëse, ka peizazhe mahnitëse e një pozicion gjeografik mjaft të volitshëm. Për ta, Shqipëria është një vend i virgjër, i paprekur, i paeksploruar e që kërkon vazhdimisht të zbulohet nga të gjithë.

Diçka e tillë ka ndodhur edhe me fotografen amerikane, Grace Medina, e cila që kur mbërriti në Shqipëri, ndjeu atë magjinë që të fal një tokë e re, e virgjër e në të njëjtën kohë joshëse, plot histori e kulturë të ndryshme nga ç’ishte mësuar më parë. Gjatë dy viteve qëndrimi në Shqipëri, ajo u njoh me traditën, zakonet, problemet sociale e mbi të gjitha me njerëz të mrekullueshëm, që e mbështetën dhe e mësuan të jetonte me ritmin.

Grace ka lindur në Poloni dhe ka jetuar në Amerikë, Meksikë, Shqipëri dhe tashmë është rikthyer në token e premtuar. Për shkak të një jete gjithmonë në lëvizje, e gjeti me vend të njihte njerëz të kombësive të ndryshme, me traditat dhe historitë e tyre. Ajo është e specializuar në fotografimin e portreteve të fëmijëve dhe familjeve në jetën e përditshme. Ka udhëtuar në të gjithë Amerikën, Europën dhe Meksikën për të dokumentuar njerëzit dhe kulturën e këtyre vendeve. Puna e saj ka tërhequr vëmendjen e shumë medieve si: “Click Magazine”, “National Geographic’s Daily Dozen”, “Dear Photographer”, “Fearless and Framed Blog” dhe “Beauty Revived”. Në një nga projektet e saj më të rëndësishme, i cili mban emrin “Erasing the Spaces Between Us” ka bashkëpunuar me organizatën “Terre des Hommes” në Shqipëri. Detyra e saj ka qenë të fotografonte të gjitha familjet shqiptare që kishin emigruar në Gjermani dhe tashmë po riktheheshin në vendlindje. Gjithashtu, është themeluesja e një profili në “Instagram”, “Childrenseemagic”, ku mbështet dhe promovon të gjithëfotografët e rinj, të apasionuar ndaj këtij profesioni.

Edhe pse si profesioniste e ka nisur punën në vitin 2015, fotografia ka qenë pasion që në fëmijërinë e saj. Gjatë qëndrimit të sajdyvjeçar këtu, për arsye pune të bashkëshortit, së bashku me dy fëmijët, ata kanë udhëtuar dhe kanë vizituar një pjesë të mirë të qyteteve në Shqipëri. Asaj i ka pëlqyer pa fund Valbona, e rrethuar nga mallet e me një panoramë të mrekullueshme. Ndërkohë, vendi që i ka lënë më shumë mbresa është Qeparoi, fshati në Jug të Shqipërisë, ku rëra e bardhë shkrihet bukur me horizontin blu dhe detin. Aty gjeti një vend tërheqës dhe autentik me të gjitha elementet e duhurapër të bërë foto të mrekullueshme.

Por, mbi të gjitha, ato që e kanë intriguar më shumë kanë qenë kostumet tradicionale të vendeve që ka vizituar. Pikërisht kjo lidhje e fortë me të shkuarën, e nxiti të mendonte se si të realizonte një project në qendër të të cilit të ishin këto simbole kaq autentike. Iu desh të lexonte më shumë për historinë e vendit, të hulumtonte dhe të kuptonte simbolikat e përdorimit të çdo kostumi. Ajo më tregon me hollësi çdo detaj, duke nisur që nga çasti kur I lindi ideja e deri në çastin final, që ishte fokusimi i momenteve magjike.

Ajo dashuron çdo fotografi të realizuar, sepse I duken natyrale, janë siç i kishte imagjinuar dhe çdonjëra prej tyre mbart një vlerë të caktuar. “Isha me fat që miqtë e mi shqiptarë dhe fqinjët më njohën me Idën, e cila koleksionon kostume tradicionale. Pasi i tregova idenë time të fotografive, ramë menjëherë dakord. Për të realizuar këtë projekt kam pasur shumë pak kohë. Doja të realizoja një projekt edhe më të madh, duke përfshirë edhe kostumet tradicionale të burrave. Gjithsesi, jam e lumtur që kam dokumentuar kostumet e grave, sepse shumë fotografë të vjetër shqiptarë kanë pasur në fokus të tyre ato të burrave.”

Qëllimi i saj ishte që fotografitë të ishin sa më autentike dhe që vajzat, pra, modelet, të kishin ndikim te shikuesi. Në fakt, ia ka arritur qëllimit. Po t’i shohësh me vëmendje, nuk e kupton nëse këto fotografi janë realizuar tani apo kohë më parë. Duket sikur i përkasin një bote tjetër, duke na sjellë tradita dhe emocione të asaj periudhe. Vajzat u shprehën vullnetare për të marrë pjesë në këtë projekt. Ato ishin shqiptare dhe kryesisht studente. Duke më treguar ditën e madhe, siç e quan ajo ditën e shërbimit fotografik, Grace më sheh në sy dhe më pyet: “Pse rinia e sotme nuk preferon të veshë veshjet tradicionale? Janë aq të mrekullueshme, saqë jam e sigurt që do të dilnin në modë!” - shprehet plot emocion. Ajo kujton se gjatë ditës së shërbimit fotografik është kënaqur shumë me vajzat, ka krijuar miqësi të reja dhe kanë kaluar edhe çaste gazmore së bashku, pasi iu desh që dhe grimin ta realizonin vetë.

Ato kishin një bukuri natyrale dhe fokusi ishte pikërisht bukuria e tyre dhe e kostumeve tradicionale. Mbi të gjitha, ajo është e lumtur që ka arritur të dokumentojë kostume tradicionale kaq të bukura, të cilat mbartin shumë histori. Për të realizuar këtë projekt  i është dashur rreth një vit që nga planifikimi i shërbimit fotografik, seleksionimi I kostumeve, i gjetjes së vendit ku do të realizoheshin si dhe i vajzave vullnetare, që shërbyen si modele.

Më pas erdhi radha e përzgjedhjes dhe e editimit. U përdorën 20 kostume dhe fotografitë u realizuan brenda një dite, në një familje në Krujë. “

Kur vendosa të fotografoja këto kostume, kisha një vizion. Doja të përçoja ndjesinë që më kanë lënë mjeshtërit më të mëdhenj, si Johannes Vermeer ose Rembrandt. Fillova të studioja piktorët dhe fotografët shqiptarë. Zbulova punët e Kolë Idromenos dhe nisa të lexoja për Rilindjen Shqiptare. Veprat e tij shërbyen si frymëzim për mua. Shqipëria po kalon një periudhë tranzicioni, e cila ngjan si një rilindje e re, por unë doja të kapja trashëgiminë e saj të bukur, që duhet të ruhet me fanatizëm.”

Kultura është mjaft e rëndësishme në punën e saj dhe të jesh fotografe, për të do të thotë të zbulosh kulturat, të njohësh popullin dhe traditat, duke u futur në skutat më të thella. Me këtë projekt, Grace donte t’u tregonte të gjithëve historinë shqiptare, një Shqipëri ndryshe dhe me një perspektivë të re. Ajo mendon se femrat shqiptare janë të bukura, kanë karakter të fortë dhe shquhen për krenari. Ndërsa shqiptarët në përgjithësi janë mikpritës, të këndshëm dhe kafedashës të thekur.

Nga: Santana Comora 

Fotografia: Grace Medina 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor