Pjata kryesore 31 Korrik 2019

Tartë vegjetariane me vezë dhe bathë

Pjata kryesore

Nga Linda Fishta/Fotografia Armand Habazaj

PËRBËRËSIT PËR 2 OSE 4 PERSONA PËR ANTIPASTË: 3 vezë, 1 petë sfoliatë cilësore – mund të jetë edhe e ngrirë, 2-3 qepë të njoma, të grira për
së gjati, në copa jo shumë të vogla, 2-3 kunguj shumë të vegjël të prerë në feta të holla për së gjati, vaj ulliri sipas nevojës, 200 g bathë të freskëta, sa më të njoma, 200 g pana acida (përziejmë 160 g pana kuzhine me 40 g kos të bardhë dhe 1 lugë lëng limoni, 2 lugë senape Digione (mustardë), 1 limon organik, erëza të freskëta: mente, majdanoz, trumzë ose sipas dëshirës.


PËRGATITJA: Ndezim furrën në temperaturën 200° C. Njërën vezë e thyemë në një tas dhe pasi ta përziejmë me pak kripë, e lëmë mënjanë. Nëse bathët janë kokërrmëdha duhet t’u heqim lëkurën: ngrohim një tenxhere me ujë dhe
kur të marrë valë e hedhim ujin e valuar në tasin ku kemi kokrrat e bathëve dhe i lëmë të ftohen. Pasi u heqim lëkurën, i lëmë mënjanë. Nëse janë të njoma nuk e kryejmë këtë proces. Vendosim petën në tavën e furrës ku kemi shtruar letër, i përthyejmë anësoret për 2 cm, e lyejmë bazën dhe anësoret me vezën e rrahur dhe e vëmë të piqet për 20/25 minuta ose derisa të marrë ngjyrë të artë (mos harroni se do të piqet edhe me mbushjen). Ndërkohë, në një tigan të sheshtë që nuk ngjit, skuqim kungujt nga të dyja anët me fare pak vaj. I heqim dhe skuqim qepët.

Përziejmë në një tas pana acida-n me mustardën, pak kripë e piper dhe e shtrojmë mbi petë, pasi të jetë pjekur. Vendosim sipër kungujt dhe qepët, bathët, hedhim vezët dhe e vëmë përsëri tavën në furrë të piqet për 15/20 minuta ose derisa të shohim që e bardha e vezëve të jetë mpiksur, por të jetë ende e butë. E nxjerrim nga furra dhe e shërbejmë menjëherë.

SHËNIM: Kjo recetë u mundësua nga Tescoma.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor