Pjata kryesore 29 Korrik 2019

Tavë orizi me fruta deti, receta që sjell shijen spanjolle në tryezën tuaj

Pjata kryesore

Nga Mirela Andoni/Fotografia Armand Habazaj

Me siguri shumë prej jush janë habitur ndërsa kanë lexuar ‘’tavë orizi’’ që në krye të herës, pasi fotoja e mësipërme të bën të mendosh menjëherë për ‘’paella-n”, recetën e famshme të kuzhinës spanjolle,e cila lindi në fillim të shekullit të 18. Ndryshe nga ç’mund ta keni ditur, paella e vërtetë nuk bëhej me fruta deti, por me perime, mish rose ose lepuri, dhe ishte pjata e preferuar e punëtorëve të orizoreve të Valencias . Mirela ka vendosur të përgatisë një variant tjetër të saj, super të thjeshtë dhe të shijshëm.

PËRBËRËSIT: 1 qepë e kuqe, 2 hudhra, 2 speca të kuq, 1 pako shafran, 20 karkaleca, 4 kallamarë, 20 midhje, 320 g oriz, 200 ml verë e bardhë, 500 ml ujë, 1 tufë majdanoz, 1 limon, 50 ml vaj ulliri kripë, piper.

PËRGATITJA: Në një tigan që vendoset edhe në furrë kaurdisim për disa minuta qepën e grirë hollë, hudhrën e shtypur dhe specat e prerë në kubikë. Shtojmë orizin dhe pasi e kaurdisim 2-3 minuta e shuajmë me verë. Më pas hedhim frutat e detit, shafranin, ujin dhe e rregullojmë me kripë dhe piper. E përziejmë mirë dhe e vendosim të piqet për rreth 20-25 minuta në furrën e ngrohur më parë në 200 gradë. E shërbejmë me limon dhe majdanoz të grirë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor