Letra 29 Korrik 2019

'Dhimbja e tmerrshme e kokës rezultoi mpiksje gjaku në tru; Nuk e vendosja shëndetin të parin, derisa pësova ishemi 35-vjeç"

Letra

E mbaj mend sikur të më kishte ndodhur mëngjesin e sotëm. Ishte ora  6 e 45 , 26 tetor viti 2017 kur unë u zgjova me dhimbjen më të tmerrshme të kokës. Asnjëherë më parë, nuk e kisha ndjerë diçka të tillë. Imagjinoni ‘hangover-in’ më të keq që keni përjetuar, por dhimbja shumëzuar me dhjetë. Ndjesia e therjes dukej se vinte nga truri dhe përhapej në të gjithë kokën.

Një natë më parë, nuk kisha bërë asgjë të jashtëzakonshme, që nuk lidhej me rutinën time, ndaj shkaku mbetej i pazbuluar. Duhej të bëja një vizitë për të kuptuar pse kisha atë dhimbje të tmerrshme që nuk më pushoi atë ditë deri në 2 të drekës. Mora në telefon të dashurin për t’i shpjeguar se çfarë po më ndodhte dhe ajo çfarë më tha ‘më ra si bombë’

Zemër a mund të shprehesh më qartë, sepse nuk po të kuptoj, nuk po flet qartë!

Nuk po arrija ta kuptoja, në mendjen time, mendoja se po shprehesha qartë. Gjithsesi as ai dhe as unë nuk e morëm seriozisht situatën dhe u shtriva në shtrat, për të pritur të dashurin deri në orën katër që mbaronte punën. Kur zilja e derës ra rreth orës 5:30, mu desh të mbahesha nëpër muret e shtëpisë derisa të hapja derën. Kishin kaluar thuajse 12 orë dhe unë vazhdoja ta kisha atë therje në tru.

Nuk mund të vazhdoja të mendoja se s’kisha asgjë serioze, ndaj i hypëm makinës e shkuam në spital. Me një përshkrim të shkurtër të situatës, mjeku u alarmua dhe tha vetëm një fjalë: Goditje në tru. Megjithëse e dëgjova mirë, mendova:Jam shumë e re, nuk mund të më ndodhë mua kjo gjë.

Askush nuk mendonte si mua, ndaj iu nënshtrova menjëherë analizave të gjakut dhe skanerit të kokës. Po shpresoja me të gjithë qenien time që të mos ishte një dëmtim truri ose goditje. Isha e shëndetshme, madje një javë më parë kisha marrë pjesë në një gjysmë maratonë (jo e mirëfilltë) . Pas disa ekzaminimeve doktori ishte gati dhe i sigurtë të fliste me mua, e të më jepte lajmin. Një mpiksje gjaku më  ishte formuar në një arterie që kalonte në tru, duke bërë që gjaku mos të rridhte mjaftueshëm në zonat që lidheshin me të folurin, logjikën e procedimin e informacionit. Ishte një ishemi cerebrale, më e zakonshmja që prek 87% të njerëzve që pësojnë një goditje në tru.

Megjithatë nuk ishte e zakonshme që kjo gjë t’i ndodhte një 35-vjeçareje të shëndetshme.

Ndonëse mjeku nuk ma dha arsyen se pse kjo gjë më ndodhi mua, tha që gjendja pasive dhe gjumi e kishin përkeqësuar situatën. Isha e traumatizuar ! Mendoja se ishte dhimbje koke, e neglizhova e në spital më thanë që ishte goditje në tru.

Mëngjesin e të nesërmes fillova të kuptoja se formimi i fjalive ishte një proces i vështirë për mua, që më lodhte. Fjalët nuk më rridhnin natyrshëm dhe kisha shumë pauza midis tyre. Mendimet e mia ishin të plota, por goja nuk bashkëpunonte me trurin për t’i artikuluar saktë e pastër. Mjekët më thanë që po përjetoja ‘afasia’ aftësia për të përpunuar informacionin ishte prekur.  25% deri në 40% të të mbijetuarve nga një goditje e përjetonin një gjë të tillë.

Vendosa t’i shkruaja mendimet e mia, por ‘afasia; kishte prekur gjithashtu aftësinë time në të shkruar. Fillova të qaj, të paktën këtë gjë mund ta bëja dhe vrisja mendjen për sa gjatë do isha në këtë gjendje.

Kisha vështirësi në gjërat më të thjeshta, si larja e dhëmbeve apo veshja e këmishës, por nëse do arrija të bëja çdo veprim bazik, për 5 ditë do të dilja nga spitali.

Disa ditë pas rikthimit në shtëpi, ndihesha tjetër njeri. Aftësia për të folur si një e rritur nuk ishte rikthyer ndaj fillova të reduktoja të dalat jashtë apo kontaktin me njerëzit që nuk e dinin se ç’kisha kaluar.  U deshën gjashtë muaj terapi intensive që unë të rifitoja aftësinë e humbur. Doktorët më këshilluan që unë të rikthehesha në punë , e ta pranoja që ajo që më kishte ndodhur, nuk duhej të kthente përmbys jetën time. Sa më shpejt ta pranoja, aq më lehtë do e përballoja. Tani pas dy vitesh, jam e lumtur që ia hodha paq, që jam gjallë dhe kam shumë vite para për të jetuar. Asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë e shprehja ‘shëndeti i pari’ duhet marrë seriozisht në çdo fazë të jetës. Pa atë, nuk ke asgjë.LIVING

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor